Siguria përbën një nga konceptet themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në rajonet ku historia e konflikteve dhe mungesa e besimit ndërmjet aktorëve vazhdojnë të formësojnë zhvillimet politike. Ballkani Perëndimor është një shembull karakteristik i një mjedisi të tillë, ku dinamika e sigurisë nuk mund të kuptohet pa analizuar ndërveprimin kompleks mes faktorëve historikë, politikë e ushtarakë. Në këtë kuadër, rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë gjatë viteve të fundit ka nxitur diskutime të gjera mbi stabilitetin e rajonit dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Instrumentalizimi i ‘dilemës së sigurisë’
Për të kuptuar këtë fenomen është e domosdoshme të rikujtohet korniza teorike e “dilemës së sigurisë”. Sipas Robert Jervis, shpesh, masat eventuale që një shtet ndërmerr për të forcuar sigurinë e vet, në vend që ta ulin rrezikun, përfundojnë duke e rritur pasigurinë në nivel sistemik (Jervis, 1978:169-170). Në këtë kontekst, armatosja e Serbisë nuk mund të trajtohet thjesht si një proces i zakonshëm modernizimi i forcave të armatosura apo për nevoja të sigurisë dhe mbrojtjes, por duhet analizuar si pjesë e një ndërveprimi më kompleks politik dhe strategjik në hapësirën e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në raport me Kosovën në veçanti. Armatosja masive e Serbisë, e shoqëruar me retorikë nacionaliste dhe jo vetëm, konsiderohet kërcënim për një rajon me konflikte të pazgjidhura. Serbia, e cila ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën në kuadër të furnizimit me armatim (Reuters, 13/03/2026), investimet në kapacitete ajrore, sisteme raketore dhe teknologji të avancuar ushtarake, kanë ngjallur një dinamikë të re në këtë drejtim. Ky zhvillim ka implikime të drejtpërdrejta për Kosovën, sidomos në një periudhë të karakterizuar nga rivaliteti i ri gjeopolitik mes Perëndimit dhe Rusisë pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
Nga propaganda serbe, këto investime kornizohen si të domosdoshme për ruajtjen e integritetit territorial dhe forcimin e pozitës së shtetit përballë “rrethimit strategjik” apo rrezikut nga aleanca tripalëshe Kosovë-Shqipëri-Kroaci. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar vazhdimisht se Serbia duhet të ketë “ushtri të fortë” për të “garantuar paqen dhe stabilitetin” (Government of Serbia, 2024). Megjithatë, në kontekstin e marrëdhënieve me Kosovën, deklarata të tilla përceptohen si kërcënuese dhe destabilizuese, duke qenë se lidhen me një histori konflikti të armatosur dhe një marrëdhënie ende të ‘panormalizuar’. Bazuar në mosnjohjen reciproke dhe ndërhyrjet sistematike të Serbisë, këto deklarata në Kosovë interpretohen si pjesë e komunikimit strategjik që manifestojnë qasjen agresive ndaj Kosovës. Një gjë të tillë e dëshmon mbështetja e drejtpërdrejt e grupeve paramilitare që synojnë destabilizimin e vendit, veçanërisht në zonat me ndjeshmëri të lartë si veriu i Kosovës. Në këtë kontekst, qëllimet e Serbisë dhe strategjia e saj destabilizuese, vazhdojnë ta mbajnë rajonin në një gjendje të vazhdueshme brishtësie dhe ekuilibri të paqëndrueshëm, duke penguar konsolidimin afatgjatë të paqes dhe sigurisë.
