Milani përballet me Interin për Superkupën 3 javë përpara derbit të Serisë A

Superkupa e Italisë mes AC Milan dhe Inter Milan duhet të shërbejë si meze për pjatën kryesore muajin e ardhshëm

Derbi Italian

Ndeshja për Superkupën e Italisë ndërmjet Milanit dhe Interit duhet të shërbejë si “meze për pjatën kryesore” të muajit të ardhshëm.

Rivalët e qytetit përballen në stadiumin “King Fahd” në Riad të Arabisë Saudite, të mërkurën mbrëma, me trofeun e parë të sezonit italian në lojë.

Por skuadrat ka të ngjarë të kenë një sy edhe te ndeshja e tyre në kuadër të Serie A që luhet në “San Siro” më 5 shkurt.

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, është i dyti në ligë me nëntë pikë prapa liderit, Napolit. Ka një pikë më shumë sesa Juventusi e Interi.

Megjithatë, para derbit në kampionat, fokusi do të jetë te Superkupa e Italisë, ndeshje kjo që nis në orën 20:00.

“Është një tjetër trofe që ne mund ta fitojmë”, tha mbrojtësi i Milanit, Sergino Dest, për ndeshjen e së mërkurës.

“Ata e duan këtë trofe aq shumë sa e duam edhe ne. Kështu që ne vetëm duhet të sigurohemi që të tregojmë prej minutës së parë se duam ta fitojmë Superkupën”.

Milani ka pasur paraqitje të dobëta që kur Serie A vazhdoi këtë muaj pas pushimit prej më shumë se shtatë javësh shkaku i Kupës së Botës “Katari 2022”.

Milani e mposhti Salernitanan përpara se ta humbte epërsinë prej dy golave për të barazuar me Romën 2:2. U eliminua nga Kupa e Italisë nga Torino, të mërkurën e shkuar.

Edhe më shqetësuese për trajnerin Stefano Pioli është që “kuqezinjtë” pësuan dy gola në pjesën e parë në Lecce të shtunën, përpara se të rikuperoheshin për të shpëtuar një pikë.

Pioli pret që ekipi i tij të reflektojë në Superkupë ndaj Interit.

Ai ka thënë se tashmë i di shumë mirë pikat e dobëta të kundërshtarit. Kjo do të jetë një ndeshje klasike e futbollit italian, ndërmjet kampionit dhe fituesit të kupës.

“Ne luajmë për trofe dhe përballë kemi rivalin tonë më të madh. Kështu që na duhet një paraqitje e jashtëzakonshme për të triumfuar në Superkupë. Është një ndeshje tejet e rëndësishme dhe nëse e fitojmë këtë trofe atëherë mund ta vazhdojmë rrugën tonë të sukseseve pas titullit të fituar”, ka thënë Pioli të martën në konferencën për shtyp.

“Ajo që ka ndodhur në kampionat kundër Interit nuk llogaritet në këtë ndeshje. Interi është ekip shumë i fortë, i cili gjithmonë na ka shkaktuar probleme. Por, ne e kemi planin tonë. Do ta sulmojmë në pikat e dobëta, të cilat nuk e kam ndërmend t’i zbuloj. Jemi gati për këtë ndeshje dhe sigurisht për ta fituar trofeun i cili ka rëndësi shumë të madhe për ne si kampion të Italisë”.

Milani e ka fituar Superkupën e Italisë shtatë herë, një herë më shumë se Interi. Superkupën e sezonit të shkuar e ka fituar Interi, që synon ta mbajë trofeun pas përballjes me rivalin e përbetuar. Kështu ka insistuar sulmuesi Lautaro Martinez, i cili mbetet rreziku më i madh për Milanin. Martinez ka shënuar në tri ndeshjet e fundit të Interit.

“Superkupa është shumë e rëndësishme për Interin. Ne jemi ekip i madh dhe gjithmonë dalim në fushë për të fituar trofe dhe ndeshjet e forta. Kemi cilësi dhe historia e klubit na obligon për ta fituar këtë trofe. Besoj se do të kthehemi në qytetin e Milanos me trofeun e Superkupës”, tha Martinez.

Interi e ka nisur vitin 2023 shumë më mirë se Milani, ndonëse barazoi 2:2 në udhëtim te Monza. Interi i ka fituar dy ndeshjet e tjera në Serie A, përfshirë këtu ndeshjen ndaj Napolit, për ta rritur edhe më shumë besimin për një sezon të suksesshëm. Interi javën e shkuar e mposhti edhe Parman për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Përderisa Milani pritet të jetë i kompletuar për këtë ndeshje, Interit ka gjasa të mëdha t’i mungojë sulmuesi Romelu Lukaku.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka thënë se belgu ende ndjenë dhimbje edhe pse është stërvitur me ekipin në Riad. Në konferencën për shtyp, Inzaghi ka thënë se ka besim të madh në ekip.

“E kemi parasysh se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Është finale dhe derbi të cilin duhet ta fitojmë patjetër. Jo të gjitha ekipet mund të arrijnë këtu dhe ne duam ta mbrojmë trofeun që e fituam janarin e shkuar pasi e dimë mirë vlerën e tij. Besoj në një paraqitje të mirë dhe sigurisht në fitore ndaj Milanit”, është shprehur Inzaghi.

“Përballë kemi një ekip të fortë, saktësisht kampionin në fuqi dhe nuk do të jetë lehtë. Por, jemi përgatitur mirë për t’u kthyer si fitues në shtëpi”.

Në 18 ndeshje të luajtura deri më tani në Serie A, Interi ka shënuar 38 gola dhe i ka pranuar 14-të. Ndërkohë, skuadra e Milanit ka realizuar 35 gola dhe ka pranuar 15-të.

 

 

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika