Dy prej ikonave më të mëdha të hip-hopit kosovar, MC Kresha dhe Lyrical Son, do të sjellin një eksperiencë muzikore të paparë në Prishtinë, në kuadër të ngjarjes Red Bull Symphonic – një projekt që për herë të parë bashkon fuqinë e hip-hopit me madhështinë e një orkestre simfonike.
Ky koncert unik do të riinterpretojë hitet e njohura të dyshes me 42 instrumentistë në skenë, nën drejtimin e një dirigjenti të njohur nga Maqedonia, i cili ka bashkëpunuar më parë me artistë fitues të çmimeve Oscar.
“Jena njoftuar me sifonin e Red Bull me njerëzit që kanë me qenë aty, janë diku 42 instrumente. Kemi pasur edhe fotoshooting. Mua po më duket vetja shumë i vogël kur i shohë ata…”, ka treguar Lyrical Son në një intervistë për emisionin Reload.
Ai ka shtuar se kjo eksperiencë është e jashtëzakonshme.
“Krejt ky ekip, krejt ky servim nga Red Bull është diçka që unë si Festim kisha pasur qejf me qenë aty përpara edhe me u kënaq”, ka theksuar ai.
“Red Bull Symphonic” pritet të sjellë një atmosferë magjike që kapërcen kufijtë tradicionalë të koncerteve në Kosovë, duke bashkuar dy botë të ndryshme artistike.