Arrestimet dhe procedurat e fundit penale për dyshime dhe dënime të lidhura me spiunazhin në Kosovë kanë hapur një debat të rëndësishëm mbi kapacitetet e institucioneve të sigurisë, natyrën e kërcënimeve të inteligjencës, rolin e publikut dhe të mediave, si dhe kufirin ndërmjet transparencës demokratike e sekretit operacional.
Në gusht 2026, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bëri publike se po trajtonte disa raste të dyshuara spiunazhi të lidhura me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se deri atëherë ishin trajtuar shtatë raste të tilla dhe se kishte pasur katër aktgjykime dënuese, duke vënë theksin në bashkëpunimin mes Prokurorisë Speciale, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policisë së Kosovës (Koha.net, 19/08/2026). Në të njëjtën periudhë, arrestimi i Fehim Salit në pikën kufitare të Merdarës dhe ngritja e aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh, rikthyen temën e spuinazhit dhe kundërspiunazhit në qendër të vëmendjes publike (REL, 27/08/2026). Këto zhvillime nuk duhet të interpretohen vetëm përmes pyetjes nëse individët e arrestuar ose të akuzuar janë fajtorë. Përcaktimi i fajësisë është kompetencë e gjykatës. Mirëpo, për një analizë të sigurisë, pyetja më e rëndësishme është: çka tregojnë këto raste për aftësinë e institucioneve shtetërore të sigurisë e në veçanti AKI-së, për të identifikuar, parandaluar dhe neutralizuar kërcënimet e inteligjencës së huaj, në këto raste asaj të Serbisë.
Kjo pyetje bëhet e rëndësishme edhe për faktin se inteligjenca është një fushë ku kriteret tradicionale të transparencës publike, të zbatueshme në një shoqëri të lirë, nuk mund të aplikohen në mënyrë mekanike. Pra, është i nevojshëm një ekuilibër ndërmjet llogaridhënies publike dhe mbrojtjes së interesave të sigurisë kombëtare. Shërbimet e inteligjencës mbështeten në fshehtësinë e burimeve, metodave, rrjeteve të kontaktit dhe kapaciteteve operative. Sipas Seumas Miller (2022), inteligjenca është një proces i lidhur ngushtë me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit që duhet të mbetet pjesërisht sekret për të ruajtur vlerën e tij operacionale dhe strategjike (Miller, 2022:791-792). Për pasojë, situata të tilla, nxjerrin në pah një sfidë themelore të demokracisë moderne: institucionet e inteligjencës duhet të jenë mjaftueshëm sekrete për të qenë efektive, por edhe mjaftueshëm të kontrolluara për të qenë demokratike. Shih për këtë, rastet e fundit të spiunazhit në Kosovë duhet të analizohen dhe vlerësohen në tri dimensione të ndërlidhura: së pari, në dimensionin e kapaciteteve dhe performancës së institucioneve të sigurisë; së dyti, në atë të debatit publik dhe rolit të mediave për formësimin e tij, dhe së treti, në dimensionin e raportit mes sekretit, llogaridhënies dhe nevojës që jo çdo aktor institucional apo shoqëror të ketë qasje në informacionet operative. Thënë ndryshe, suksesi i një shërbimi inteligjent nuk duhet të matet me nivelin e ekspozimit publik të tij, por me aftësinë për të prodhuar inteligjencë të saktë, për të zbuluar kërcënime dhe për t’i parandaluar ato, gjithmonë konform ligjit dhe kontrollit demokratik.
