Jep dorëheqje kryeministrja e Zelandës së Re

Jacinda Ardern ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministres së Zelandës së Re, duke thënë se nuk i ka mbetur shumë energji për të udhëhequr.

Deputetët e Partisë Laburiste do të votojnë të dielën për zëvendësimin e saj.

Njoftimi i Ardernit ka ardhur teksa sondazhet kanë treguar se partia e saj po përballet me sfidë të vështirë në zgjedhjet e këtij viti, të cilat mbahen më 14 tetor.

Arden, 42-vjeçare, ka thënë se gjatë pushimeve verore ka pasur kohë që të analizojë të ardhmen e saj, duke shpresuar se do të gjejë energji për të vazhduar.

“Fatkeqësisht nuk e kam gjetur, dhe unë do t’i bëja shërbim të keq Zelandës së Re nëse do të vazhdoja”, u ka thënë ajo gazetarëve, shkruan REL.

Ardern do të qëndrojë në pushtet deri më 7 shkurt.

Nëse asnjëri prej pasardhësve të saj nuk do ta gëzojë mbështetjen e dy të tretave të partisë, votimi do të bartet te anëtarësia e Partisë Laburiste.

Më 2017, kur është zgjedhur kryeministre, Ardern ka qenë gruaja më e re në botë në krye të një qeverie, vetëm 37-vjeçare.

Ajo e ka udhëhequr Zelandën e Re përgjatë pandemisë së koronavirusit, të shtënave në xhamitë në Kristçërç dhe në kohën e një shpërthimi vullkanik.

Ajo ka thënë se pesë vjetët e fundit e kanë përmbushur më së shumti, mirëpo udhëheqja e një shteti gjatë “krizave” ka qenë e vështirë.

Edhe pse kur është zgjedhur është konsideruar yll politik global, në sondazhet e fundit popullariteti i saj ka qenë në nivelet më të ulëta.

Ajo i ka thënë transmetuesit britanik BBC, më 2022, se ulja e popullaritetit ka qenë çmimi që duhet të paguajë Qeveria e saj për mbajtjen e njerëzve të sigurt gjatë pandemisë.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika