Dikur pjesë e vizionit strategjik të SHBA-së, sot Kosova gati se nuk figuron në Strategjinë e saj Kombëtare. Prioritetet e Uashingtonit kanë ndryshuar, dhe Kosova nuk e ka kapitalizuar periudhën e qetësisë, duke mbetur e cenueshme.
Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë e presidentit Donald Trump publikoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare – një dokument që çdo administratë amerikane nxjerr për të shpjeguar prioritetet e saj në politikën e jashtme.
Strategjia, që mban firmën e presidentit, thekson se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlasi, kanë mbaruar”, se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane” dhe se “Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore”.
Dokumenti prej 33 faqesh, po ashtu, bën thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke paralajmëruar se kontinenti po nënvlerëson demokracinë, po bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “shuarje të civilizimit”, për shkak të migracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.
Ai fajëson edhe zyrtarët evropianë për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të ndalur luftën në Ukrainë dhe akuzon qeveritë se injorojnë një “shumicë të madhe evropiane” që dëshiron paqe.
Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve”, si një nga sukseset e presidentit Trump në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.
Evropianët e pritën me shqetësim këtë strategji – “themelet e partneritetit kërkojnë respekt të ndërsjellë, veçanërisht në momentet e divergjencës politike”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në vlerësimin e Olivia Enos, nga Instituti Hudson, strategjia pranon hapur se Amerika nuk mund të merret me gjithçka, lë jashtë disa rajone dhe probleme, dhe rendit qartë prioritetet, duke filluar me Hemisferën Perëndimore, pastaj Azinë, Evropën dhe në fund Lindjen e Mesme.
Kjo zgjedhje, sipas saj, është e diskutueshme për ata që duan një politikë të jashtme më të qëndrueshme, por është e qëllimshme.
“Unë e kam lexuar si renditje të prioriteteve. Të tjerët mund të mos pajtohen, por për mua mesazhi është i qartë: kjo është hemisfera jonë, prandaj kjo ka rëndësinë më të madhe për ne. Ne do të sigurohemi që kufiri ynë të jetë i sigurt. Ky është prioriteti kryesor”, thotë Enos për Radion Evropa e Lirë.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.
Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.
Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.
“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan… se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore – në Uashington.
Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.
Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.
Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.
Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.
Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin Trump në shtator, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.
Gjatë këtij viti, Trump e ka përmendur disa herë Kosovën, kryesisht për të theksuar rolin e tij si ndërmjetës që ka ndalur konfliktin mes saj dhe Serbisë.
Për ish-diplomatin austriak, Wolfgang Petritsch, epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së – ajo që u ndërtua pas vitit 1945 – ka marrë fund.
Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.
“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë.
Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.
Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.