Marsi, muaji që ndanë dy stinë. Muaji në të cilin ndodh një tranzicion në mes të “vdekjes” (së natyrës) dhe rilindjes së saj. Muaji që shënon një ndarje dihotomike përmes një vije të hollë në mes të errësirës dhe dritës, në mes të ftohësisë dhe ngrohtësisë, në mes të dy polariteteve të jetës. Shpesh, për ne, sidomos për ne, ky ishte muaj i acartë, i masakrave, dhunimeve, dhunës ç’njerëzore,…, të “si njeriut” mbi njeriun. Muaji i vdekjes së të pafajshmëve,…, por jo edhe i shpresës, guximit, vullnetit dhe dijes!
Në këtë muaj kur Kosova përkujton masakrat, sulmet, ofensivat, (Qirez, Likoshan, Prekaz, Gllogjan,…,Kosovë), por edhe unifikimin unik të botës liridashëse për të mbrojtur një popull nga trajtimi ç’njerëzor, ne shohim sulme të vazhdueshme ndaj atyre që morën guximin që të luftojnë për liri, por morën edhe plumbat, burgun…! Morën edhe guximin për të vrarë frikën nga vdekja dhe kaluan në pavdekësinë veprës së tyre. Dhe, nga kush marrin këto sulme? Shpesh edhe nga ata që mbajnë vetën për intelektual dhe akademik. Njerëz që nuk u ka munguar liria. As pasuria. Nuk u ka munguar as pozita favorizuese në shoqëri. As para dhe as pas lufte!
Në këtë epokë, ku materializmi shpesh e tejkalon vlerën e virtytit dhe idealit, ku shpesh kemi subversion aksiologjik, duket goxha normale që aktet e guximit dhe sakrificës të përçmohen ose minimizohen deri në nihilizim. Në veçanti, në rastin e luftës për liri dhe çlirim, shpesh jemi dëshmitarë të një përçmimi të papërshtatshëm dhe një shpërfilljeje të frikshme të asaj çka është bërë dhe atyre që e bën atë që është bërë!
Është në rregull edhe të kritikojmë dhe shqyrtojmë. Por, nëse do të kritikojmë, le të bëjmë atë me kujdes dhe me një shqyrtim e soditje të gjerë të kontekstit historik dhe njerëzor.
Lufta për çlirimin e Kosovës, nuk ishte thjeshtë dhe vetëm një ballafaqim ushtarak i një ushtrie të sistemuar dhe armatosur mirë të një shteti okupues dhe një populli, apo një pjese të popullit, të cilëve u mungonte liria dhe të drejtat, dhe të cilët me dije, vullnet dhe guxim, i dolën zot vendit të tyre. Ajo ishte një shfaqje e vullnetit për liri dhe një betejë për të drejtën themelore të vetëdijes së një kombi për vetëvendosje.
Sot, më shumë se kurrë, në vend që të demonizojmë apo përçmojmë, duhet të kuptojmë. Të kuptojmë se si është të jetosh nën sundim, i rrezikuar ekzistencialisht, i përçmuar. Si është të jesh i përfshirë në një luftë ku jetën dhe lirinë e vendit tënd e vendosin në rrezik pushtuesit. Sidomos pushtuesit që vrasin fëmijë pran syve të nënës, dhunojnë gra pran fëmijëve, e bëjnë çka mendja s’ta thotë. Të kuptojmë se si ndjehen ata që janë detyruar të dalin dhe të mbrojnë shtëpinë e tyre, familjen e tyre, dinjitetin, nderin,…, identitetin e tyre kombëtar. Të kuptojmë se si kjo nuk është një lojë, por një realitet i rëndë ku vendimet janë të vështira dhe pasojat janë të rënda.
Duke kuptuar këtë, duhet të përkujdesemi për të qenë më të kujdesshëm në vlerësimin tonë të ngjarjeve historike dhe të veprimeve të njerëzve. Duhet të rrisim respektin për atë guxim dhe sakrificë që shfaqën ushtarët e Kosovës, të burgosurit politik ndër breza, mësuesit tanë, minatorët,…, populli i Kosovës, duke kuptuar se ata ishin mbrojtës të lirisë dhe njerëz të zakonshëm që u ngritën për të mbrojtur atë që ishte e drejtë.
Në vend të përçmimit, le të përpiqemi për një kuptim më të thellë dhe një vlerësim më të sinqertë për heroizmin e tyre. Të pranojmë se liria dhe çlirimi janë vlera që duhet të mbrohen dhe të përshkruhen me nder. Janë vlera sublime!
Kur lexoj dhe dëgjoj disa sulme, sidomos nga ata që ishin dhe janë mirë, që kishin dhe kanë status të privilegjuar shoqëror, me bjen mend një konstatim i sociologut Orlando Patersson, në veprën “Liria në formimin e kulturës perëndimore” i cili në pyetjen se kush kanë qenë njerëzit e parë, të cilëve u lindi ideja se të jesh i lirë është jo vetëm një vlerë e madhërishme, por edhe gjëja më e rëndësishme që mund të zotëroj njeriu, ai përgjigjet: Skllevërit, njerëzit e varfër që u mungon liria, gra dhe burra që ishin në gjendje të mohonin atë gjendje tmerrësisht jonjerëzore. Më kujtohen të varfrit e këtij nënqielli që jetën ia subordinuan lirisë. Më kujtohen rinia e këtij vendi që nga brutaliteti i pushtuesit dhe gjendja ekonomike ikën nga ky vend për t’u rikthyer trimërisht në luftë. Më kujtohen studentët që u revoltuan dhe pastaj u maltretuan e u robëruan. Natyrisht, më kujtohen edhe disa intelektual të njëmendtë, të cilët u vendosën në dispozicion të kauzës kombëtare!
Këto kujtime, nuk janë vetëm kujtimet e një individi. Të tilla kujtime janë kujtimet kolektive të një populli të shtypur dhe përbuzur, i cili luftoi për çlirim. Të tillët do të jetësohen në piedestalin më të lartë aksiologjik të historisë, ndërsa të kundërtit do të mbesin në koshin e plehrave të harruara të po të njëjtës histori!