Arton Hoti, invalid i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UÇK), në mes emocionesh, ka rrëfyer se si ka ndodhur masakra e Izbicës para 24 vjetësh.
Në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini, Hoti ka thënë se kjo ishte dita më e hidhur e jetës së tij.
“Unë personalisht e kam gjyshen 99-vjecare të masakruar, shpresat i kemi në dhe, asnjëherë nuk ka qenë askush të na vizitojë”, ka thënë Hoti.
“28 mars 1999 ishte ditë e Bajramit, ishte ditë më e hidhur e jetës sime, kishte ndodhur një masakër sepse serbët kanë ardhur prej Serbisë, na nxorën nga shtëpitë vetëm pse ishim shqiptarë”, ka thënë Hoti.
Ai ka rrëfyer me plot emocione se si një fëmijë gjashtëmuajsh e kishin ndarë nga nëna e kishin futur në rimorkio, e pastaj e kishin djegur për së gjalli.
“U vrajtën 147 persona, ndër ta fëmijë, gra e të moshuar. Ishim me bashkëluftëtarët, ishim organizuar gjithë brigada për varrimin e tyre, ishte rrezikuar nga ndonjë sëmundje nga kundërmimi i erërave, vinte era gjak. Masakra ka qenë në Izbicë, kam marrë pjesë edhe në masakrën e Likoshanit, mbi 400 masakra në territorin e Kosovës. Një fëmijë gjashtëmuajsh e kishin ndarë nga nëna e kishin futur në rimorkio, dhe pastaj e kishin djegur për së gjalli”, ka vijuar rrëfimin Hoti.
“Kam parë plot ngjarje tmerruese, plak 87-vjecar kokën e tij të hequr, fëmijë me duar të këputura, donin të na zhduknin nga faqja e dheut vetëm pse jemi shqiptarë”.
Ndryshe, sot u shënua 24-vjetori i masakrës së Izbicës së Skenderajt.