Shprehia e leximit – faktorët stimulues
Leximi, dikur i konsideruar si aktiviteti kryesor për zbavitjen e njerëzve, gjithnjë e më shumë po lihet në margjina. Sot, për shkak të digjitalizimit jo vetëm leximi tek të rriturit, por edhe te fëmijët ka filluar të reduktohet dhe të shndërrohet kryesisht në detyrim. Kësisoj, fëmijët e ditëve të sotme, në mes një shumësie mjetesh dhe formash zbavitjeje, leximin mund ta konsiderojnë si opsionin e fundit.
Pashmangshëm, me këto ndryshime teknologjike është përshtatur edhe puna editoriale, pasi, tashmë, tekstet për fëmijë janë një gërshëtim mediumesh që jo vetëm e nxisin fantazinë e fëmijës, por edhe e stimulojnë dëshirën për lexim. Së këndejmi, kombinimi imazh-audio-tekst ka rezultuar i sukseshëm në këtë kohë të bumit teknologjik, duke e lënë leximin si një alternativë aktuale për argëtim.
Sidoqoftë, politikat editoriale parashohin tekste të ndryshme për grupmosha të ndryshme, e thënë ndryshe, nëse për moshën 1-3 vjeçe dominojnë librat kombinim imazh-audio, prej moshës 3 deri 6 vjeç preferohen imazh-tekst i shkurtër, në grupin e tretë, duke qenë se fëmijët fillojnë ciklin parashkollor, teksti mbizotëron ndaj imazhit, dhe pastaj te moshat më të rritura fokusi është 100 për qind në tekst, ngaqë lexuesi i rritur e ka përvetësuar tashmë kulturën e leximit.
Gjithsesi, puna e një shtëpie botuese në përgatitjen dhe nxjerrjen në treg të një libri nuk mund të qëndrojë askurrë e pavaruar nga rrethanat shoqërore, çka do të thotë se janë prindërit dhe tradita familjare që ngjizin të parët shprehinë e leximit dhe dashurinë ndaj librit.
Studimet e shumta psikologjike dëshmojnë se fëmijët që rriten në një ambient ku libri është prezent, qoftë edhe vetëm si prani fizike, kanë tendencë ta kultivojnë shprehinë e leximit më shumë se të tjerët, ngaqë për ta libri nuk është objekt i panjohur dhe nuk hyn dhunshëm në jetën e tyre. Për ta konkretizuar këtë mund të nisemi nga konteksti social në Kosovë, ku një pjesë e mirë e fëmijëve, të cilët janë rritur pa libra, shfaqin vështirësi në pranimin e librit si pjesë të jetës së vet, veçanërisht kur një gjë e tillë u kërkohet dhe u imponohet për herë të parë nga mësuesit.
Së këndejmi, përveç punës së shtëpive botuese në përzgjedhjen e autorëve dhe librave që duhen përkthyer dhe botuar, faktorë kryesorë janë inkorporimi i shkollës dhe i prindërve, që do të thotë se mësuesit duke njohur dhe përcjellë botimet që janë në treg t`u sugjerojë nxënësve libra në vijimësi, gjithashtu edhe nga prindërit kërkohet që, ndonëse pa ndonjë dije paraprake në letërsi, ta drejtojnë fëmijën kah bota e librit. Ky trinom paraqet hipotetikisht mënyrën ideale se si duhet të funksionojë afrimi i fëmijës me librat, gjegjësisht si të kultivohet shprehia e leximit.
Megjithëkëto, Kosova dhe Shqipëria, dy vende që kanë kaluar nëpër periudha tranzicionale të ndryshme, vazhdojnë edhe sot të kenë probleme serioze në botimin e librave, në rastin tonë për fëmijë.
Problemet me botimin e librave për fëmijë
Tekstet shkollore, në të gjithë botën, u nënshtrohen ndryshimeve të vazhdueshme, qofshin ato edhe vetëm përditësime, por, veçan në rastin e Kosovës, problem ka qenë pak më i thellë, ngaqë jo vetëm që për dekada nuk janë përditësuar tekstet, si rrjedhojë u janë rekomanduar libra të njëjtë për lexim gjeneratave që u kanë takuar konteksteve të ndryshme politike e historike dhe mentaliteteve të ndryshme, por edhe nuk ka ekzistuar një traditë e madhe shkrimi librash për fëmijë. Për ta ilustruar këtë mjafton të përmendim librat e autorëve shqiptarë të cilët shpërfaqin elemente ideologjike, diskriminuese etj., por që vazhdojnë të sugjerohen nëpër shkollat shqipe. Ndonëse politikat shkollore nuk e kanë parë si të nevojshëm një ndryshim të tillë, janë vetë fëmijët që seleksionojnë leximet dhe i refuzojnë librat e tillë, pasi, siç e thamë më lart, nuk u përshtaten më mendësisë së tyre.
