Shqipëria nis regjistrimin e popullsisë javën e ardhshme

Më 18 shtator në Shqipëri do të nisë regjistrimi i popullsisë dhe i shtëpive. Ky proces është përgatitur që katër vjet

Më 18 shtator në Shqipëri do të nisë regjistrimi i popullsisë dhe i shtëpive. Ky proces është përgatitur që katër vjet. Ai fillimisht ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19, e më pas për, siç është thënë, “mossigurimit me kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për media më 13 shtator tha se regjistrimi është operacioni më i rëndësishëm statistikor për të “lexuar të sotme dhe zhvilluar të ardhmen”.

“Është e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real që askush të mos thotë as që janë shumë dhe i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak, e duke qenë pak jeni një vend që nuk meritoni vëmendjen që pretendoni”, tha Rama.

Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, theksoi se është e rëndësishme që ky regjistrim të ketë informacion të besueshëm statistikor.

Ai tha se BE-ja ka dhënë 4.8 milionë euro grante për agjencinë e statistikave (INSTAT) për të mbështetur këtë proces.

“Ky aktivitet ka rëndësi jo vetëm për të ofruar informacione për vendimmarrësit dhe hartuesit e politikave, bazuar në shifra, por edhe për vetë lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore. Gjithashtu do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në vend, të ndërtesave dhe banesave”, tha drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli.

Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.

Në modulin për individ do të përfshihet një informacion i gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet më 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.

Për regjistrimin e popullsisë do të angazhohen 7.500 persona. Ky do të jetë regjistrimi i dymbëdhjetë i popullsisë në Shqipëri./REL

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika