E gjendur mes varësisë energjetike ndaj Rusisë dhe investimeve të mëdha kineze, Serbia përpiqet të ruajë një balancë delikate në një periudhë ndryshimesh të thella gjeopolitike. Për Bashkimin Evropian, kjo qasje e dyfishtë përbën një dilemë serioze: si mund të integrohet një vend që kultivon lidhje të ngushta me Lindjen, ndërkohë që deklaron orientimin e tij drejt BE-së?
Rasti i Serbisë nxjerr në pah pasiguritë dhe mungesën e koherencës së vetë BE-së në përcaktimin e kufijve dhe vizionit të saj politik. Në zemër të Evropës vazhdojnë të ekzistojnë zona të errëta gjeopolitike, të cilat Brukseli shpesh preferon t’i injorojë dhe t’u kushtojë pak vëmendje. Serbia, kandidate e përhershme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por besnikëria e të cilës mbetet gjithnjë e më shumë e orientuar nga Lindja. Një “kalë i Trojës” që vazhdon të ofrojë terren ideal zgjerimi për ndikimet e jashtme nga Moska e Pekini, të cilat arrijnë ta shtrijnë ndikimin e tyre dhe të testojnë pa vështirësi kohezionin e një Evrope që shpesh është tepër “perëndimore” në qasjen e saj.
Për presidentin Vuçiq, Rusia vazhdon të përfaqësojë një partner të rëndësishëm politik dhe strategjik në politikën e jashtme serbe (Reuteurs, 30/03/2026). Në shoqërinë serbe, Moska përceptohet gjerësisht si një aleate historike, jo vetëm për shkak të lidhjeve politike, por edhe për afërsinë kulturore, fetare e sllave që ka ndërtuar një ndjenjë solidariteti tradicional. Kjo marrëdhënie e veçantë ndikon dukshëm në orientimin diplomatik të Serbisë (Patalakh, 2018:505).
Refuzimi i Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë ka thelluar përceptimin e një pozicionimi të paqartë strategjik, duke e vështirësuar afrimin e plotë të Serbisë me strukturat euroatlantike dhe duke e izoluar gradualisht në raport me partnerët evropianë (EUCFR, 2022).
Serbia mishëron më së miri këtë ekuilibër të vazhdueshëm dhe kontradiktor. Edhe pse zyrtarisht e angazhuar në rrugën e integrimit evropian, ajo vazhdon të ruajë një bashkëpunim shumë-dimensional me Rusinë dhe një partneritet ekonomik masiv me Kinën.
Për Brukselin, kjo përbën një paradoks të sikletshëm: një partner i domosdoshëm për stabilitetin e Ballkanit, por zgjedhjet strategjike të të cilit bien ndesh çdo ditë e më shumë me politikat e BE-së.
Serbia ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë
Bashkimi Evropian e konsideron Serbinë si vend kandidat me rëndësi strategjike, duke qenë njëkohësisht i vetëdijshëm për sfidat që sjell zgjerimi drejt saj, ku ndikimi rus dhe ai kinez janë gjithnjë e më të dukshëm. Mungesa e përafrimit të plotë me politikën e jashtme të BE-së, së bashku me një varësi në rritje ekonomike nga aktorë të jashtëm, e kufizon dukshëm progresin real të Serbisë drejt anëtarësimit (European Commission, 2024:95).
Brukseli i ka përcaktuar qartë kushtet e tij, që përfshijnë forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e transparencës në qeverisje dhe sundimin e ligjit.
Megjithatë, përmbushja e këtyre kritereve nga ana e Beogradit ka mbetur e kufizuar, duke krijuar përshtypjen se nuk ka vullnet të qartë për avancimin e agjendës evropiane.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë një qasje të kujdesshme për të mos e shtyrë Serbinë drejt një orientimi edhe më të thelluar lindor, por ky hezitim ka krijuar një vakum strategjik që po shfrytëzohet në mënyrë efektive nga Rusia dhe Kina.
Në fakt, Serbia nuk ka hequr dorë formalisht nga projekti evropian, por po ndjek një politikë të kalkuluar balancimi, duke synuar një marrëdhënie më fleksibile dhe të përshtatur sipas interesave të saj, pa kufizime dhe angazhime të forta politike dhe normative. (Bechev, 2017:12–14).
