Deformimi i vullnetit të serbëve të Kosovës nga autoritetet në Serbi dhe Lista Serbe 

Edhe pse asnjë nga partitë shqiptare nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë, në tavolinë janë disa opsione të mundshme. Megjithatë, një ndër faktorët kyç mbetet Lista Serbe, që është më shumë një organizatë parapolitike që shtyn përpara agjenda serbo-ruse sesa si një subjekt politik që i shërben qytetarëve të pakicës serbe. 

Në zgjedhjet e 9 shkurtit në Republikën e Kosovës garuan gjithsej gjashtë parti serbe. Përveç Listës Serbe, në garë ishin edhe: 

Srpska Demokratija (Demokracia Serbe), e udhëhequr nga Aleksandar Arsenijević, e njohur për protestat dhe aktivizmin politik, veçanërisht në muajt e fundit gjatë protestave për vendimet e autoriteteve të Kosovës. 

Srpski Narodni Pokret (Lëvizja Popullore Serbe), e drejtuar nga Branimir Stojanović, ish-anëtar i Listës Serbe, ish-kryetar i Graçanicës dhe ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, i cili kandidoi i pavarur në zgjedhjet e vitit 2021 dhe që atëherë ka qenë në opozitë. 

Za Slobodu, Pravdu i Opstanak (Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë)e udhëhequr nga Nenad Rashiq, Ministër në Qeverinë e Kosovës. 

Milija Biševac, parti e përbashkët e themeluar në Zubin Potok në vitin 2023. 

Partija Kosovskih Srba (Partia e Serbëve të Kosovës), e drejtuar nga Aleksandar Jabllanović, ish-lideri i Listës Serbe.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe fillimi i ndërtimit të institucioneve demokratike, komuniteti serb ka qenë subjekt i një presioni të vazhdueshëm nga autoritetet në Beograd dhe vegla e tyre politike në Kosovë, Lista Serbe. Ky presion ka çuar në deformimin e vullnetit të lirë të serbëve, duke i shndërruar ata në një mjet të politikave destabilizuese të Serbisë në rajon. 

Lista Serbe, e cila u krijua me mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë serbe, nuk përfaqëson vullnetin real të serbëve të Kosovës, por interesat e Beogradit. Kjo parti ka funksionuar si një mjet i instrumentalizimit politik, duke ndjekur verbërisht direktivat e Aleksandër Vuçiqit dhe strukturave të tij shtetërore. Çdo përpjekje për pluralizëm politik brenda komunitetit serb është shtypur me anë të kërcënimeve, shantazhit, përjashtimit nga skenat politike dhe ekonomike, e deri tek vrasja e oponentëve politik, siç ishte rasti i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç në vitin 2018. 

Lista Serbe dhe autoritetet serbe kanë përdorur një sërë metodash për të ushtruar presion dhe shantazh ndaj serbëve në Kosovë, me qëllim që t’i detyrojnë ata të mbështesin Listën Serbe. Këto metoda përfshijnë: 

Kërcënime për humbjen e vendeve të punës: Individët që shprehin mbështetje për parti të tjera ose që refuzojnë të mbështesin Listën Serbe janë kërcënuar me largim nga pozicionet e tyre të punës. 

Shantazh ndaj familjarëve: Presionet nuk kufizohen vetëm te individët, por shtrihen edhe te anëtarët e familjeve të tyre, duke përfshirë kërcënime për sigurinë dhe mirëqenien e tyre. 

Presion psikologjik dhe social: Krijimi i një atmosfere frike dhe intimidimi në komunitetet serbe, ku individët që nuk mbështesin Listën Serbe stigmatizohen dhe izolohen socialisht. 

Kontroll mbi mediat lokale: Përdorimi i mediave për të përhapur propagandë pro-Listës Serbe dhe për të diskredituar partitë dhe individët opozitarë. 

Manipulimi i resurseve shtetërore: Shfrytëzimi i burimeve dhe institucioneve shtetërore për të favorizuar Listën Serbe, duke përfshirë ndarjen selektive të ndihmave dhe përfitimeve të tjera. 

Raporti i fundit i Misionit të Vëzhguesve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë ka evidentuar disa shqetësime lidhur me presionet dhe shantazhet ndaj popullsisë serbe për të votuar Listën Serbe. Shefja e Misionit Nathalie Loiseau, deputete e Parlamentit Evropian, prezantoi gjetjet paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.Në raportin e publikuar, bëhet e ditur se shteti serb ka bërë presion mbi votuesit serbë që të votojnë Listën Serbe. Madje, presioni është bërë edhe tek votuesit që varen nga ndihma sociale, transmeton Telegrafi. 