Kosova përballë fuqizimit ushtarak të Serbisë
Kosova e përcepton fuqizimin ushtarak të Serbisë si kërcënim direkt për sigurinë e saj kombëtare. Kjo lidhet jo vetëm me historinë e luftës së armatosur (1998–1999), por edhe me faktin se Serbia vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës dhe në vazhdimësi përdor retorikë politike dhe veprime destabilizuese për ta sfiduar sovranitetin e saj. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk mund të shihet e ndarë nga veprimet konkrete në terren dhe qasja e saj ndaj Kosovës. Dilema e sigurisë në rajon bëhet edhe më sfiduese kur, forcimi ushtarak, shoqërohet me veprime destabilizuese në veri të Kosovës, përfshirë akte të dhunshme dhe terroriste që synojnë krijimin e pasigurisë dhe tensioneve të vazhdueshme. Këto zhvillime janë në sinkron të plotë me synimet për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar, qoftë përmes fushatave kundër njohjeve apo përpjekjeve për ta bllokuar përfshirjen e saj në organizata ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, armatosja e Serbisë, nuk mund të interpretohet thjesht si masë mbrojtëse, por si pjesë e një strategjie më të gjere që kombinon presionin politik, diplomatik dhe të sigurisë. Kësisoj, Kosova si një faktor i afirmuar i paqes në rajon, gjendet në një pozitë ku nevojat për garanci të forta sigurie bëhen edhe urgjente edhe të domosdoshme. Për këtë arsye, Kosova në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur, ndonëse nuk është një proces i lehtë, duhet të mbetet prioritet strategjik. Anëtarësimi në këtë aleancë do ta reduktonte ndjeshëm hapësirën për destabilizim dhe do ta forconte pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Në një botë të fragmentuar dhe në ndryshim e sipër, paqja dhe siguria nuk janë apriori të garantuara, por ato ndërtohen dhe mbrohen çdo ditë. Në rrethanat aktuale, rritja e kapaciteteve ushtarake dhe integrimi në NATO duhet te jenë përgjigjet tona ndaj Serbisë. Ngjarjet në veri të Kosovës, veçanërisht tensionet e vazhdueshme dhe incidentet e armatosura, kanë rritur përceptimin se Serbia mund të përdorë kapacitetet e saj ushtarake si instrument presioni politik dhe strategjik. Sulmi terrorist në Banjskë (shtator 2023) u konsiderua me të drejtë nga autoritetet kosovare si dëshmi e lidhjes ndërmjet strukturave paramilitare serbe dhe politikave destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës. Dënimi i terroristëve për sulmin në Banjskë përbën një dëshmi të fuqishme se demokracia dhe sundimi i ligjit triumfojnë mbi dhunën dhe terrorin. Disa nga autorët u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm dhe afatgjatë për këtë akt terrorist (Koha Ditore, 24/04/2026). Ky vendim është edhe një dëshmi që tregon se çdo përpjekje për të cenuar vlerat e lirisë e rendin kushtetues do të përballet me drejtësinë, duke dërguar mesazhin se shteti i së drejtës mbetet më i fortë se terrorizmi dhe garant i sigurisë dhe stabilitetit të vendit.Top of Form
Binomi Serbi – Rusi në gjeopolitikën e re rajonale
Një element i rëndësishëm në analizën e militarizimit të Serbisë është ndikimi rus në rajon. Rusia e ka përdorur Serbinë si aleat strategjik në Ballkan për të ruajtur ndikimin e saj politik dhe ushtarak. Sipas Stronski dhe Himes, Moska e shfrytëzon këtë bashkëpunimin ushtarak me Serbinë për të penguar integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor (Stronski&Himes, 2019:6).
Mbështetja e Rusisë për Serbinë në çështjen e Kosovës ka thelluar më tej karakterin strategjik të procesit të armatosjes. Duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke e përdorur këtë rast si precedent në politikën e saj të jashtme, Rusia e ka pozicionuar këtë çështje edhe në funksion të narrativave të saj ndërkombëtare. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Rusisë perceptohet nga Kosova dhe aktorët perëndimorë si pjesë e një projekti më të gjerë gjeopolitik. Njëkohësisht, përfshirja e Kinës në furnizimet ushtarake të Serbisë dëshmon përpjekjet e Beogradit për të diversifikuar partnerët e tij strategjikë, duke kontribuar kështu në krijimin e një ekuilibri të ri ndikimesh në rajonin e Ballkanit (QKSS, 2024:5).
