Objekti më i famshëm i Prizrenit pati një arsye më shumë për tu vizituar këtë të premte.
Bëhet fjalë për objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që në këtë ditë festoi 144 vjetorin e saj, për çka pati vizitorë mjaft të veçantë.
Madje për të kremtuar këtë përvjetor kishin ardhur mysafirë edhe nga Londra.
“Sa herë që vijmë në Kosovë ja ofrojmë vetës të drejtën që të vijmë këtu me krenari dhe kënaqësi të veçantë sepse ky vend është i shenjtë për historinë e shqiptarëve”, ka thënë një qytetar, Xhemail Peci.

Rrëfim të veçantë për Lidhjen e Prizrenit ka gazetari Shaqir Foniqi.
Ai kishte raportuar për 100 vjetorin e Lidhjes, 44 vjet më parë.
“Kjo ngjarje është pikërisht kronika e parë e imja si gazetar, pikërisht para 44 vitesh unë kam raportuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në atë kohë për RTP-në. Dhe që nga atëherë kam ndjekur çdo aktivitet të kësaj lidhje”, ka thënë Foniqi.

Përveç vizitorëve në këtë ditë janë mbledhur edhe kryetarë të komunave kryesore të trojeve shqiptare.
Kryetarët nga kryeqendrat e Kosovës, Shqipërisë dhe të komunave shqiptare në Maqedoni Veriore e në Luginë të Preshevës, takimin e së premtes e quajtën Lidhja Moderne e Prizrenit.
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare politike e organizuar, e cila për qëllim kishte bashkimin e trojeve shqiptare nga sundimi osman.