Zgjedhjet e reja në veri – “pa marrëveshje politike, nuk ka stabilitet afatgjatë”

Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri si hap për shtensionimin e situatës, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se pa një marrëveshje politike në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi nuk do të ketë stabilitet afatgjatë në veri

Një marrëveshja politike në mes të Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet thelbësore që veriu i vendit (Kosovës), të funksionojë normalisht, pa tensione.

Së fundmi, në opinionin publik është duke u diskutuar për mënyrën se si komunat veriore të Kosovës mund të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Një opsion që e përkrah Qeveria e Kosovës është që kryetarët aktualë të largohen përmes peticionit, kurse tjetri është që ata të japin dorëheqje.

Në lidhje me këtë, profesori Dritëro Arifi, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se nisja e procedurave ligjore nga qeveria për të larguar kryetarët e komunave përmes peticionit është një “veprim i vështirë pa një rezultat konkret”.

Ai ka thënë se në fund të çdo procesi në veri duhet të ketë një marrëveshje politike dhe jo vetëm marrëveshje për menaxhimin e krizave.

“Synimi i qeverisë për të larguar kryetarët e komunave përmes peticionit është një rrugë, veprim i vështirë pa një rezultat konkret, në fund të procesit duhet të ketë një marrëveshje politike, pra, në një mënyrë është rrugë e pakuptimtë, në mënyrën e asaj se si po dëshirojnë ta realizojnë këtë proces”, ka thënë Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Mundësinë e largimit të kryetarëve në veri përmes peticionit apo referendumit, Arifi po e sheh si ikje të qeverisë nga përgjegjësia dhe tentim për të fituar kohë, pasi, sipas tij, çdo humbje e kohës do të jetë në dëm të Kosovës përkrah faktorit ndërkombëtar.

“Ikje nga përgjegjësia për të realizuar diçka dhe për të fituar kohë, Kosova është veçse nën sanksione, çdo humbje e kohës do të jetë në dëm të Republikës së Kosovës”, ka vijuar ai.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga IKD, për Portalin Dukagjini thotë se ndonëse organizimi i këtyre zgjedhjeve përmes peticionit apo referendumit merr kohë më të gjatë, është opsioni më i mirë për shkak të futjes së demokracisë direkte në situata të tilla krizash.

“Proceduralisht, largimi i kryetarëve përmes iniciativës qytetare është më i gjatë, merr kohë, në praktikë do të organizohen dy procese votimi, një lloj referendumi, por që realisht nuk është i tillë sipas ligjit, është vetëm peticion, fillimisht mblidhen 20% e nënshkrimeve, pas 30-45 ditësh pas verifikimit të rezultateve mbahet procesi i ri zgjedhor për përzgjedhjen e kryetarëve të rinj. Përtej problemeve me kohëzgjatje, opsioni më i mirë për shkak të futjes së demokracisë direkte në situata të tilla nuk ka asnjë mandat detyrues që do t’i obligonte kryetarët të jepnin dorëheqje, do të krijohej një precedent i gabuar që largimi i kryetarëve të bëhej si rezultat i marrëveshjeve politike i shtohet fakti që ka aktgjykime të gjykatës kushtetuese në raste të tjera që marrëveshjet politike nuk mund të mbivendosen normave kushtetuese”, ka thënë Cakolli.

Hulumtuesi i lartë i KDI-së, Eugen Cakolli

Ai ka thënë se për dorëheqjen e kryetarëve në veri nuk nevojitet ndonjë ligj për referendum, por vetëm të miratohen rregulloret përkatëse në kuadrin ligjor nga KQZ mbi modalitetet se si do të shkojë procesi i votimit dhe i verifikimit.

“Kemi të bëjmë me referendum klasik, nuk nevojitet ligj për referendum, ajo që duhet të plotësohet në kuadrin ligjor është vetëm që të miratohen rregulloret përkatëse nga KQZ mbi modalitetet se si do të bëhet procesi i votimit dhe si do të bëhet mënyra e vlefshmërisë së verifikimit të nënshkrimeve, si është arritur niveli 20%, si do të garantohet pjesëmarrja, kërkon mbi 50% të votuesve të dalin në zgjedhje”.

Ndërkaq, sipas Arifit, me rregullore dhe me ligj administrativ nuk rregullohen çështjet politike, të cilën e ka quajtur “degradim” të politikës nga qeveria e Kosovës, pasi, siç thotë ai, kjo anomali reflekton pastaj edhe në procese të tjera.

“Në vend se të flasim për marrëveshje politike gjithëpërfshirëse ku sqarohen të gjitha gjërat, po merremi me menaxhimin e krizës në veri, degradim i politikës nga Qeveria e Kosovës. Shfaqet edhe moskuptim dhe mosnjohuri të thella në politikën e jashtme, që reflektojnë në procese të tjera. Mund të bëhet, referendumi merr kohë, por duhet marrëveshje politike me serbët dhe Serbinë për këtë çështje që ka të bëjë me Kosovën”, ka theksuar Arifi.

