(Mos)Heqja e masave të BE-së, temë e takimeve të Sorensenit në Kosovë
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të lartë të Kosovës, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Gjatë këtyre takimeve, temat kryesore të […]
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të lartë të Kosovës, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Gjatë këtyre takimeve, temat kryesore të diskutimeve ishin procesi i dialogut me Serbinë, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe kërkesa për trajtim të barabartë në këtë proces dialogues.
Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialogun me Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me Sorensenin theksoi se Kosova meriton një trajtim të barabartë në dialogun me Serbinë dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ajo u shpreh se vendi duhet të jetë në një pozicion të drejtë dhe të barabartë gjatë bisedimeve dhe theksoi se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës janë të padrejta dhe ndikojnë negativisht në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci dhe sundim të ligjit. Prandaj, mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancën e nevojshme në dialog”, ka thënë Osmani pas takimit me emisarin Sorensen.
Kurti – Sorensenit: BE të heqë masat ndaj Kosovës, Marrëveshja Bazë të zbatohet
Po ashtu, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Kurti i cilësoi këto masa si paradoksale, pasi, sipas tij, ato po dëmtojnë qytetarët dhe po ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.
“Kryeministri kërkoi nga emisari Sørensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, thuhet në njoftim e zyrës së Kryeministrit.
Sipas njoftimit, Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit, duke kërkuar që të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani të zbatohen pa kushte.
Abdixhiku takon Sorensenin: LDK kundërshton draft-statutin e Asociacionit të pranuar nga Qeveria
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pritur gjithashtu Sorensenin dhe ka theksuar qëndrimin e tij dhe të partisë së tij kundër draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Abdixhiku e ka cilësuar këtë dokument si një përpjekje për krijimin e autonomisë territoriale brenda Kosovës, duke e refuzuar kategorikisht.
Një tjetër çështje e ngritur nga Abdixhiku ishte kërkesa drejtuar Bashkimit Evropian për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Sipas tij, këto masa jo vetëm që po dëmtojnë qytetarët, por gjithashtu po ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.
“Kërkova që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese për Kosovën sepse të njëjtat përveçse po dëmtojnë qytetarët tanë, dëmtojnë edhe vetë procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në familjen euroatlantike”, ka shtuar Abdixhiku.
Krasniqi takon emisarin Sorensen: Dialogu Kosovë – Serbi duhet të rifillojë me qasje konstruktive dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë takimit me Sorensenin theksoi se procesi i dialogut duhet të rifillojë me një energji të re dhe qasje konstruktive, me fokus të qartë në rezultatet konkrete.
Përveç kësaj, Krasniqi ka kërkuar që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se ato po dëmtojnë qytetarët dhe po pengojnë përparimin e vendit në rrugën e integrimit evropian.
“Po ashtu, nënvizova pritshmërinë tonë që Bashkimi Evropian të ruajë një qasje të ekuilibruar, duke respektuar parimet e barazisë dhe reciprocitetit në të gjitha fazat e dialogut. Njëkohësisht, para Emisarit Sørensen ritheksova kërkesën tonë që BE-ja të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat po cenojnë padrejtësisht mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë ditës e ka pritur në takim emisarin e BE-së.
“Prita sot Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, z. Peter Sørensen. Në takim çmova rolin e tij dhe të BE-së dhe po ashtu theksova rëndësinë e partneritetit BE-ShBA për sukseset në Kosovë dhe regjion”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.















