FAZ raportoi së fundmi mbi një eksperiment të Institutit të Frankfurtit për Kërkime Sociale, rezultatet e të cilit u mbajtën të mbyllura për dekada të tëra. Në vitin 1950, studiuesit e institutit pyetën rreth 1,600 gjermanë perëndimorë mesatarë rreth pikëpamjeve të tyre mbi Nacional-Socializmin dhe shfarosjen e hebrenjve. Ata i lanë njerëzit të flisnin lirisht. Duke vepruar kështu, shumë nga gjermanët gjoja të “denazifikuar” zbuluan një vazhdimësi kaq alarmuese të pikëpamjeve raciste, antisemite dhe autoritare, saqë drejtori i institutit, Theodor Adorno, vendosi të mos i publikonte rezultatet e plota të studimit. A ishin ndoshta pesë vjet shumë pak kohë për të fshirë propagandën naziste nga kokat e njerëzve? Një vështrim në ekspozitën e vitit 1995 “Krimet e Wehrmacht-it” është i dobishëm këtu. Protestat kundër ekspozitës, e cila ishte pjesërisht e gabuar në fillim, ishin të ashpra. Edhe gjysmë shekulli pas përfundimit të luftës, shumë gjermanë ende nuk ishin të përgatitur të vinin në dyshim legjendën e “Wehrmacht-it të pastër”.
Në Ballkan, dy ngjarje të kohëve të fundit kanë dhënë shembuj të mëtejshëm se sa e vështirë e kanë shoqëritë të vënë në pikëpyetje narrativat rreth të kaluarës së tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për anët e errëta të asaj të kaluare. Mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e kriminelit të luftës Ratko Mladiç në Beograd dhe e festuan kryekryesin e gjenocidit të Srebrenicës si hero. Pak më shumë se një javë më vonë, një shumicë e madhe e shqiptarëve të Kosovës reaguan me indinjatë ndaj dënimit të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me 25 vjet burg për krime lufte.
Zemërimi i kosovarëve është pjesërisht i kuptueshëm. Nëse vendimi mbështetet në apel, Thaçi është përgjegjës për rreth 300 raste torturash dhe pothuajse 100 vrasje. Këto akte janë të shëmtuara dhe të neveritshme. Por megjithatë përfundimi nuk duhet të jetë: “Në Ballkan, të gjithë janë njësoj”. Sepse ka dallime të rëndësishme midis Mladiçit dhe Thaçit, edhe nëse nacionalistëve serbë u pëlqen ta shpërfillin këtë si relativizim.
Mlladiç është përgjegjës për vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve. Në rastin e Thaçit, nëse ai dënohet me efekt përfundimtar, numri i viktimave do të jetë mezi një e qindta e kësaj shume. Ende e tmerrshme. Por jo e njëjta gjë. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ose UÇK, që udhëhoqi Thaçi, nuk kreu kurrë asgjë as edhe përafërsisht të krahasueshme me Srebrenicën. Në të kundërt, në Kosovë pati Srebrenicë të panumërta të vogla të kryera nga serbët kundër shqiptarëve, për shembull në fshatrat Meja dhe Korenicë, ku forcat serbe masakruan qindra shqiptarë katolikë.
Pastaj është kronologjia. Mladiçi kreu krimet e tij në një luftë që e kishin nisur Beogradi dhe serbët. UÇK-ja e Thaçit ishte një reagim ndaj viteve të padrejtësisë sistematike dhe shtetërore nga ana e serbëve kundër popullsisë shumicë shqiptare në Kosovë. Megjithatë, tani thirret edhe shoqëria kosovare. Krimet e UÇK-së ndodhën. Mohimi i tyre duke treguar krime më të mëdha serbe nuk mund të jetë një rrugëdalje. Të paktën i dyshuari si kriminel lufte Thaçi u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij nga burgu të qëndrojnë të qetë.