Megjithatë, në kontekstin aktual ndërkombëtar të polarizimeve gjithnjë e më të theksuara gjeopolitike, kjo qasje bëhet e vështirë për t’u mbajtur. Politika e saj e ekuilibrit po shfaqet si një varësi e shumëfishtë: energjetike ndaj Rusisë, ekonomike ndaj Kinës dhe politike ndaj Bashkimit Evropian. Në këtë kuptim, Serbia paraqitet si një rast tipik i ambiguitetit evropian: një vend mjaftueshëm i afërt, por jo mjaftueshëm i harmonizuar për t’u integruar plotësisht. Kjo situatë pasqyron gjithashtu edhe vetë paqartësinë strategjike të Bashkimit Evropian mbi kufijtë dhe politikën e zgjerimit të tij të ardhshëm (Mujanovic, 2018: 5-8).
Që nga marrja e statusit kandidat për BE në vitin 2012, Serbia ka deklaruar vazhdimisht se integrimi evropian është prioriteti kryesor strategjik. BE mbetet partneri më i madh ekonomik i Serbisë, investitori kryesor dhe donatori më i madh financiar. Megjithatë, Serbia ka refuzuar të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, sidomos në raport me sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës (European Commission, 2024:96).
Pavarësisht se Serbia ndjek një politikë me ambiguitet ndaj Bashkimit Evropian dhe Rusisë, reagimi i Perëndimit ndaj kësaj qasjeje ka qenë relativisht i moderuar dhe shpesh i kufizuar në deklarata politike dhe raporte periodike, pa u shoqëruar me masa të forta ndëshkuese. Kjo mungesë e presionit të drejtpërdrejt ngre pyetjen se pse Bashkimi Evropian dhe aleatët e tij nuk kanë ndërmarrë sanksione apo masa më të ashpra ndaj Beogradit për mospërputhjen e tij të vazhdueshme me politikën e jashtme evropiane.
Një nga arsyet kryesore lidhet me statusin strategjik të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia konsiderohet një vend i rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Brukseli ka frikë se një qasje tepër ndëshkuese mund të prodhojë efekt të kundërt, duke e shtyrë Beogradin edhe më afër Rusisë dhe Kinës. Kjo logjikë e “stabilitetit mbi konfrontimin” ka bërë që BE të preferojë një politikë të kujdesshme dhe mosndëshkuese, edhe kur standardet e saj nuk respektohen plotësisht.
Një tjetër faktor është varësia e ndërsjellë ekonomike dhe politike. Bashkimi Evropian është partneri kryesor tregtar i Serbisë dhe burimi më i madh i investimeve të huaja, ndërsa Serbia për BE-në përfaqëson një nyje të rëndësishme gjeopolitike në një rajon të ndjeshëm. Kjo marrëdhënie e ndërvarur kufizon hapësirën për masa ndëshkuese, pasi çdo përshkallëzim do të kishte kosto edhe për vetë BE-në. Sipas Florian Bieber, kjo formë e mbështetjes së jashtme ndaj regjimeve që ofrojnë “stabilitet” më shumë sesa reforma demokratike përbën thelbin e asaj që ai e quan “stabilitokraci” (Bieber, 2018:338–339).
Në këtë kontekst, mungesa e sanksioneve nuk është thjesht rezultat i tolerancës politike, por edhe i një strategjie të vetëdijshme të “angazhimit pa kushtëzim të fortë”. Kjo qasje synon të mbajë Serbinë brenda orbitës evropiane, edhe nëse ajo nuk përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së.
Megjithatë, kjo strategji është kritikuar gjerësisht nga studiuesit, të cilët argumentojnë se ajo krijon hapësirë për “kapitalizim të dyfishtë” nga aktorë të jashtëm si Rusia dhe Kina, pa kosto reale për Beogradin (Bechev, 2017:245-247).
Nga ana tjetër, Serbia ka arritur të shfrytëzojë me sukses këtë hapësirë diplomatike. Duke mos u rreshtuar plotësisht me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë, Beogradi ka ruajtur marrëdhënie të favorshme me Moskën, ndërkohë që “vazhdon” procesin e integrimit evropian. Kjo politikë e dyfishtë, e cila shpesh justifikohet si “neutralitet strategjik”, në praktikë funksionon si një mekanizëm për maksimizimin e përfitimeve nga të dyja palët, pa marrë përsipër kosto të qarta politike. Një situatë që ka shkaktuar kritikë të gjerë ndaj vetë Bashkimit Evropian, i cili përceptohet si i paqartë dhe i pavendosur në politikën e tij të zgjerimit.
