Nuk na duhet një krizë e re

Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për institucione që punojnë. Ka nevojë për qartësi politike dhe përgatitje serioze për betejën juridike që po zhvillohet në Hagë. Rasti i krerëve të UÇK’së kërkon seriozitet. Ka nevojë për një diplomaci që e shpjegon pozicionin e saj me argumente dhe jo vetëm me deklarata. Vendi duhet të jetë i përgatitur politikisht dhe institucionalisht për çdo zhvillim.

Kosova ka hyrë në një javë vendimtare jo veç për shkak të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por edhe për shkak të situatës së rëndë politike dhe juridike që është krijuar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të hënën Kuvendi miratoi me 99 vota një deklaratë lidhur me aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK’së, duke shprehur shqetësim të thellë dhe duke kërkuar veprim të koordinuar në planin juridik, institucional dhe diplomatik. Ky është një qëndrim politik i Kuvendit. Nuk është vendim gjyqësor, nuk e ndryshon aktgjykimin dhe nuk mund të zëvendësojë argumentet juridike që duhet të paraqiten para gjykatës së Apelit. Pikërisht këtu fillon përgjegjësia e shtetit. Sepse një deklaratë, sado e fuqishme të jetë politikisht, nuk mjafton.

Nëse Kosova dëshiron të mbrojë në mënyrë serioze luftën dhe trashëgiminë e UÇK’së dhe të drejtat e atyre që ndodhen në Hagë, atëherë duhet të ketë një qasje shumë më të organizuar. Rasti duhet të përgatitet me seriozitet maksimal për Apelin, duke mobilizuar kapacitetet më të mira juridike. Po ashtu, nevojitet koordinim institucional, argumente, prova dhe strategji, si dhe një qasje politike që e kupton dallimin ndërmjet deklaratave politike dhe betejës juridike.

Aktgjykimi i 16 shtatorit nuk është i formës së prerë dhe ende ekziston hapësirë e rëndësishme ku mbrojtja duhet të bëjë gjithçka që është juridikisht e mundur. Por, për këtë, Kosovës i duhet shtet funksional.

Të hënën partitë politike arritën të bashkohen rreth një deklarate. Pra, u dëshmua që është e mundur të gjendet një gjuhë e përbashkët. Por, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit, ende nuk po gjendet një emër.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Kjo do të thotë se kanë mbetur vetëm edhe disa ditë afat, por skena politike vazhdon të sillet sikur Kosova të ketë kohë të pafund.

Pas një periudhe të gjatë bllokade institucionale, pas zgjedhjeve, pas konstituimit të vonuar të Kuvendit dhe pas formimit të Qeverisë, vendi nuk mund të përballojë edhe një krizë tjetër politike. Sidomos tani, kur përballë Kosovës qëndron një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në Gjykatën Speciale.

Presidenti nuk është dekor i shtetit. Nuk është pozitë për t’u përdorur si monedhë këmbimi ndërmjet partive. Nuk është shpërblim për ndonjë subjekt politik. Është institucion kushtetues.

Prandaj, nëse ekziston një mundësi reale për marrëveshje politike rreth një kandidati që mund të marrë votat e nevojshme, partitë kanë detyrim të ulen dhe të merren vesh. Jo për shkak të njëri-tjetrit. Për shkak të shtetit.

 

* * *

 

Një dështim tjetër për ta zgjedhur presidentin mund ta çojë vendin sërish drejt zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, pyetja nuk do të jetë vetëm se kush fitoi e kush humbi politikisht, por pse u dërgua Kosova edhe një herë në zgjedhje kur kishte mundësi që institucionet të funksiononin? Kjo do të ishte papërgjegjësi e madhe politike.

Kosova nuk ka nevojë për një tjetër garë elektorale, por ka nevojë për institucione që punojnë. Ka nevojë për qartësi politike. Ka nevojë për përgatitje serioze për betejën juridike që po zhvillohet në Hagë. Ka nevojë për një diplomaci që e shpjegon pozicionin e saj me argumente dhe jo vetëm me deklarata. Ka nevojë për një shtet që është në gjendje të veprojë.

Në këtë kuptim, 6 tetori nuk duhet parë vetëm si një datë kalendarike, por si një test. Test për Vetëvendosjen dhe partitë opozitare. Test për të gjithë deputetët që kanë mandat qytetar. Është test nëse politika kosovare është në gjendje të vendosë interesin institucional mbi kalkulimet partiake.

Nëse partitë kanë mundur të pajtohen për një deklaratë të përbashkët për Gjykatën Speciale, atëherë duhet të jenë në gjendje të gjejnë edhe një zgjidhje për presidentin. Mund të mos pajtohen për shumë gjëra. Mund të kenë dallime të thella. Mund të kenë interesa të ndryshme elektorale. Por shteti nuk mund të mbahet peng i këtyre dallimeve.

Rasti i krerëve të UÇK’së kërkon seriozitet. Apeli kërkon punë juridike, jo emocione. Kosova duhet të jetë e përgatitur politikisht dhe institucionalisht për çdo zhvillim. Për këtë arsye, sot nuk ka luks për një krizë të re.

Një deklaratë parlamentare mund të jetë një sinjal politik. Por ajo duhet të pasohet nga veprime konkrete. Veprimi i parë është i qartë: Kosova duhet ta zgjedh presidentin. Ka mbetur edhe një javë. Nëse politika nuk është në gjendje të gjejë një marrëveshje brenda kësaj kohe, atëherë nuk mund të fshihet pas arsyetimeve të zakonshme. Shteti nuk mund të presë pafundësisht që partitë të merren vesh. Dhe Kosova, në këtë moment, ka nevojë pikërisht për një gjë: që politika të sillet si shtet.

Të fundit nga rubrika