Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefki Pajaziti, ka ndërruar jetë të mërkurën e 22 shkurtit.
Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të FSK-së, ku thuhet se Pajaziti ndërroi jetë pas një sulmi kardiak.
“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se ka ndërruar jetë nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rreshter shtabor Shefki Sylejman Pajaziti, dje në orët e vona të mbrëmjes pas një sulmi kardiak.
Në emër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës i shprehim ngushëllime familjes, të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe bashkëluftëtarëve.
Për ceremoninë e varrimit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim.
Pajaziti kishte shërbyer në Zonën Operative të Shalës.
Ai pas luftës kishte shërbyer edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Mitrovicë.