Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, për protestën e nesërme të veteranëve, ka bërë thirrje që protesta të jetë e qetë dhe me dinjitet.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i AAK-së ka thënë se fatkeqësisht me miratimin në lexim të parë të Ligjit për pagën minimale, qeveria dhe shumica parlamentare kanë shkelur të drejtat dhe dinjitetin e luftëtarëve të lirisë.
“Prandaj edhe protesta e veteranëve e thirrur për nesër është plotësisht e drejtë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë, që ta tërheqë këtë ligj, ta korrigjojë e t’i përfshijë kategoritë e lirisë brenda tij, dhe ta risjellë në Parlament për votim.
“Është me interes që gabimi i bërë të korrigjohet”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndryshe, kalimi në lexim të parë i projektligjit për pagën minimale, në të cilën nuk parashihet nivelizimi i pensionit të veteranit në të, ka shtyer këta të fundit që të organizojnë një protestë gjithëpopullore me datë 16 qershor.
Nga kjo organizatë është e papranushme kalimi i tij pa përfshirjen e tyre.
Kjo protestë pritet të mbahet të enjten duke filluar nga ora 9:30, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.