Rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur sot trajnimin ushtarak bazë në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.
FSK-ja, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se rekrutët janë rreshtuar në Qendrën e Stërvitjes Bazë, në kuadër të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
“Rekrutët e rinj janë rreshtuar sot në Kazermën ‘Skënderbeu’ në Ferizaj, në kuadër të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, përkatësisht në Qendrën e Stërvitjes Bazë, për të filluar trajnimin ushtarak bazë dhe rrugëtimin e tyre për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sipas FSK-së, trajnimi do të zgjasë nëntë javë dhe do të përfshijë një program të intensifikuar, me fokus në përgatitjen fizike, psikologjike dhe profesionale.
“Përgjatë nëntë javëve, rekrutët do t’i nënshtrohen një programi të intensifikuar të trajnimit, i cili synon t’i përgatisë ata në aspektin fizik, psikologjik dhe profesional”, thuhet më tej.
Gjatë trajnimit, rekrutët do të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme ushtarake, në mënyrë që pas përfundimit të jenë të gatshëm të shërbejnë si ushtarë dhe të rreshtohen në formacionet e FSK-së.