Në Kosovë është krijuar një logjikë e rrezikshme politike: sa herë që institucionet bllokohen, zgjidhja më e lehtë që hidhet në tavolinë janë zgjedhjet e reja. Ato prezantohen si “ilaç universal” për çdo krizë, sikur votimi i përsëritur automatikisht prodhon përgjegjësi, kompromis dhe institucione funksionale. Në realitet, mund të prodhojë pikërisht të kundërtën – një krizë edhe më të thellë dhe një cikël absurd zgjedhjesh pa fund.
Kosova tashmë po përballet me një ngërç politik që nuk është thjesht procedural. Është krizë e mungesës së përgjegjësisë. Është krizë e liderëve që dinë të flasin për popullin, por jo të veprojnë për shtetin. Është krizë e partive që e shohin çdo zhvillim vetëm nëpërmjet kalkulimeve elektorale. Në këtë situatë, kërkesa për zgjedhje të reja po tingëllon gjithnjë e më shumë si ikje nga përgjegjësia. Çfarë garancie ka se zgjedhjet e ardhshme do të prodhojnë rezultat ndryshe? Asnjë. Përkundrazi, ekziston mundësia reale që skena politike të mbetet pothuajse identike me këtë që është sot: një parti e parë e madhe – por jo e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, një opozitë e fragmentuar dhe një mungesë totale vullneti për bashkëpunim institucional.
Nëse ndodh kjo, atëherë vendi futet sërish në të njëjtin “film të lodhtë”: negociata sterile, akuza publike, kalkulime partiake dhe bllokadë institucionale. Dhe pastaj? Zgjedhje të tjera.
Zgjedhja e presidentit kërkon konsensus më të gjerë politik. Nëse partitë sot nuk janë në gjendje të gjejnë gjuhë të përbashkët as për funksionalitetin bazik institucional, si mund të besohet se nesër do të arrijnë marrëveshje për presidentin? Kosova mund të futet në një spirale të frikshme: zgjedhje parlamentare, bllokadë, dështim për presidentin, zgjedhje të reja dhe përsëri nga fillimi. Një republikë që voton vazhdimisht, por që nuk arrin të qeveriset normalisht. Kjo nuk është demokraci funksionale. Është keqpërdorim i demokracisë.
Ndërkohë, qytetarët kanë probleme shumë më konkrete sesa dramat e përditshme të partive politike. Çmimet vazhdojnë të jenë të larta. Kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm. Pagat nuk po e ndjekin ritmin e inflacionit. Të rinjtë vazhdojnë të largohen. Sektori privat ankohet për mungesë të fuqisë punëtore. Investimet serioze janë të pakta. Sistemi shëndetësor mbetet i brishtë. Arsimi vazhdon të prodhojë zhgënjim. Këto nuk janë tema spektakolare për konferenca shtypi apo për propagandë partiake në rrjete sociale, por janë realiteti i përditshëm i qytetarëve.
* * *
Qeveria, pavarësisht krizës politike, do të duhej të ishte e fokusuar pikërisht këtu. Do të duhej të merrej me ekonominë, mirëqenien sociale dhe përgatitjen e vendit për sfidat që po vijnë.
Sepse bota nuk është duke pritur që Kosova të zgjidhë konfliktet e saj të brendshme politike.
Zhvillimet gjeopolitike janë bërë të paparashikueshme. Lufta në Ukrainë vazhdon të prodhojë pasoja globale, kurse paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe siguri. Marrëdhëniet transatlantike po kalojnë në faza të reja pas ndryshimeve politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bashkimi Europian po përballet me sfida të shumta të brendshme. Rajoni mbetet i brishtë.
Në një botë të tillë, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për politikë që sillet sikur jeton në vakuum. Ka nevojë për lidership që kupton momentin historik. Për njerëz që e kuptojnë se stabiliteti institucional nuk është luks, por domosdoshmëri. Fatkeqësisht, ajo që po shihet është papërgjegjësi totale e klasës politike.
Përgjegjësinë kryesore e mban Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe dhe forca që ka pasur pushtetin kryesor në dorë. Një parti që ka kërkuar vazhdimisht besim qytetar nuk mund të sillet si opozitë kur vjen momenti për të marrë përgjegjësi shtetërore. Nuk mund të fajësohen gjithmonë të tjerët.
Partia më e madhe duhet të tregojë gatishmëri për kompromis institucional. Jo kompromis mbi parimet, por kompromis për funksionimin e shtetit. Edhe opozita ka përgjegjësinë e saj. Refuzimi permanent nuk është alternativë politike. Bllokada nuk është program qeverisës. Nëse gjithë strategjia reduktohet në pritjen që kundërshtari të dështojë, atëherë i gjithë shteti paguan çmimin.
Kosova nuk ka luksin e zgjedhjeve të pafundme.
Qytetarët nuk janë makineri votimi që thirren çdo disa muaj për të zgjidhur paaftësinë e politikanëve për të bashkëpunuar. Në një moment, dikush duhet të sillet si burrështetas dhe jo si menaxher fushate.
Sepse shteti nuk mund të mbahet peng nga egoja, inatet politike dhe propaganda e përditshme.
Dhe nëse kjo klasë politike vazhdon me të njëjtën logjikë të papërgjegjshme, problemi nuk do të jetë vetëm se Kosova shkon shpesh në zgjedhje. Problemi do të jetë se një vend i tërë do të mbetet i bllokuar, ndërsa bota përreth po ndryshon me shpejtësi.