Cakolli thotë se nëse serbët nuk marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhje të reja, atëherë Kosova mund të hyjë në një rreth vicioz të krizave kushtetuese.

“Mund të ketë rrezik që serbët të mos marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhje të reja, do ta fuste Kosovën në krizë tepër serioze kushtetuese, nëse nuk marrin pjesë në procesin e ardhshëm zgjedhor, ata do ta shfrytëzojnë mekanizmin e largimit të kryetarëve përmes peticioneve në vazhdimësi, në një rreth vicioz të krizave institucionale në katër komunat veriore”, ka theksuar Cakolli.

Sipas tij, është jashtë domenit të qeverisë të nxjerrë një akt ligjor, ekzekutiv, pasi qeveria mund t’i kontribuojë situatës vetëm në kuadër të zhvillimit të dialogut me palën serbe dhe faktorin ndërkombëtar.

Se a do të ketë shtensionim të situatës në veri nëse merren hapat konkretë nga Qeveria e Kosovës që janë kërkuar nga BE-ja, Cakolli ka thënë se Kosova është konstruktive në adresimin e kërkesave të faktorit ndërkombëtar.

Për të, pa një zgjedhje afatgjatë politike nuk mund të ketë qetësi në veri, vetëm blerje të kohës deri në një pikë tjetër kur mund të ketë tensionim të situatës.

“Unë konsideroj se pala kosovare është treguar më se gjeneroze në adresimin e kërkesave të faktorit ndërkombëtar dhe palës serbe, duke përfshirë largimin e policisë, fillimin e largimit të kryetarëve përmes peticionit. Mendoj se do të arrihet depërshkallëzimi, do të jetë e lidhur drejtpërdrejt me suksesin në dialogun, pa pasë një zgjedhje afatgjate politike, pa u marrë me problemin bazik që nuk është pozita e kryetarëve apo qeverisja lokale, por çështja e Asociacionit, nuk do të ketë qetësi në veri, vetëm do të blihet kohë përkohësisht deri në një pikë tjetër kur të ketë tensionim të situatës për një arsye apo tjetër”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, Arifi konsideron se Kosova duhet të jetë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE) nëse dëshiron që të mbajë zgjedhjet në veri dhe të mos merret me problemet dytësore por ato bazike.

“Kosova duhet të jetë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, ShBA-BE, që nëse ne kërkojmë dorëheqjen e kryetarëve për arsye të ndryshme, për ndonjë sëmundje të caktuar, nga pamundësia të operojnë në vendet e punës, nëse ka koordinim me ShBA-në që këto zgjedhje të mbahen, kjo d.m.th. është një kohë optimale, që i jep përparësi Kosovës ndaj ndërkombëtarëve dhe serbëve. Duhet ta shohim fotografinë më të gjerë, jo kaq të ngushtë. Pa një marrëveshje politike, pa zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, nuk po shoh se do të ketë stabilitet afatgjatë, ky është vetëm menaxhim i krizës, jo zgjidhja e problemit, çdo ikje, çdo devijim nga problemi kryesor, duke u marrë me ato dytësore, po ia vështirëson punën vetvetes dhe secilit punën në raport me veriun, serbët, BE-në dhe marrëveshjen të cilën vetë e ka pranuar”, ka përfunduar Arifi.

Ndryshe, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka konfirmuar të mërkurën se një udhëzim administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit, do të jetë gati në shtator.

Punimi i një udhëzimi të tillë administrativ vjen në kohën kur Kosovës është duke iu kërkuar me ngulm nga Bashkimi Evropian (BE) të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

“Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë drafit e udhëzimit administrativ… dhe mandej të jetë gati nga shtatori si udhëzim administrativ në të cilin mund të deklarohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi, më 2 gusht, gjatë përurimit të një salle sportive në një fshat të Lipjanit.

Ndërkaq, sot, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të reja në komunat veriore nuk ka të bëjë fare me referendum.

Osmani ka thënë se ekzistojnë dy mundësi për mbajtje të zgjedhjeve të reja: që kryetarët të japin dorëheqje apo që qytetarët e këtyre komunave të kërkojnë përmes peticionit që të niset procedura e largimit të kryetarëve.

“Iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj, pra ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave të drejtën që përmes peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune përmes votës. Pra, nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se aktualisht pritet që të gjitha çështjet teknike të përcaktohen përmes një udhëzimi administrativ dhe që një grup punues, i krijuar për këtë punë, ta bëjë punën e vet.

“Sapo të krijohet baza ligjore, qytetarët e këtyre komunave do të mund ta dorëzojnë peticionin. Ky peticion duhet të vijë nga trupa votuese, nga votuesit e regjistruar”.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që t’i organizojë këto zgjedhje për t’i ulur tensionet.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika