Një 25-vjeçar, aktualisht i dënuar me 12 vite e gjysmë burgim për pesë vepra penale të vjedhjes, rrëfen historinë e tij të kthesës së papritur nga një jetë e zakonshme në atë të krimit në emisionin “Prapa Grilave” me Liridon Llozani në RTV Dukagjini.
Ai e përshkruan veten si një djalë problematik në rini, por që nuk e kishte kuptuar se sjelljet e tij do ta çonin në burg.
“Kam pasur lokal me një shok, merresha me sport, me ushqim, me jetë të thjeshtë. Pastaj ndodhi një gabim që ma ndërpreu gjithçka në mes”, shprehet ai.
Vjedhja e parë, sipas tij, ndodhi nën ndikimin e një shoku, kur u futën në një shtëpi dhe morën stoli ari me vlerë deri në 6 mijë euro. Pas saj erdhën edhe katër vjedhje të tjera, të cilat i pranon se i kreu i vetëm, përveç njërës për të cilën thotë se është dënuar padrejtësisht. Dënimi unik për të gjitha veprat ishte 12 vite e gjysmë.
“Kam qenë i maskuar, nuk kisha armë, por kur më arrestuan, më rrethuan me tri patrulla. Po të mos më kishin zënë, do të kisha vazhduar, më dukej sikur po fitoja para të shpejta, por në të vërtetë isha duke e humbur gjithçka”, rrëfen ai.
Përkundër faktit se kishte punuar në gastronomi dhe kishte provuar të ndërtonte një të ardhme normale, ai tregon se shoqëria dhe mungesa e vëmendjes prindërore ishin faktorët që e shtynë drejt vjedhjeve.
“Babai im punonte gjithë ditën, nëna po ashtu. Askush nuk ishte në shtëpi për të më kontrolluar”, rrëfen ai.
Vjedhjet, sipas tij, ishin të shoqëruara me një ndjesi të rreme të adrenalinës dhe fitimit të lehtë. Por kur e kuptoi çmimin, burgimi, ndarja nga familja, humbja e babait gjatë pandemisë pa pasur mundësi të jetë pranë, gjithçka mori një tjetër kuptim.
“Isha në varrim me duart e lidhura. Ajo ishte dita më e rëndë e jetës sime. Nëna e ka mbajtur barrën më të madhe, punon e vetme për të na mbajtur të gjithëve”, thotë ai me një zë pendese.
Ai pranon se familja në një periudhë ia kishte kthyer shpinën, por tani që ai është penduar dhe po përpiqet të ndryshojë, ka rikthyer besimin e tyre.
“Vetëm familja të qëndron afër. Shoqëria të harron sapo futesh në burg”, rrëfen ai.
Në burg, ai është përfshirë në aktivitete të ndryshme, punon në kuzhinë dhe merret me sport, për të mbajtur veten aktiv. Por gjithçka nuk është aq e lehtë, shprehet ai duke shtuar se ka kaluar periudha të errëta mendore dhe e ka ndjerë peshën e mungesës së lirisë dhe afërsisë familjare.
“Burgu është si një shkollë që të mëson çfarë nuk duhet të bësh më. Unë kam marrë shumë mësime dhe dua vetëm të dal, të ndihmoj familjen, të kthehem në jetë normale”, rrëfen i riu.
Në fund, ai ka një apel për të rinjtë.
“Mos bëni vjedhje, mos provoni drogë, mos hyni në atë rrugë. E kam provuar vetë dhe kam parë se ku përfundon gjithçka, në errësirë, me shpresa të thyera dhe me 2920 ditë e netë për të menduar vetëm një gjë: A do kisha mundur të bëja ndryshe?”, pyet ai.
Ai mbetet i dënuar edhe për 8 vite të tjera, me shpresën se do të përfitojë nga mundësia për lirim me kusht, që për të është më shumë se një term ligjor, është drita në fund të tunelit.