Inteligjenca, kundërspiunazhi dhe shteti demokratik
Studimet e inteligjencës e trajtojnë inteligjencën jo thjesht si grumbullim të fshehtë informacioni, por si një proces institucional përmes të cilit informacioni shndërrohet në njohuri të dobishme për vendimmarrjen institucionale (Dokman, 2019:194). Kjo veçori e pozicionon intelegjencën si kapacitet të domosdoshëm për shtetet që përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe me konflikte të pazgjidhura. Strategjia e Sigurisë së Kosovës (2022 – 2027) e konsideron Serbinë një prej kërcënimeve kryesore për sigurinë e vendit dhe i lidh këto kërcënime me pretendimet territoriale, strukturat ilegale dhe aktivitetet që synojnë destabilizimin e vendit dhe dobësimin e institucioneve të Republikës (Kosovo Security Strategy 2022-2027, 2022:7). Për këtë arsye, spiunazhin duhet parë si pjesë të një spektri më të gjerë të konkurrencës së sigurisë, ku informacioni është instrument i pushtetit, po aq sa edhe forca ushtarake apo presioni diplomatik. Për Serbinë, mbledhja e informacionit mbi institucionet dhe kapacitetet e sigurisë së Kosovës konsiderohet pjesë e një strategjie më të gjerë për ruajtjen e ndikimit dhe mbështetjen e objektivave të saj destabilizuese në raport me Kosovën. Një qasje e tillë kërcënuese e Serbisë, tashmë e njohur, shtrihet edhe përtej dimensionit të sigurisë, duke synuar cenimin e funksionimit të institucioneve, ndikimin në proceset politike, dobësimin ekonomik dhe dëmtimin e kohezionit shoqëror në Kosovë (Fetoshi, 28/05/2026). Si kundërpërgjigje ndaj një qasjeje të tillë, Kosova më të drejtë po e trajton mbrojtjen e sigurisë kombëtare si një përpjekje gjithëpërfshirëse, e cila nuk kufizohet vetëm në mbrojtjen e territorit, por shtrihet edhe në ruajtjen e integritetit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.
Reagimi i institucioneve të Kosovës ndaj spiunazhit dhe ndërhyrjes serbe po shfaqet gjithnjë e më shumë si qasje e konsoliduar dhe parandaluese e sigurisë, e mbështetur në bashkëpunimin institucional të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Kjo qasje pasqyron një proces institucional, në të cilin inteligjenca, hetimi penal dhe drejtësia plotësojnë njëra-tjetrën. Zhvillimet e fundit tregojnë për një angazhim institucional konkret në identifikimin më të hershëm të aktiviteteve të dyshimta, dokumentimin e tyre dhe shndërrimin e informacionit të inteligjencës në procese konkrete hetimore dhe gjyqësore. Kjo përbën një zhvillim të rëndësishëm sa i përket kapaciteteve të Kosovës për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme, veçanërisht në një mjedis sigurie ku aktivitetet e inteligjencës serbe përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm. Rastet e fundit të hetuara nga Prokuroria Speciale, bashkëpunimi me AKI-në dhe Policinë e Kosovës dhe aktgjykimet e dhëna në disa raste tregojnë se institucionet kosovare kanë ndërtuar kapacitete solide për shndërrimin e të dhënave të inteligjencës në procedura konkrete hetimore dhe juridike (Zëri, 19/08/2026). Në raport me Serbinë, kjo çështje merr një dimension tjetër, duke pasur parasysh qasjen e saj destabilizuese dhe armiqësore ndaj sovranitetit, sigurisë dhe integritetit institucional të Kosovës. Për shembull, në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale thotë se informacionet e mbledhura kishin të bënin me aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës (REL, 25/08/2026). Ky rast ilustron qartë se aktivitetet e inteligjencës serbe kanë karakter shumëdimensional dhe se informacioni mbi institucionet politike e të sigurisë mund të përbëjë një burim të rëndësishëm për mbështetjen e objektivave strategjike të Serbisë kundër interesave nacionale të Kosovës.
Në këtë kontekst, roli i kundërzbulimit të Kosovës bëhet veçanërisht i rëndësishëm, pasi veprimtaria e shërbimeve serbe të intelegjencës, nuk duhet të trajtohet si zhvillim i papritur, por si vazhdimësi e kërcënimeve që kërkojnë vëmendje dhe gatishmëri të lartë institucionale. Rastet e identifikuara dhe të proceduara së fundmi tregojnë se mekanizmat e kundërzbulimit në Kosovë kanë qenë në gjendje të zbulojnë dhe t’i adresojnë veprimtaritë e jashtëligjshme të inteligjencës serbe, duke mundësuar që ato të kalojnë nga niveli i identifikimit dhe vlerësimit të kërcënimit, në atë të hetimit dhe përgjegjësisë ligjore. Kjo dëshmon se kundërzbulimi nuk duhet të shihet vetëm si strukturë reaguese ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve, por si një shtyllë institucionale që vepron në mënyrë ligjore për mbrojtjen e interesave kombëtare. Pra, me fjalë tjera, kundërzbulimi nuk shërben vetëm si mekanizëm mbrojtës ndaj aktiviteteve të huaja të inteligjencës, por edhe si pjesë e një sistemi institucional që mbron sovranitetin, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues konform parimeve të sundimit të ligjit.
