Të nderuar ish-ministra, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, akademikë, studiues, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, mbijetues dhe mysafirë të nderuar,
Mirë se vini në Prishtinë, në ni vend që e njeh peshën e kujtesës, sfidat e së kalumes dhe randësinë e dialogut për të ardhmen.
Prania juaj në këtë konferencë i jep asaj jo veç randësi profesionale e akademike, por edhe peshë morale e shoqnore. Tu ardhë prej përvojave, vendeve dhe institucioneve të ndryshme, ju sillni këndvështrime të çmueshme mbi lirinë, drejtësinë tranzicionale, ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe pajtimin.
Asht nder që sot ju kemi mes nesh për me i nda përvojat, reflektimet dhe vizionet tuaja, në ni kohë kur nevoja për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim mbetet po aq e randësishme sa edhe vetë kujtesa e së kalumes.
Si duket po jetojmë në ni kohë ku disa prej parimeve themelore që e kanë shpjegu dhe përtheku botën për shekuj të tanë po ndryshojnë.
Nëse dikur Machiavelli ia mësonte politikës se mënyra ma efektive për me e mirëmbajtë pushtetin ishte “përçaj dhe sundo”, sot (me teknologjinë) duket se po përballemi me ni formulë tjetër, “huto dhe sundo”. Nëse dikur Francis Bacon e shënjonte modernitetin kur thoshte se “dija asht pushtet”, sot gjithnjë e ma shumë po shohim se vëmendja asht pushtet.
Në kohën e Machiavellit, sundimtari duhej me i nda njerëzit në grupe kundërshtare. Konflikti mes tyne e bante ma të lehtë kontrollin e tyne. Sot nuk asht e domosdoshme që njerëzit me qenë veç të përçamë. Mjafton me qenë të hutum që pushteti me i mirëmbajt agjendat “private”. Mjafton mos me qenë të sigurt se çka janë faktet, të vërtetat e çka asht e rreme. Mjafton me u përmbyt prej ni lumi të pafund informacioni, ku faktet, opinionet, propaganda dhe spektakli përzihen në ni rrjedhë të vetme.
Në këtë realitet të ri, qytetari nuk kontrollohet tu ia ndalu informacionin, por tu ia dhanë aq shumë informacion sa me e humb aftësinë për me dallu atë që ka randësi. Atë që e thoshte Heideggeri, kalimi i shoqnive prej interesit te interesantja.
Nuk jetojmë ma në epokën e censurës klasike. Jetojmë në epokën e mbingarkesës, overdozës informative. Rreziku nuk asht ma mungesa e informacionit, por teprica e tij.
Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me ndryshimin e dytë të madh. Bacon besonte se dija prodhonte pushtet. Dhe kishte të drejtë për kohën e tij. Por sot informacioni gjendet kudo. Në telefonin që e mbajmë në xhep kemi ma shumë informacion sesa kishin bibliotekat ma të mëdha të botës para disa shekujsh. Megjithatë, nuk duket se jemi ba shumë ma të mençëm.
Prandaj pushteti nuk qëndron ma veç te zotërimi i dijes. Pushteti qëndron te aftësia për me e kapë dhe kontrollu vëmendjen. Kush e kontrollon vëmendjen tonë, e kontrollon mënyrën se si mendojmë, çka ndiejmë, për çka zemërohemi dhe për çka heshtim. E kontrollon qenësimin tonë.
Në epokën ku të vërtetat janë ba të mërzitshme, kemi shumë nevojë për laryshi perspektivash që me iu ikë dogmave, atyne terreneve ku përfundon tjetri. Kemi nevojë për dialog. Apo siç e përdorim na këtu idiomën: “me ndrru naj llaf”. Por mrena disa parimeve që ende ju besojmë se shënjojnë humanen.
–
Fjala hyrëse në Konferencën Ndërkombëtare “Urat e kujtimeve” organizuar nga “Liria ka Emër” dhe KIPRED në Prishinë më 11 qershor 2026.