Kosova në kryqëzimin e krizave globale: Nevoja për bashkim politik dhe rezistencë ekonomike

Në një epokë të thellë ndryshimesh ekonomike dhe politike, shumë shtete përballen me pasiguri të paparë nga aleancat në ndryshim, konfliktet tregtare dhe reformat gjeopolitike. Tarifave të vendosura nga Presidenti Trump nën parullën “America First”; Kina, Bashkimi Evropian dhe ekonomitë e tjera botërore iu përgjigjën me masa reciproke. Kjo nxiti një valë reagimesh që rrezikojnë të prishin sistemin tregtar, që ka mbështetur rritjen globale për dekada.

Për ekonomitë e vogla dhe në zhvillim si Kosova—që përballen me sfida në ndërtimin e shtetit, njohje të kufizuar diplomatike dhe institucione të brishta—këto lëkundje globale mund të përkeqësojnë rrënjësisht dobësitë ekzistuese.

Ekonomia Kosovare, që mbështetet kryesisht në importe, remitanca nga Diaspora dhe ndihma të huaja, është e ekspozuar ndaj prishjeve të zinxhirit të furnizimit, uljes së investimeve të huaja, dhe qasjes të kufizuar në tregje. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk ka propozuar ende një strategji të qartë për të mbrojtur ekonominë dhe qytetarët nga këto zhvillime të jashtme. Veprime proaktive—zgjerimi i partneriteteve tregtare, nxitja e prodhimit të brendshëm, sigurimi i marrëveshjeve rajonale dhe negociatat për masa mbrojtëse me aleatët—janë urgjente për të zbutur efektet zinxhirore të paqëndrueshmërisë globale.

Nga ana tjetër tensionet politike, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe në rajon, përforcojnë këto rreziqe ekonomike. Rritja e nacionalizmit, dobësimi i normave demokratike dhe konfliktet ndërmjet fuqive të mëdha kanë krijuar një klimë të paqëndrueshmërisë.

Në nivel rajonal, Serbia—kundërshtarja më e madhe e shtetit të Kosovës—është përfshirë në protesta të brendshme kundër qeverisë së Presidentit Vuçiç për dyshime autoritare dhe korrupsion. Pavarësisht trazirave të brendshme, Serbia mbetet e bashkuar në armiqësinë kundër Kosovës, duke shfrytëzuar retorikën anti-Kosovë për të shpërqendruar vëmendjen nga krizat vendase. Ky antagonizëm minon sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e saj Euro-Atlantik dhe nxit tensione etnike në veri të vendit, duke bllokuar bashkëpunimin rajonal dhe duke e mbajtur Ballkanin Perëndimor si një rajon të izoluar në një cikël të paqëndrueshëm.

Një element kyç për përballimin e këtyre sfidave është komunikimi i qartë dhe i koordinuar—si me qytetarëve tanë, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë. Qeveria dhe udhëheqësit politikë duhet të jenë transparent mbi masat e ndërmarra, të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të forcojnë besimin përmes dialogut të vazhdueshëm. Për faktorin e jashtëm, Kosovës i duhet një diplomaci e qëndrueshme dhe e harmonizuar me aleatët tanë Evropianë dhe Amerikanë, që do të ndihmojë në sigurimin e mbështetjes politike dhe ekonomike që na nevojitet. Vetëm duke kombinuar një komunikim efektiv me masa të guximshme, Kosova mund të rrisë kredibilitetin e saj ndërkombëtar dhe të mobilizojë burimet e nevojshme për të siguruar stabilitet dhe prosperitet afatgjatë.

Udhëheqësit e Kosovës përballen tani me një zgjedhje të veçantë: të ndjekin interesa të ngushta partiake apo të bashkohen për të mbrojtur interesat kombëtare. Vitet e grindjeve politike, skandaleve të korrupsionit dhe politikave afatshkurtra kanë dëmtuar besimin e qytetarëve dhe kanë dobësuar institucionet e vendit. Për të thyer këtë cikël, Kosova ka nevojë për një Qeveri të Unitetit Kombëtar—që kalon përtej egove dhe linjave partiake, dhe të udhëhiqet nga ekonomistë, diplomatë dhe ekspertë të menaxhimit të krizave, të fokusuar në reforma të bazuara realitetin e ri.

Këto nuk janë kohë të zakonshme, dhe masat e zakonshme nuk do të mjaftojnë. Udhëheqësit e Kosovës duhet të gjejnë guximin për të zbatuar reforma të vështira, por të domosdoshme—rregullimin e shpenzimeve publike, luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Historia do të gjykojë këtë brez udhëheqësish jo nga retorika, por nga veprat e tyre. Kostoja e veprimit të ngadaltë apo të gabuar, do të jetë shumë e lartë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

…..

MSc. Armend Susuri, ekspert për komunikim

Të fundit nga rubrika