Sipas raportit, shteti serb dhe presidenti Aleksandar Vuçiq kanë ushtruar presion mbi votuesit serbë, veçanërisht ata që varen nga ndihmat sociale ose janë të punësuar në institucionet e menaxhuara nga Serbia në komunat serbe të Kosovës. Për shembull, më 3 shkurt, drejtori i Zyrës për Kosovën njoftoi se do të shpërndahen 22,000 dinarë serbë (rreth 170 euro) në muaj për personat në gjendje të vështirë sociale dhe të papunë, duke filluar me 5,000 përfitues që do t’i marrin këto ndihma në mes të shkurtit. 

Raporti gjithashtu vëren se Lista Serbe ka dominuar jetën politike të serbëve të Kosovës, duke kufizuar hapësirën për partitë e tjera serbe dhe duke ushtruar presion ndaj votuesve dhe kandidatëve që nuk i përkasin kësaj partie. Kjo ka rezultuar në një konkurrencë të kufizuar politike në komunat me shumicë serbe, duke ndikuar negativisht në pluralizmin politik dhe mundësitë e votuesve për të bërë zgjedhje të informuara. 

Në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të mbajtura më 9 shkurt 2025, shteti serb ndërmori masa të organizuara për të transportuar serbët e zhvendosur nga Kosova, që jetonin në Serbi, drejt qendrave të votimit në Kosovë, me qëllim mbështetjen e Listës Serbe. Komisariati për Refugjatë dhe Migrim i Republikës së Serbisë lëshoi një thirrje më 17 janar 2025, duke ftuar personat e zhvendosur të regjistroheshin për të votuar dhe premtoi organizimin e transportit falas me autobus drejt vendvotimeve në Kosovë. Afati për aplikim ishte deri më 8 shkurt 2025. 

Këto masa synonin të siguronin pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhje dhe mbështetje për Listën Serbe, e cila gëzon përkrahje të plotë nga Beogradi zyrtar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përshkroi rezultatin e zgjedhjeve si një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë”, duke theksuar përkushtimin e popullit serb për të ruajtur vatrat e tyre dhe për t’u mbështetur te Serbi 

Megjithatë, këto veprime u kritikuan nga subjekte të tjera politike serbe në Kosovë, të cilat argumentuan se ndërhyrja e Beogradit dhe presionet ndaj votuesve kufizuan pluralizmin politik dhe mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në komunat me shumicë serbe. 

Lidhur me ndikimin e autoriteteve serbe dhe veglës së tyre Lista serbe mbi serbet e Kosovës, Nenad Rashiq, lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka kritikuar ashpër ndikimin e Serbisë dhe kërcënimet e Listës Serbe ndaj serbëve të Kosovës. Ai ka denoncuar presionet dhe shantazhet që ushtrohen ndaj serbëve që mbështesin partinë e tij, duke përfshirë kërcënime, përjashtime nga puna dhe dëmtime të pronës. Për shembull, bashkëpunimi me Rashiqin u ka kushtuar disa serbëve me përjashtim nga puna dhe kërcënime të ndryshme. 

Rashiq ka theksuar se Lista Serbe po përpiqet të manipulojë procesin zgjedhor duke importuar vota nga Serbia dhe duke ofruar shuma të mëdha parash për të anuluar votat e kundërshtarëve politikë. Ai ka deklaruar se gjysma e votave të Listës Serbe janë të importuara nga Serbia, duke vënë në dukje ndërhyrjen e Beogradit në procesin zgjedhor të Kosovës. 

Në një intervistë, Rashiq ka theksuar se Lista Serbe po ofron shuma marramendëse për të anuluar votat e kundërshtarëve politikë, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të penguar pluralizmin politik ndër serbët e Kosovës. 

Për më tepër, Rashiq ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e Beogradit në çështjet e brendshme të serbëve të Kosovës, duke e cilësuar atë si agresive dhe pengesë për zhvillimin e kapaciteteve politike të serbëve lokalë. Ai ka theksuar se Beogradi përpiqet të shtypë çdo mendim autentik dhe iniciativë që mund të jetë në dobi të komunitetit serb në Kosovë. 

Në përgjithësi, Rashiq ka bërë thirrje për mbështetje të serbëve të Kosovës që të kundërshtojnë presionet dhe kërcënimet, dhe të angazhohen për një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë që respekton vullnetin e tyre të lirë. 

Presidenti serb Aleksander Vuçiç, prej kohësh po përballet me protesta masive të studenteve dhe opozitës në Serbi. Për të minimizuar këto protesta, ai shpesh përdor narrativën se serbët në Kosovë po persekutohen nga qeveria e Kosovës. Ai madje organizoi një grup studentësh serbë nga Kosova për t’i bërë thirrje studentëve në Serbi që të ndalnin protestat. 