Fëmijët, sot, në Kosovë janë shumë të ekspozuar ndaj anglishtes, e cila për shkak të mundësisve më të mëdha që u ofron po e rrezikon, në njëfarë mënyre, vazhdueshëm, gjuhën shqipe, si rrjedhojë kompetenca më e mirë gjuhësore, pra leksiku më i pasur në anglisht i shtyn që të lexojnë librat në po atë gjuhë. Kjo pashmangësisht çon në reduktim të përkthimeve, gjegjësisht botim të autorëve të huaj dhe, edhe në rastet kur shtëpitë botuese ndërmarrin përkthimin dhe botimin, të hasin në një audiencë krejt të paktë.
Një tjetër problem që shpërfaqet në botimin e librave për fëmijë është përfshirja apo mospërfshirja e ilustrimeve. Përfshirja nënkupton kosto më të lartë përgatitore që pastaj reflektohet në çmimin final dhe për pasojë redukton lexuesin, pasi situata ekonomike e kushtëzon blerjen. Por gjithsesi ky mbetet variant më atraktiv për fëmijës, ngaqë mospërfshirja e ilustrimeve e largon dhe nuk mund ta tërheqë vëmendjen e lexuesit të vogël. Po ashtu, shtëpi të ndryshme botuese ofrojnë libra të njëjtë për shkak se tradita, shkolla dhe prindërit i sugjerojnë të tillët, megjithëse dallojnë përkthimi dhe puna redaktoriale me librin. Prindi i gjendur para një shumësie zgjedhjesh mund të priret ta zgjedhë tekstin më të lirë, rrjedhimisht edhe më të dobët si për kah ana tekstore, ashtu edhe për nga ana vizuale.
Përvoja e shtëpisë botuese në librat për fëmijë
Duke u nisur nga kërkesat e fëmijëve në librarinë “Dukagjini” dhe nga përvoja e shtëpisë botuese me tekstet shkollore, ne kemi evidentuar problemet dhe këto kanë bërë që të nisim dy seri librash për fëmijë: lektyrat shkollore dhe setin e librave të autorit italian Xhani Rodari, me koncept të ri. Lektyrat janë gërshetim, në radhë të parë, i autorëve klasikë shqiptarë e të huaj, por edhe atyre modernë. Gjithashtu, secili libër është i pajisur me aparaturë didaktike, përmes së cilës ne le që synojmë zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativitetit te nxënësit, por edhe e shtyjmë atë prej këtij mendiumi tek mediumet e tjera, p.sh. duke sugjeruar filma, duke i dhënë shembullin se leximi s`është detyrim, por është një mënyrë mjaft atraktive argëtimi. Gjithashtu, ajo që i bën të veçanta kolanat tona janë ilustrimet, të cilat janë inovative, autentike dhe luajnë shumë me elementin e ngjyrës.
A priori, një shtëpi botuese përmes botimeve të librave, edhe për fëmijë, synon përfitim që së paku do t’i mbulojë kostot që kanë çuar në përgatitjen e librit, por shtëpia botuese “Dukagjini” e ka tejkaluar përfitimin si element parësor, duke mëtuar nxitjen e leximit në rend të parë. Një gjë të tillë e ka inciuar themeluesi i shtëpisë botuese, Agim Lluka, vite më parë, kur pati nisur bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të SOS fshatrave të fëmijëve. Nisma e tij vazhdon të çohet para edhe sot, duke numëruar një sërë aktivitetesh lexuese ose dhuruese me fëmijët e SOS fshtatrave. Po ashtu, përvoja jonë me përkthimin e teksteve shkollore për pakicat etnike në Kosovë na ka bërë që ta kthejmë vëmendjen kah këto kategori të margjinalizuara dhe të organizojmë evente e kampanja që stimulojnë leximin, bashkëjetësën e harmonishme dhe parashohin dhurime të librave.
Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është krijimi i një shprehie leximi në mosha të hershme, ku fëmijët, në njëfarë mënyrë, formësojnë perceptimin e parë për botën dhe krijojnë një botëkuptim të tyrin, shtëpia botuese “Dukagjini” synon që të vazhdojë me botimin e librave për fëmijë, të qëndrojë me hapin e kohës për sa u përket zhvillimeve të ndryshme teknologjike, ta studiojë vazhdimisht nevojën e lexuesit, të ndërmarrë kampanja e të organizojë evente që ta afrojë atë me librin dhe t’i tërheqë margjinat drejt qendrës duke kultivuar kështu lexuesin e së ardhmes. Sepse vetëm lexuesi i sotëm mund t’i sjellë ndryshimet e së nesërmes.