Monologu në OKB: Pse Kosova nuk mund t’u përgjigjet akuzave të Serbisë

Kur një shtet mund të akuzojë dhe pala e akuzuar nuk mund të përgjigjet, problemi nuk është më vetëm politik, por institucional. Rasti i Kosovës ekspozon një boshllëk të OKB-së që kërkon reformë.

Pas numërimit të votave në seancën speciale të OKB-së

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një paradoks që rrallëmerr vëmendje është kur një anëtar mund ta përdorë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme për të ngritur çfarëdo akuzave ndaj Kosovës, por kjo e fundit nuk gëzon të drejtën për t’iu përgjigjur.

Një asimetri e tillë u bë sërish e dukshme me 23 shtator, kur tashme ish-presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në sesion e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme i kushtoi një pjesë të gjatëKosovës, duke akuzuar shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës se kanë cenuar Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, pastaj ai dha një kërcënim se Serbia do ta mbroj integritetin e saj territorial, Kartën dhe Rezolutën 1244. Akuzat e tij shkuan deri në masën sa akuzoi Kosovën edhe për “spastrim etnik” kundër serbëve.

Serbia, si shtet anëtar i OKB-së e ka të drejtën e fjalës dhe tëshprehë qëndrimet e saj, mirëpo problemi nuk është tek kjo e drejtë. Problematike është çështja institucionale brenda së cilës arkitekturë ajo artikulohet ku pala për të cilën flitet nuk ka tëdrejtën apo statusin ekuivalent për t’iu përgjigjur akuzave në tënjëjtën sallë.

Kjo çështje tejkalon simbolikat.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi kryesor gjyqësor i OKB-së, iu përgjigj një pyetje të ngritur nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme pas iniciativës së Serbisë.

Pyetja drejtohej se: “A është deklarata e njëanshme e pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”

GJND-ja kësaj pyetje iu përgjigj se nuk ishte shkelur e drejta ndërkombëtare, nuk ishte shkelur as Karta e OKB-së, as Rezoluta 1244 dhe as Korniza Kushtetuese e UNMIK-ut.

Kjo përgjigje nga GJND-ja ndaj iniciativës së Serbisë, e bën debatin aktual paradoksal ku vetëm Serbia lejohet të paraqesëversionin e saj të së drejtës ndërkombëtare në OKB dhe ta mohoj tërësisht përgjigjen e GJND-së ndërsa Kosova nuk mund ta mbrojë vetveten dhe kundërshtojë interpretimet nga e njëjta pozitë procedurale.

Problemi nuk është vetëm anëtarësimi

Asambleja e Përgjithshme, të drejtën e replikës me delegacione e lidh nëpërmjet statusit të veçantë për të marrë pjesë në punimet e saj. Sipas rregullit 73 thuhet se presidenti i Asamblesë mund t’i japë të drejtën e përgjigjes një anëtari. Por, Kosova duke mos qenë ende anëtare e OKB-së apo duke mos pasur ndonjë status të veçantë vëzhguesi në AP, nuk e gëzon automatikisht këtë mekanizëm.

Por ka precedenca nga e kaluara kur AP-ja u ka dhënë të drejta të posaqme pjesëmarrje delegacioneve të ndryshme duke përfshi edhe të drejtën e replikës. Kjo nuk e zgjidh çështjen e anëtarësimit por krijon një mekanizëm që i mundëson një pale jo-anëtare të marrë pjesë në mënyrën më substanciale në debatet që e prekin atë drejtpërdrejt.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur Kosova, ndonëse nuk njihet nga vende si Kina, India apo Spanja, zhvillon tregti të rregullt me to dhe është pjesë e sistemit ndërkombëtar të qarkullimit të mallrave, pagesave dhe procedurave doganore. Vetëm Kina përbën mbi një të dhjetën e importeve të Kosovës. Pra, mosnjohja politike nuk e ka penguar ndërveprimin ekonomik dhe juridik në praktikë; megjithatë, në OKB statusi politik vazhdon t’i mohojë Kosovës edhe mundësinë për t’iu përgjigjur akuzave që bëhen ndaj saj.

Anëtarësimi i Kosovës mbetet pre e çështjeve politike nga vetoja e Rusisë dhe Kinës në KS të OKB-së dhe jo nga kriteret e së drejtës ndërkombëtare. Kjo çështje atëherë me të drejtë ngre nevojën për reforma të organizatës.

Një test për reformën e OKB-së

Në fjalimin para AP të OKB-së, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kërkoi reformimin e Kombeve të Bashkuara me argumentin se ky institucion nuk po arrin të përmbushë misionin e saj për të cilën është krijuar. Një debat i tillë nuk është shumë i ri, por që më shumë është zhvilluar në qarqet akademike se sa ato politike.

Debati për reformën e OKB-së zakonisht përqendrohet te vetoja, përbërja e Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësimi i fuqive në zhvillim. Çështja e vetos është pjesa ku Rusia kundërshton më së shumti e cila njëherësh është edhe kundërshtari kryesor i anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe përsëri edhe kësaj radhe bëri deklarata kundër Kosovës në lidhje me kartën e OKB-sëdhe Rezolutën 1244 që bien ndesh me konstatimin e GJND-së.

Në kuadër të kësaj kërkese për reformë duhet shtuar edhe një problem themelor procedural se kush ka të drejtë të flas kur është objekt i drejtpërdrejt i debatit apo fjalimit të ndonjë shteti.

Një reformë e tillë nuk do të kërkonte që statusi i anëtarësimit dhe e drejta për t’u dëgjuar të trajtoheshin si e njëjta çështje. Përkundrazi, OKB-ja mund të përcaktojë një standard procedural sipas të cilit çdo palë që bëhet objekt i drejtpërdrejtë i akuzave në Asamblenë e Përgjithshme të ketë mundësi të japë një përgjigje, pavarësisht nëse gëzon apo jo statusin e anëtarit të plotë. Kjo do ta ndante çështjen e statusit politik nga nevoja elementare për një debat të drejtë institucional.

Në të njëjtën kohë, reforma nuk duhet ta anashkalojë problemin e anëtarësimit. Kur pranimi i një shteti varet nga rekomandimi i Këshillit të Sigurimit, vetoja e fuqive të përhershme mund ta shndërrojë një çështje të përfaqësimit ndërkombëtar në peng të rivaliteteve gjeopolitike. Rasti i Kosovës tregon se pasojat e këtij bllokimi nuk kufizohen vetëm te mungesa e ulëses në OKB, por ndikojnë edhe në aftësinë për të marrë pjesë në debatin ku diskutohet drejtpërdrejt për të.

Prandaj, reforma duhet të ecë në dy drejtime paralelisht: të rishikojë mënyrën se si bllokimet politike ndikojnë në procesin e anëtarësimit dhe, deri atëherë, të krijojë një të drejtë procedurale të qartë për përgjigje. Kjo do ta kthente çështjen nga një privilegj i statusit në një standard të drejtësisë institucionale.

Të fundit nga rubrika