Katër persona arrestohen në veri për sulmin ndaj dy policëve
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar, pas një përleshjeje fizike që ndodhi në orët e para të së mërkurës në një lokal në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 01:20, në rrugën “Boris Kidriç”, pas raportimit për një përleshje fizike në një lokal.
Nga hetimet fillestare është bërë e ditur se dy zyrtarë policorë, të cilët në atë kohë ishin jashtë detyrës zyrtare dhe po qëndronin në lokal, fillimisht janë ofenduar nga disa persona për shkak të punës së tyre, e më pas janë sulmuar fizikisht pasi kanë dalë jashtë lokalit.
Si pasojë e sulmit, njëri nga policët ka pësuar lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar.
Policia ka arrestuar fillimisht dy të dyshuar, me inicialet S. L. (2001) dhe U. L. (2005). Ndërsa, gjatë hetimeve të mëtejshme, hetuesit kanë identifikuar edhe dy persona të tjerë, N. M. (2004) dhe L. M. (2005), të cilët janë shoqëruar në stacion policor.
Gjatë veprimeve policore, janë sekuestruar edhe dy armë me leje, njëra në adresën e banimit të njërit prej të dyshuarve dhe tjetra gjatë kontrollit ndaj njërit prej personave të përfshirë.
Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.















