Pasaportat më të fuqishme në botë për 2026: Kosova renditet në vendin e 60-të

Pavarësisht pranisë së madhe të vendeve evropiane në listë, Singapori ka ruajtur vendin e parë në Indeksin e Pasaportave Henley për të dytin vit radhazi.

Tre vende u renditën në vendin e dytë: Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me qasje pa viza në 188 destinacione, ndërsa Singapori kryeson me 192 destinacione, shkruan Euronews.

Indeksi, i cili përdor të dhëna nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) për numrin e vendeve ku mund të udhëtojnë qytetarët pa vizë paraprake, këtë vit shënon 20-vjetorin e tij.

Suedia u rendit në vendin e tretë me qasje në 187 vende. Pas saj, me qasje në 186 destinacione, u renditën Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja.

Në pesëshen e parë u përfshinë edhe Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra.

Edhe pse 29 vende evropiane janë në mesin e 10 pasaportave më të fuqishme, disa shtete vazhdojnë të mbeten prapa.

Mbajtësit e pasaportës së Bjellorusisë mund të udhëtojnë pa vizë në vetëm 78 vende, duke u renditur në vendin e 62-të. Ndërsa pasaporta e Kosovës renditet pak më lart, në vendin e 60-të, së bashku me Kinën, me qasje pa vizë në 83 vende.

Megjithatë, Kosova ka bërë përparim të madh vitet e fundit, duke u ngjitur 35 vende në renditje që nga viti 2016.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi që ka shënuar rritjen më të madhe gjatë 20 viteve të fundit. Ato tani renditen të dytat në botë, pasi janë ngjitur 60 vende dhe kanë fituar qasje në 153 destinacione më shumë.

Vitin e kaluar, Emiratet ishin në vendin e 10-të, ndërsa tani kanë kaluar Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka zbritur në vendin e gjashtë.

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 10-të, me qasje në 180 vende, duke mbetur në të njëjtën pozitë si në vitin 2025, kur kishin arritur nivelin më të ulët historik në këtë indeks.

Christian H. Kaelin, kryetar i kompanisë Henley & Partners, tha se fuqia e pasaportës sot luan një rol të rëndësishëm në mundësitë, sigurinë dhe pjesëmarrjen ekonomike, ndërsa përfitimet e lëvizjes globale janë gjithnjë e më shumë të përqendruara te vendet më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht.

Të fundit nga rubrika