Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, do t’i shkojë në takim Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, Lulëzim Blaka, Drejtor i Informimit në AAK.
Për dallim nga AAK, partia më e madhë opozitare në vend, LDK, e ka refuzuar ftesën e Kurtit.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka bërë të ditur zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e cila ka theksuar se lidhur me temën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Kurti duhet të raportojë vetëm në kuvend.
“Aty, LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak. Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke”, ka deklaruar Halimi.
Ndërkaq, PDK ende nuk e ka konfirmuar se a do të shkojë në takim apo jo.
Të mërkurën e 19 tetorit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim të gjithë krerët e partive opozitare në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se takimi pritet të mbahet të premten gjatë mesditës.