Inteligjenca, media dhe opinioni publik
Në fushën e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, një prej dilemave më të ndërlikuara për demokracitë është përcaktimi i kufirit në mes sekretit të nevojshëm dhe të drejtës së publikut për informim. Sekreti mbetet pjesë e pandashme e veprimtarisë së inteligjencës, por kjo nuk do të thotë se çdo informacion që lidhet me sigurinë kombëtare duhet të mbetet i fshehtë. Siç argumentojnë Heide dhe Villeneuve (2021), sekreti shtetëror nuk duhet parë thjesht si e kundërta e transparencës, por si një instrument që mund të justifikohet vetëm në funksion të objektivave konkrete të sigurisë dhe efektivitetit të qeverisjes (Heide & Villeneuve, 2021:246). Në demokraci, çështja nuk është nëse duhet të ekzistojë sekreti, por ku duhet të vendoset kufiri i tij dhe kush duhet të kontrollojë respektimin e atij kufiri. Shih për këtë, mbrojtja e të vërtetës dhe interesit publik nuk duhet të ngatërrohet me publikimin e sekreteve. Një media profesionale mund të kontribuojë në sigurinë kombëtare edhe duke u përmbajtur nga publikimi i informacioneve të caktuara, kur publikimi i tyre do të rrezikonte operacione aktive ose burime njerëzore. Por, kjo vetëpërmbajtje duhet të bazohet në një vlerësim konkret dhe të arsyeshëm të rrezikut apo dëmit të mundshëm, e jo në një pranim automatik të çdo pretendimi institucional për konfidencialitet. Studimet mbi sekretin e sigurisë kombëtare e trajtojnë pikërisht këtë si një problem të balancimit në mes nevojës për mbrojtjen e informacionit dhe nevojës për transparencë e llogaridhënie demokratike (Heide & Villeneuve, 2021:253). Rrjedhimisht, do të ishte gabim nëse sekreti dhe transparenca trajtohen si dy koncepte krejtësisht të papajtueshme. Një shtet funksional ka nevojë për të dyjat: për sekret, kur ai është objektivisht i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë dhe për transparencë, kur informacioni mund të bëhet publik pa cenuar interesat e sigurisë. Marredhënien ndërmjet sekretit dhe transparencës, Heide & Villeneuve e trajtojnë si çështje ekuilibri, ku sekreti duhet të lidhet me një qëllim të përcaktuar dhe jo të trajtohet si normë e përgjithshme e qeverisjes (Heide & Villeneuve, 2021:240).
Reagimi publik ndaj aktiviteteve të inteligjencës duhet të synojë forcimin e demokracisë dhe jo dobësimin e sigurisë. Institucionet duhet të jenë transparente aq sa është e nevojshme për të ruajtur besimin dhe llogaridhënien publike, ndërsa mediat duhet të ushtrojnë rolin e tyre kritik pa cenuar interesat legjitime të sigurisë. Në këtë mes qëndron edhe beteja për të vërtetën: jo në publikimin e çdo informacioni sekret, por në aftësinë e shoqërisë për të dalluar faktin nga propaganda, informimin nga dezinformimi dhe sekretin e justifikuar nga fshehtësia e përdorur si mjet për ta shmangur përgjegjësinë. Për Kosovën, një qasje e tillë është veçanërisht e rëndësishme, sepse qëndrueshmëria e shtetit nuk varet vetëm nga aftësia për të zbuluar dhe parandaluar kërcënimet, por edhe nga aftësia e institucioneve për t’ia komunikuar ato qytetarëve në mënyrë të besueshme dhe konform parimeve ligjore. Rrjedhimisht, marrëdhënia në mes institucioneve të sigurisë dhe medias nuk duhet të perceptohet e as të ndërtohet mbi konfrontimin e vazhdueshëm, por të mbeshtetet mbi një ekuilibër të kujdesshëm dhe harmonizim të transparencës, përgjegjësisë e mbrojtjes së interesit kombëtar, ku secila palë përmbush rolin e saj në forcimin e sigurisë dhe të demokracisë.
– – –
Autor: Gjon Culaj, bashkëpunëtor në Institutin “Octopus”