Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), vlerëson se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve, dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze, të cilat cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.
Edhe pse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, sipas DnV-së saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor.
“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore. Përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi dhe për rinumërimin e 100% të vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i theksuar i rezultatave (Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug), e që në total përbëjnë afër 36% të vendvotimeve në Kosovë, DnV vlerëson që kjo masë është e pamjaftueshme. Rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin. Andaj DnV rekomandon që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin për të siguruar kredibilitet të procesit dhe besim të publikut në rezultatet zgjedhore. Po ashtu kërkojmë nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimin e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit. Demokracia në Veprim rithekson se qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”, thuhet në reagimin e DnV-së.