Agresioni rus ndaj Ukrainës në vitin 2022 ka ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e sigurisë evropiane dhe ka rritur ndjeshëm rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Ky zhvillim ka rikthyer konkurrencën e fuqive të mëdha në Evropë dhe ka rritur vëmendjen ndaj rajoneve të konsideruara si “hapësira të ndjeshme gjeopolitike”. Në këtë kontekst të ri, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë marrin një dimension edhe më strategjik. Sipas analizave të Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë (EUISS) pas fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia ka intensifikuar përdorimin e partnerëve rajonalë për të ruajtur ndikimin e saj në Evropën Juglindore dhe për të sfiduar zgjerimin e NATO-s e të Bashkimit Evropian (EUISS, 2023). Në këtë kuadër, Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike, ushtarake dhe ekonomike me Rusinë, përfshirë bashkëpunime në fushën e energjisë, sigurisë dhe ushtrisë. Pas vitit 2022, për shkak të luftës në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve nga BE-ja dhe aleatët perëndimorë ndaj Rusisë, marrëdhëniet ndërkombëtare janë karakterizuar me rritje të polarizimit politik dhe diplomatik. Në këtë kontekst, Serbia edhe pse shtet kandidat për integrim në BE, nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë dhe vazhdoi bashkëpunimin me Moskën, gjë që e dallon nga shumica e shteteve evropiane. Një element i rëndësishëm është edhe përdorimi i narrativave politike dhe informative. Rusia ka intensifikuar fushatat e dezinformimit në Ballkan pas luftës në Ukrainë, me qëllim të dobësimit të besimit në institucionet euroatlantike dhe të krijimit të ndasive politike brenda vendeve të rajonit. Kjo ndërmarrje ka implikime të drejtpërdrejta për sigurinë e Kosovës. Pas luftës në Ukrainë, NATO ka rritur praninë e saj në Evropën Lindore dhe Juglindore, duke e konsideruar Ballkanin si një hapësirë të rëndësishme për stabilitetin e krahut jugor të aleancës. Sipas NATO-s, siguria e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me parandalimin e ndikimit destabilizues të aktorëve të jashtëm (NATO, 2022). Në këtë kuadër, rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë dhe bashkëpunimi i saj me Rusinë dhe Kinën shihen si pjesë të një strategjie më të gjerë balancimi ndërkombëtar. Nikolaos Tzifakis dhe Eleni Vasdoka theksojnë se Serbia po ndjek një “politikë shumëkahëshe” (multi-vector policy), duke ruajtur marrëdhëniet me Lindjen dhe Perëndimin për të maksimizuar fleksibilitetin strategjik (Tzifakis & Vasdoka 2025:301).
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian përballet me sfida të theksuara në konsolidimin e ndikimit të tij gjeopolitik në rajon. Lufta në Ukrainë ka forcuar diskursin dhe një dinamikë të re për autonomi strategjike evropiane, por mungesa e unitetit të plotë midis shteteve anëtare vazhdon të kufizojë aftësinë e BE-së për të vepruar si aktor i unifikuar i sigurisë. Përmes Politikës së Jashtme e të Sigurisë dhe procesit të zgjerimit, BE-ja synon të stabilizojë rajonin, por konkurrenca me aktorët e tjerë gjeopolitik dhe nevoja për reforma strukturore te brendshme e bën këtë proces më kompleks (Biscop, 2022:45).
Kjo analizë tregon se armatosja e Serbisë nuk është një proces i modernizimit ushtarak, por një strategji e saj politike e diplomatike, që përfshin synimet për ta ruajtur ndikim politik në veri të Kosovës dhe të përdorë instrumentet ndërkombëtare për ta penguar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
Në këtë kontekst, roli i aktorëve ndërkombëtarë si NATO dhe Bashkimi Evropian mbetet vendimtar për ruajtjen e stabilitetit. Prania e NATO-s përmes KFOR-it ka qenë faktor kyç i paqes, ndërsa BE-ja përpiqet me vështirësi të menaxhojë tensionet përmes dialogut dhe procesit të integrimit evropian.
Zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon dhe polarizimin pas luftës në Ukrainë, kanë shtuar kompleksitetin e sigurisë në Ballkan. Kjo e bën më të vështirë ndërtimin e një balance të qëndrueshme dhe rrit rëndësinë e aleancave strategjike për Kosovën. Në këtë kuptim, përgjigjja ndaj sfidave të sigurisë nuk mund të jetë njëdimensionale. Ajo kërkon kombinimin e forcimit të kapaciteteve të brendshme të sigurisë, konsolidimit të shtetit dhe avancimit të integrimit euroatlantik, veçanërisht në NATO. Vetëm me një qasje të tillë të balancuar mund të reduktohen rreziqet e eskalimit, të garantohet siguria nacionale dhe stabiliteti afatgjatë në rajon.
—
Gjon Culaj është Profesori i studimeve të sigurisë dhe hulumtues i jashtëm në Institutin Octopus.