Kur Brukseli harron Brukselin

Liqeni i Ujmanit, Republika e Kosovës

Nga reagimi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për rrënimin e objekteve pa leje pranë Liqenit të Ujmanit mbetet një pyetje thelbësore: a po kërkon BE-ja nga Kosova një standard që vetë nuk do ta pranonte kurrë brenda territorit të tij?

Nëse përgjigjja kërkohet në legjislacionin evropian dhe në praktikën e shteteve anëtare, atëherë dilema bëhet edhe më e madhe.

Bashkimi Evropian e ka ndërtuar për më shumë se dy dekada një nga regjimet më të forta ligjore në botë për mbrojtjen e burimeve ujore. Water Framework Directive (2000/60/EC) nuk u kërkon shteteve vetëm të monitorojnë lumenjtë dhe liqenet; ajo i obligon ato të parandalojnë përkeqësimin e gjendjes së trupave ujorë dhe të mbrojnë burimet strategjike të ujit.

Po aq e qartë është edhe Drinking Water Directive (EU) 2020/2184, e cila vendos si parim mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm përmes një qasjeje parandaluese, duke kërkuar identifikimin dhe eliminimin e rreziqeve që mund të cenojnë cilësinë e ujit për konsum njerëzor. Kjo nuk është teori. Është praktikë.

Nga rezervuari Rappbode në Gjermani, te Mornos në Greqi, Švihov në Çeki, Castelo de Bode në Portugali, Starina në Sllovaki apo Iskar në Bullgari, rezervuarët strategjikë mbrohen me kufizime të forta ndërtimore. Në shumë raste ndërtimi i objekteve private është i ndaluar ose i kufizuar rreptësisht pikërisht për të mbrojtur ujin e pijshëm dhe infrastrukturën kritike. Edhe legjislacioni portugez për zonën e mbrojtur të rezervuarit Castelo de Bode ndalon ndërtimet në zonat e mbrojtjes për të garantuar integritetin e rezervuarit.

Prandaj, lind pyetja: nëse një ndërtim pa leje pranë një rezervuari strategjik nuk do të tolerohej në Gjermani, Portugali apo Çeki, për çfarë Kosova duhet të trajtohet ndryshe?

Askush nuk konteston rëndësinë e procesit të rregullt ligjor. Përkundrazi, shteti i së drejtës kërkon transparencë, të drejtën e ankimit dhe mjete juridike efektive. Këto janë parime që Kosova i respekton në vazhdimësi dhe gjithnjë avancon në përforcimin e tyre.

Por, procedura nuk mund të shndërrohet në mekanizëm që pezullon pafundësisht zbatimin e ligjit në një zonë të mbrojtur me rëndësi strategjike.

Në reagimin e saj, Zyra e BE-së nuk e vë në diskutim rëndësinë e mbrojtjes së rezervuarit. Ajo ngre shqetësime të tjera, mbase në rastin më të mirë procedurale. Megjithatë, kur këto shqetësime shoqërohen me kërkesën për ndalimin e rrënimeve, ndërkohë që vetë shtetet anëtare zbatojnë politika shumë më restriktive ndaj ndërtimeve të paligjshme në zona të mbrojtura, shihet qartë se kemi të bëjmë me standarde të dyfishta.

Ky perceptim forcohet edhe më shumë kur krahasohet rasti i Ujmanit me raste të tjera brenda vetë Kosovës.

Në Badovc dhe pranë liqenjëve të tjerë, institucionet e Kosovës kanë ndërhyrë prej vitesh kundër ndërtimeve pa leje pranë rezervuarëve që furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm. Aty nuk pati reagime diplomatike që kërkonin pezullimin e rrënimeve. Nuk pati deklarata për proporcionalitet apo thirrje për ndalimin e zbatimit të ligjit.

Kjo nuk do të thotë se diplomacia evropiane nuk ka të drejtë të kërkojë respektimin e procedurës. E ka. Por, ka po aq detyrim që të ruajë koherencën me standardet që promovon.

BE nuk mund t’u kërkojë shteteve anëtare tolerancë zero ndaj ndërtimeve që rrezikojnë burimet strategjike të ujit, ndërsa Kosovës t’i sugjerojë (Lexo: detyrojë) pezullimin e masave ndaj objekteve të ngritura pa leje në një rezervuar që furnizon qindra mijëra qytetarë.

Kjo nuk është vetëm çështje konsistence juridike. Është çështje besueshmërie politike.

Nëse acquis communautaire është standardi që Kosova duhet të ndjekë, atëherë ai duhet të jetë standard edhe për mënyrën se si BE-ja e vlerëson Kosovën.

Përndryshe, krijohet përshtypja se ligji evropian është universal vetëm derisa zbatohet brenda kufijve të Bashkimit. Kur i njëjti standard zbatohet në Kosovë, ai relativizohet.

Një politikë e tillë nuk e forcon sundimin e ligjit. E dobëson atë. Sepse sundimi i ligjit nuk matet me deklarata diplomatike, por me një parim shumë më të thjeshtë: i njëjti ligj duhet të prodhojë të njëjtin standard, pavarësisht nëse zbatohet në Berlin, Pragë, Lisbonë apo në brigjet e Ujmanit në Republikën e Kosovës.

Të fundit nga rubrika