Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të hënën e 14 nëntorit është takuar me 25 ushtaret e reja të FSK-së.
Në një njoftim në Facebook, Mehaj ka thënë se gjatë këtij takimi u ka rikujtuar se një ndër objektivat e tij kryesore është rritja e përqindjes së vajzave dhe grave në FSK, sepse Ushtria duhet të reflektojë përbërjen e popullit.
“Ne besojmë thellësisht se si burrat, edhe vajzat e gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e vdesin për të, siç e kanë dëshmuar fuqishëm në të gjitha periudhat e historisë sonë të lavdishme. Vajzat dhe gratë e FSK-së janë vazhdimësia e fuqishme e vlerave të lirisë sonë dhe historisë së lavdishme të Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

Gjatë këtij takimi, ushtaret e reja patën rastin të përshkruajnë rrugëtimin e tyre që nga aplikimi dhe deri tek dita e dhënies së betimit si ushtare të FSK-së, duke e përshkruar atë si ditën më të lumtur të jetës së tyre dhe te familjarëve.
“Ato theksuan se duke para se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, si institucione me besueshmërinë më të lartë në vend, si dhe transparencën dhe objektivitetin gjatë proceseve të mëparshme të rekrutimit, u dhanë motiv të lartë për të aplikuar dhe për të realizuar ëndrrat e tyre për të veshur uniformën ushtarake, në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, vijon njoftimi.
Në fund të këtij takimi, ministri Mehaj ka kërkuar nga to që të japin kontributin e tyre për të ftuar të rejat e vendit që të përgatiten për aplikimin në konkursin e ardhshëm që pritet të hapet më datë 28 nëntor të këtij viti.