Mund të tingëllojë paradoksale, por rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit flet më shumë për opozitën, sesa për pushtetin. Zakonisht zgjedhjet interpretohen nëpërmjet fituesit, por në këtë rast pyetja kryesore nuk është pse fitoi sërish Lëvizja Vetëvendosje, por pse opozita, edhe pas gjashtë vjetësh qeverisjeje të Albin Kurtit, nuk arriti ta bindë shumicën se meriton ta marrë drejtimin e vendit.
Pas gjashtë vjetësh në pushtet është krejt normale që një parti të humbë vota. Kjo ndodh gjithandej. Konsumimi politik është i pashmangshëm. Premtimet harrohen, zhgënjimet rriten, pritjet ndryshojnë. Në teori, kjo duhej të ishte momenti ideal për opozitën. Por, rezultati i 7 qershorit tregoi të kundërtën.
Në vend të reflektimit serioz, nisën arsyetimet. Dikush u krenua se është rritur pak, dikush tjetër tha se ka ruajtur elektoratin, të tjerë u përpoqën ta paraqesin rezultatin si sukses relativ. Por, opozita nuk ekziston për të matur rritje modeste, as për të festuar përqindje që nuk ndryshojnë raportet politike. Opozita ekziston për të fituar. Dhe, kur pas gjashtë vjetësh pushtet nuk arrin të mposhtësh Albin Kurtin, atëherë problemi nuk mund të jetë vetëm te pushteti, por edhe te vetja.
Një pjesë e opozitës hyri në garë pa vizion të qartë. Një pjesë tjetër me mesazhe të paqarta. Disa me kandidatë lokalë të fortë, por pa narrativë nacionale. Të tjerë me shumë sulme ndaj kundërshtarit, por me pak përgjigje konkrete për problemet reale të qytetarëve.
Por, zgjedhjet nuk fitohen vetëm duke thënë pse tjetri është i keq. Fitohen duke bindur pse ti je më i mirë.
Një shembull i qartë i kësaj ishte fushata e LDK’së. Në vend që ta ndërtonte fushatën kryesisht mbi program, ofertë politike apo një vizion të ri për qeverisjen, një pjesë e madhe e energjisë politike dhe komunikimit publik u fokusua te ish-presidentja Vjosa Osmani dhe mundësia e rikthimit të saj në pushtet.
Fushata e LDK’së, në shumë momente, dukej sikur kishte më shumë lidhje me ambicien për ta rikthyer sërish në presidencë Osmanin, sesa me ambicien për të marrë qeverinë. Këtu lind pyetja logjike: a votojnë qytetarët në zgjedhje parlamentare për të zgjedhur qeveri apo për të zgjidhur çështjen e presidentit? Kur një parti opozitare futet në zgjedhje duke krijuar përshtypjen se fokusi kryesor është posti presidencial, rrezikon ta humbë debatin kryesor – atë për qeverisjen. Natyrisht, presidenca mbetet e rëndësishme politikisht. Por zgjedhjet e 7 qershorit kishin të bënin me pushtetin ekzekutiv, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, raportet me aleatët dhe drejtimin e vendit. Kur fokusi zhvendoset te kalkulimet për poste, mesazhi politik humb fuqinë.
* * *
Për vite me radhë është krijuar një bindje e opozitës se pakënaqësia ndaj pushtetit automatikisht shndërrohet në votë opozitare. Por, kjo nuk ndodh. Qytetarët mund të jenë të pakënaqur dhe prapë të mos të votojnë ty. Sepse alternativa nuk ndërtohet duke pritur që kundërshtari të dobësohet. Alternativa ndërtohet me ide, njerëz, energji dhe besueshmëri.
Një tjetër problem mbetet fragmentimi. Opozita vazhdon të funksionojë më shumë si grup partish që garojnë mes vete, sesa si bllok politik që synon seriozisht marrjen e pushtetit. Shpesh energjia harxhohet për ta kaluar partinë tjetër opozitare, jo pushtetin. Dhe, kur objektivi kryesor bëhet të dalësh partia e dytë, rezultati është pothuajse i paracaktuar.
Ka edhe një element tjetër që opozita duhet ta kuptojë: zgjedhjet nuk fitohen me nostalgji politike. Nuk fitohen duke kujtuar kohë më të mira apo duke llogaritur automatikisht rikthimin e votuesve të dikurshëm. Elektorati ka ndryshuar, pritjet kanë ndryshuar, mënyra e komunikimit politik ka ndryshuar. Duket se opozita në disa momente ende sillet sikur është në një realitet tjetër politik.
Në demokraci nuk ka mandate të përhershme. Asnjë pushtet nuk është i pathyeshëm. Por asnjë opozitë nuk fiton vetëm sepse ka kaluar kohë e mjaftueshme. Duhet ta meritojë. Duhet të bindë.
Duhet të ofrojë shpresë reale.
Rezultati i 7 qershorit duhet lexuar si mesazh politik: qytetarët mund të kenë pakënaqësi ndaj pushtetit, por ende nuk janë bindur mjaftueshëm nga alternativa. Prandaj, opozita duhet të merret më shumë me veten dhe më pak me justifikimet. Duhet të gjejë përgjigje në pyetjet pse nuk mobilizon më shumë, pse nuk krijon më shumë besim, pse nuk arrin të prodhojë momentum.
Në fund të fundit, politika është e thjeshtë: njerëzit nuk të votojnë vetëm sepse kundërshtari humb vota. Të votojnë kur besojnë se ti mund të qeverisësh më mirë.
Deri atëherë, festimi i rritjeve të vogla mbetet vetëm mënyrë më elegante për të shmangur pyetjen kryesore: pse, edhe pas gjashtë vjetësh pushtet të Albin Kurtit, opozita ende nuk po bind se është gati ta marrë vendin e tij?