Mungesa e një linje të fortë ndëshkuese ndaj Serbisë minon besueshmërinë e politikës së jashtme evropiane dhe krijon përceptimin se standardet e BE-së aplikohen në mënyrë selektive. Siç thekson Dimitar Bechev në librin e tij Rival Power: Russia in Southeast Europe, kjo lloj paqartësie strategjike e Perëndimit i lejon aktorët rajonalë të ndjekin politika hibride pa pasoja të konsiderueshme (Bechev, 2017:245–247).
Ambiguiteti strategjik si instrument politik
“Neutraliteti” i Serbisë nuk mund të barazohet me modelin klasik të vendeve si Zvicra apo Austria, pasi ai funksionon më shumë si një mjet politik dhe strategjik në funksion të interesave kombëtare, veçanërisht në lidhje me mosnjohjen dhe pretendimet ndaj Kosovës.
Siç argumentojnë Joviq & Laziq (2026), kjo “paqartësi strategjike” nuk është thjesht një efekt i rrethanave të jashtme, por është shndërruar në një strategji qeverisëse të vetëdijshme të Beogradit, e cila i mundëson Serbisë të ruajë fleksibilitet politik dhe të përfitojë ekonomikisht nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë pa u angazhuar plotësisht në një bllok të vetëm (Jović&Lazić, 2026 :79-80).
Ky ambiguitet nuk është thjesht rezultat i mungesës së konsensusit politik të brendshëm, por një instrument i qëllimshëm politik që i mundëson Serbisë të ruajë njëkohësisht disa objektiva kontradiktore: mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, vazhdimin e procesit të integrimit evropian dhe ruajtjen e mbështetjes nga aleatë si Rusia e Kina.
Kjo strategji i ka mundësuar Serbisë ta ruajë një pozicion relativisht të favorshëm në arenën ndërkombëtare, duke shmangur izolimin nga Perëndimi, pavarësisht qasjes së saj konfrontuese ndaj Kosovës, përfshirë ndërhyrjet e drejtpërdrejta sidomos në veriun e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sovranitetin institucional të vendit.
Siç argumenton Bieber (2015), politika e Beogradit ndaj Kosovës shpesh karakterizohet nga një “balancim midis presionit të jashtëm dhe narrativave të brendshme nacionaliste”, ku çështja e sovranitetit të Kosovës mbetet një element thelbësor i legjitimitetit politik të brendshëm (Bieber, 2015:309–312). Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka zgjedhur një qasje të bazuar në dialog dhe kushtëzim të butë (“soft conditionality”), duke e projektuar rrugën e Serbisë drejt BE-së në varësi të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Megjithatë, mungesa e një mekanizmi të fortë detyrues nga ana e BE-së, ka bërë që progresi të mbetet i ngadalshëm dhe shpesh i bllokuar nga interpretimet e ndryshme të marrëveshjeve të arritura. Në këtë kontekst, ambiguiteti strategjik i Serbisë funksionon si një instrument i qëllimshëm i menaxhimit të konfliktit të ngrirë. Ai i mundëson Beogradit ta ruajë pozicionin e mosnjohjes së Kosovës, të lobojë për mospranim të saj në oranizata ndërkombëtare, duke shmangur njëkohësisht kosto të larta politike në marrëdhëniet me BE-në. Kjo qasje armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës dhe mosndëshkimi i Serbisë nga ana e BE-së, kanë kontribuar në krijimin e një gjendjeje pasigurie në Ballkanin Perëndimor, ku normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes dy vendeve mbetet krejtësisht i paqartë.
Kjo do të thotë se ambiguiteti strategjik i Serbisë në raport me Kosovën nuk është një gjendje kalimtare, por një strategji e institucionalizuar e politikës së jashtme. Ai pasqyron tensionin midis “presioneve” ndërkombëtare për normalizim dhe nevojës së brendshme për ruajtjen e narrativave nacionaliste.
Në këtë kuadër, procesi i dialogut të Brukselit mbetet një mekanizëm i rëndësishëm, por larg i pamjaftueshëm për të prodhuar një zgjidhje përfundimtare që garanton paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.