Në vend se të shihen si mundësi për dalje nga ngërçi, zgjedhjet e reja rrezikojnë të jenë vetëm vazhdim i status-quo’së, një përsëritje e lodhshme e së njëjtës skenë politike, me të njëjtët njerëz, të njëjtat premtime dhe të njëjtin fund. Qytetarët janë vënë në shërbim të politikanëve të papërgjegjshëm.
Imer Mushkolaj
Më 7 qershor Kosova voton sërish. Jo sepse qytetarët mezi po presin të votojnë, jo sepse vendi ka nevojë për një legjitimitet të ri politik, por sepse partitë politike dështuan të ndërtojnë kompromis dhe të marrin përgjegjësi për krizën që vetë e shkaktuan. Në vend se të shihen si mundësi për dalje nga ngërçi, zgjedhjet e reja rrezikojnë të jenë vetëm vazhdim i status-quo’së, një përsëritje e lodhshme e së njëjtës skenë politike, me të njëjtët njerëz, të njëjtat premtime dhe të njëjtin fund.
Kryesisht emra të njëjtë do të riciklohen në listat e kandidatëve për deputetë – shumë nga të cilët kanë kontribuar në degradimin e jetës politike. Disa që kanë ndërruar disa parti gjatë karrierës së tyre, disa të tjerë kanë kaluar nga pushteti në opozitë e anasjelltas, por pothuajse asnjëri pa dhënë përgjegjësi për dështimet.
Në Kosovë politika është shndërruar në profesion të përhershëm. Plot deputetë nuk vijnë më në Kuvend për të përfaqësuar qytetarët, por për të ruajtur vendin e punës. Dhe kur politika bëhet mjet mbijetese personale, atëherë çdo parim zhduket. Prandaj nuk duhet çuditur kur shihen figura politike që deri dje akuzonin njëra-tjetrën për korrupsion, tradhti apo kapje të shtetit, teksa sot negociojnë koalicione dhe flasin për “interesin e vendit”.
Në politikën kosovare morali është bërë kategori e panevojshme. Fjalët e thëna dje nuk vlejnë më sot. Akuzat e rënda harrohen brenda natës. Partnerët e sotëm janë armiqtë e djeshëm dhe anasjelltas. Nuk ka problem që një lider politik të quajë tjetrin të korruptuar për vite me radhë, e më pas të ulet me të sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Nuk ka problem as që dikush të premtojë se “kurrë” nuk do të bëjë koalicion me një parti tjetër, për të përfunduar pas zgjedhjeve pikërisht në prehrin e saj.
Dhe, problemi më i madh është se askush nuk ndien turp për këtë. Përkundrazi, gjithçka shitet si pragmatizëm politik. Qytetarëve u kërkohet të harrojnë deklaratat, sharjet dhe akuzat, sepse “rrethanat kanë ndryshuar”. Në fakt, nuk ndryshojnë rrethanat. Ndryshon vetëm interesi për pushtet.
Në zgjedhjet e 7 qershorit ekziston rreziku real që rezultati të mos ndryshojë pothuajse fare. Partitë mund të marrin përafërsisht të njëjtin numër votash, duke prodhuar të njëjtat raporte forcash dhe të njëjtat probleme për krijimin e institucioneve. Kriza në Kosovë nuk është vetëm matematikë parlamentare. Është krizë e kulturës politike. Është refuzim i kompromisit. Është bindja arrogante e secilës parti se vetëm ajo ka të drejtë dhe të gjithë të tjerët duhet t’i nënshtrohen.
Kjo është arsyeja pse vendi rrezikon të futet në një rreth vicioz zgjedhjesh të pafundme. Sot zgjedhje për Kuvendin, nesër krizë për krijimin e qeverisë, pastaj bllokadë për presidentin dhe sërish zgjedhje. Një cikël që mund të përsëritet pafundësisht nëse partitë vazhdojnë të refuzojnë kompromisin si instrument demokratik.
* * *
Në demokracitë funksionale kompromisi nuk konsiderohet tradhti. Përkundrazi, konsiderohet përgjegjësi. Vetëm në Kosovë kompromisi paraqitet si dobësi, ndërsa kokëfortësia si parim. Politikanët sillen sikur vendi ekziston për interesat e tyre partiake dhe jo anasjelltas. Prandaj, çdo proces shndërrohet në betejë personale për dominim dhe jo në përpjekje për zgjidhje.
Në gjithë këtë histori qytetarët janë bërë spektatorë të pafuqishëm të një klase politike që sillet sikur nuk i ka borxh askujt llogari. Ndërkohë që njerëzit përballen me çmime të larta, paga të ulëta, ikje masive të të rinjve dhe mungesë perspektive, politika vazhdon të merret me pazare, kalkulime dhe interesa të ngushta pushteti. Zgjedhjet janë reduktuar në ritual të përsëritshëm, ku qytetarët ftohen të votojnë çdo disa muaj, por pa asnjë garanci se diçka do të ndryshojë realisht.
Partitë do të dalin sërish në fushatë me premtime të mëdha. Do të flasin për zhvillim ekonomik, integrime europiane, shtet ligjor dhe mirëqenie. Të njëjtat premtime që dëgjohen prej vitesh. Të njëjtët njerëz që kanë pasur mundësi t’i realizojnë, por nuk e kanë bërë. Dhe prapë do të kërkojnë besim, sikur historia të fillojë nga zero në çdo palë zgjedhje.
Megjithatë, problemi nuk është vetëm te partitë, por edhe te mungesa e presionit publik ndaj tyre. Në vende normale, politikanët që kapen në kundërthënie kaq të mëdha politike do të ndëshkoheshin nga elektorati. Në Kosovë shpesh ndodh e kundërta. Harresa është bërë aleatja më e madhe e politikës. Skandalet zgjasin pak, deklaratat harrohen shpejt dhe riciklimi politik vazhdon pa pasoja.
Prandaj zgjedhjet e 7 qershorit mund të mos jenë zgjidhje për krizën, por vetëm vazhdim i saj. Mund të prodhojnë të njëjtën klasë politike, të njëjtin mentalitet dhe të njëjtin ngërç institucional. Sepse problemi i Kosovës nuk është mungesa e zgjedhjeve, por mungesa e përgjegjësisë politike.
Deri atëherë qytetarëve do t’u mbetet të dëgjojnë sërish të njëjtat slogane, të njëjtat akuza dhe të njëjtat premtime boshe. Dhe ndoshta, pas zgjedhjeve, të shohin përsëri të njëjtët njerëz që deri dje shanin e fyenin njëri-tjetrin, duke buzëqeshur bashkë para kamerave në emër të “interesit shtetëror”. Sepse, në politikën kosovare duket se gjithçka ndryshon vetëm për të mos ndryshuar asgjë.