Ka diçka thellësisht shqetësuese në qetësinë me të cilën liderët politikë flasin për mundësinë e zgjedhjeve të reja. Sikur organizimi i tyre të mos kushtonte miliona euro. Sikur vendi të mos humbte muaj të tërë pa institucione funksionale. Sikur ekonomia, investimet, administrata publike dhe vetë besimi i qytetarëve në demokraci të mos dëmtoheshin nga ky cikël i pafund i krizave të prodhuara artificialisht.
Për partitë politike, zgjedhjet janë bërë një lloj strategjie daljeje. Kur nuk arrijnë të ndërtojnë shumicë, kur nuk dinë ose nuk duan të bashkëpunojnë, kur interesat partiake mbizotërojnë mbi interesin publik, atëherë zgjidhja më e lehtë është: të shkojmë sërish në zgjedhje. Jo sepse qytetarët e kërkojnë këtë, por sepse partitë nuk janë në gjendje të bëjnë atë për të cilën janë votuar.
Është paradoksale që ata që kërkojnë besimin e qytetarëve çdo katër vjet janë pikërisht ata që e zhvlerësojnë votën sapo rezultati nuk u përshtatet. Në vend që të kërkojnë kompromis, dialog dhe marrëveshje, ata preferojnë përplasjen. Në vend që të ndërtojnë institucione stabile, ndërtojnë narrativa fajësimi. Në vend që të qeverisin, merren me fushatë të përhershme.
Sulmet e ndërsjella janë bërë po aq të zakonshme sa edhe deklaratat për përgjegjësi institucionale. Njëra palë e quan tjetrën tradhtare, pala tjetër e akuzon për kapje të shtetit. Fjalori politik është mbushur me etiketime, akuza dhe fyerje, ndërsa mungojnë idetë, projektet dhe gatishmëria për të ndërtuar ura bashkëpunimi. Çdo ditë e kaluar pa institucione është një ditë më shumë në të cilën qytetarët presin shërbime, bizneset presin vendime, investitorët presin siguri, ndërsa shteti pret të funksionojë.
Në fund të fundit, askush nga politikanët nuk mbetet pa pagë. Askush nuk rrezikon vendin e punës. Askush nuk e ndien drejtpërdrejt pasojën e bllokadës që vetë e prodhon. Ata vazhdojnë konferencat për media, udhëtimet, debatet televizive dhe përplasjet në rrjetet sociale. Ndërkohë, qytetari vazhdon të presë dokumente, projekte, investime, reforma dhe shpresë. Kjo vetëkënaqësi është bërë ndoshta problemi më i madh i politikës kosovare. Nuk ka më as ndjenjë urgjence, as turp për dështimin. Përkundrazi, çdo krizë shfrytëzohet për marketing politik. Çdo bllokadë interpretohet si fitore propagandistike. Çdo dështim justifikohet me fajin e dikujt tjetër.
* * *
Askush nuk pyet se çfarë humb Kosova gjatë gjithë kësaj kohe. Humb mundësi zhvillimi, besueshmëri ndërkombëtare, investime, energji shoqërore. Humb besimin e të rinjve se ky vend mund të funksionojë normalisht. Dhe kur humb besimi, humb shumë më tepër sesa një mandat qeverisës.
Është bërë pothuajse e zakonshme që çdo krizë të përfundojë me diskutimin për zgjedhje të reja. Sikur demokracia të reduktohej vetëm në procesin e votimit. Por demokracia nuk përfundon ditën kur numërohen votat. Ajo fillon pikërisht atëherë. Fillon me përgjegjësinë për të ndërtuar institucione, për të respektuar vullnetin qytetar dhe për të gjetur zgjidhje edhe kur ato janë të vështira. Kompromisi nuk është dobësi. Në demokraci, ai është domosdoshmëri. Askush nuk fiton gjithçka dhe askush nuk humb gjithçka. Pikërisht për këtë ekziston politika. Jo për të prodhuar kriza, por për t’i zgjidhur ato. Jo për të mbajtur peng shtetin, por për ta bërë atë funksional.
Fatkeqësisht, në Kosovë kompromisi është shndërruar në fjalë të ndaluar. Çdo lëshim interpretohet si tradhti. Çdo bashkëpunim si dorëzim. Kështu, partitë vazhdojnë të flasin vetëm me elektoratet e tyre, duke harruar se qeverisja bëhet për të gjithë qytetarët. Ndërkohë, njerëzit kanë halle shumë më konkrete sesa kalkulimet partiake. Ata përballen me çmime të larta, me pasiguri ekonomike, me mungesë perspektive dhe me largimin e vazhdueshëm të të rinjve. Ata nuk zgjohen çdo mëngjes duke menduar se kush fitoi debatin politik të mbrëmshëm, por duan institucione që marrin vendime, shtet që funksionon dhe politikë që prodhon zgjidhje.
Politikanët mund të vazhdojnë të sillen sikur koha nuk ka rëndësi. Mund të vazhdojnë të kërcënojnë me zgjedhje të reja sa herë nuk u ecën matematika parlamentare. Mund të vazhdojnë ta ushqejnë klimën e konfliktit të përhershëm. Por dëmi nuk është abstrakt. Ai matet me muaj të humbur, me projekte të vonuara, me investime të munguara dhe me qytetarë që e humbin çdo ditë e më shumë besimin te shteti.
Kosova nuk ka mungesë zgjedhjesh. Ka mungesë përgjegjësie politike. Nuk ka mungesë votash. Ka mungesë vullneti për të respektuar rezultatin e tyre. Dhe nuk ka mungesë deklaratash patriotike, por ka mungesë serioziteti për ta vendosur interesin e qytetarëve mbi interesin partiak.
Derisa kjo logjikë të mos ndryshojë, çdo krizë do të prodhojë një krizë tjetër, çdo bllokadë do të justifikojë bllokadën pasuese dhe çdo zgjedhje e re do të shitet si zgjidhje, ndonëse është vetëm vazhdim i të njëjtit problem. Në fund, politika do të vazhdojë të jetë e vetëkënaqur me lojërat e saj, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë çmimin e një papërgjegjësie që nuk e kanë zgjedhur kurrë.