Një nga njerëzit e afërt të Vuçiqit, drejtori i përgjithshëm i Postës së Serbisë, Zoran Andjelković, deklaroi: “Serbët nga Kosova, duke votuar për Listën Serbe, u kanë dërguar mesazh edhe bllokuesve të rrugëve në Serbi dhe opozitës. Studentët nga Kosova u shkruan studentëve protestues në Serbi duke i lutur që të mos vepronin kundër politikave të Beogradit.” 

Lista serbe de facto akoma qeveriset nga terroristi Milan Radoiçiç, edhe pse ai nuk gjindet në Kosovë, Lista Serbe vazhdon të drejtohet sipas direktivave të tij. Gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai ka bërë përpjekje përmes njerëzve të tij, që të kërcënoi e të frikësoi qoftë oponentët politik të Listës Serbe, qoftë qytetarët serb të cilët nuk kishin simpati për këtë subjekt politik. 

Gjatë protestave masive të studentëve në Serbi kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiç, janë shfaqur shqetësime për përfshirjen e Milan Radoiçiç në frikësimin e protestuesve. Liderët e opozitës kanë akuzuar administratën e Vuçiçit për manipulime zgjedhore dhe kanë shprehur 

frikën se presidenti po planifikon të shndërrojë protestat në të dhunshme duke infiltruar huliganë dhe ushtarë të lidhur me Radoiçiçin. Dragan Djilas, kryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi, deklaroi: “Ne e dimë se po përgatitni 200 njerëz të Milan Radoiçiçit të veshur me të njëjtat rroba kamuflazhi. Mos e bëni këtë.” 

Milan Radoiçiç është një biznesmen dhe politikan serb nga Kosova, i njohur për përfshirjen e tij në krim të organizuar dhe veprime të dhunshme. Në shtator të vitit 2023, ai udhëhoqi një grup të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke rezultuar në vdekjen e tre militantëve serbë dhe një oficeri policie kosovare. Pas këtij incidenti, Radoiçiç dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe dhe u akuzua në mungesë nga prokurorët kosovarë për veprimtari terroriste dhe pastrim parash. 

Përfshirja e mundshme e Radoiçiçit në frikësimin e protestuesve ka ngritur shqetësime për përdorimin e grupeve të dhunshme për të shtypur opozitën dhe për të manipuluar opinionin publik në Serbi. 

Rezultati zgjedhor në zgjedhjet e 9 shkurtit tregoi se ky presion dhe shantazh nga ana e autoriteteve serbe dhe instrumentit të tyre Lista Serbe kishte sukses. Lista serbe mori 4.55% të votive apo 38083 vota të komunitetit serb. Duke fituar kshtu pothuajse të gjithë deputetët e rezervuar për komunitetin serb. 

Për të çliruar komunitetin serb nga kontrolli i Beogradit, është e nevojshme që të inkurajohen iniciativa të pavarura politike dhe shoqërore brenda vetë komunitetit serb në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës duhet të ofrojnë garanci për mbrojtjen e atyre që guxojnë të dalin kundër narrativës së Listës Serbe dhe të ndihmojnë në krijimin e një përfaqësimi autentik të serbëve në institucionet vendore. 

Nëse vullneti i serbëve të Kosovës vazhdon të deformohet nga Beogradi, atëherë komuniteti serb nuk do të jetë kurrë në gjendje të marrë vendime të lira dhe demokratike për të ardhmen e tij. Për ta ndryshuar këtë realitet, duhet të ndërpritet ndikimi i Serbisë dhe të mbështeten ata serbë që kërkojnë të jenë pjesë e një të ardhmeje të përbashkët në Kosovë. 

Përballë presionit të autoriteteve serbe mbi serbët e Kosovës dhe përdorimit të Listës Serbe si mjet politik nga presidenti Vuçiq, forcat politike shqiptare duhet të veprojnë të bashkuara. Duke tejkaluar përçarjet dhe interesat partiake, ato duhet të angazhohen për të izoluar ndikimin serb dhe për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës. 

Partitë shqiptare nuk duhet ta llogarisin më Listën Serbe si një partner të besueshëm për qeverisje, për shkak të zhvillimeve të fundit, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku, dhe incidentin në Ibër-Lepenc. Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, ka qenë lokomotiva kryesore e shantazheve ndaj shtetit të Kosovës. 

Për të ruajtur stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës, është thelbësore që partitë shqiptare të ndërtojnë një platformë të përbashkët strategjike kundër ndikimit serb. Kjo duhet të përfshijë 

reforma ligjore për të parandaluar ndërhyrjet nga Serbia, angazhimin e fuqishëm në diplomaci për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare dhe krijimin e politikave gjithëpërfshirëse për integrimin e serbëve që duan të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. 

Jeton Brajshori është Drejtor i Institutit Kritikos. Ai është PhD cand. i sociologjisë dhe ligjërues në Kolegjin AAB.

Të fundit nga rubrika