Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vizituar një resort skijimi në qytetin Samjiyon, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ri Sol Ju, dhe vajza Ju Ae.

Pamjet e publikuara nga mediat shtetërore koreano-veriore tregojnë familjen gjatë vizitës në kompleksin turistik, ku Kim inspektoi ambientet e resortit dhe punimet për zhvillimin e tij.

Vëmendjen më të madhe e tërhoqi vajza e liderit, Ju Ae, e cila u fotografua duke skijuar në pistat e mbuluara me borë, e veshur me kostum të bardhë.

Në fotografi të tjera, ajo shihet pranë prindërve të saj gjatë vizitës.

Sipas mediave shtetërore, Kim Jong Un vlerësoi zhvillimin e resortit dhe theksoi rëndësinë e shndërrimit të zonës në një destinacion turistik që mund të vizitohet gjatë gjithë vitit.

Samjiyon ndodhet në pjesën veriore të Koresë së Veriut, pranë malit Paektu, një zonë me rëndësi të veçantë historike dhe simbolike për vendin.

Paraqitjet publike të Ju Ae kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen ndërkombëtare, pasi ajo është shfaqur gjithnjë e më shpesh në krah të të atit gjatë vizitave dhe aktiviteteve zyrtare.

Megjithatë, autoritetet e Koresë së Veriut nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim zyrtar për rolin që ajo mund të ketë në të ardhmen në udhëheqjen e vendit.

Fotografitë e fundit ofrojnë një tjetër pamje të rrallë të familjes së liderit koreano-verior, e cila zakonisht shfaqet pak në publik.