Sonte në ora 19:00, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça do të përballet me Bashkimin në ndeshjen e gjashtë të serisë finale të plejofit.
“Xehtarët” synojnë ta mbyllin serinë me arpagjikët dhe të shpallën kampion të Superligës së Kosovës në basketboll për të dytin vit radhazi.
Zyrtari i skuadrës së Trepçës, Valdrin Haxhiu, ka deklaruar për Radio Dukagjini se synimi i skuadrës është ta mbyllë serinë sonte dhe të mos lejojë zhvillimin e një ndeshjeje të shtatë.
“Në Mitrovicë është shumë vështirë të luash. Përveç presionit që ndjejnë lojtarët e Bashkimit, edhe më i madh është ai te lojtarët tanë, sepse para tifozëve tanë, kur dëshiron të japësh maksimumin, ndonjëherë ndodh që edhe dështon. Ne kemi punuar me ekipin edhe në aspektin psikologjik për të qartësuar se çfarë kërkojmë, dhe besoj se sonte do ta përfundojmë – nuk do të ketë lojë të shtatë”, tha Haxhiu për Radio Dukagjini.
Bashkimi nuk ka arritur asnjë fitore në Mitrovicë këtë sezon, por basketbollisti prizrenas Altin Morina beson se sonte do të jetë ndryshe.
“Do të jetë e treta e vërtetë, pasi në dy ndeshjet e kaluara kemi qenë afër. Sonte është mundësia jonë dhe besoj se do të kthehemi në Prizren me synimin për ta kthyer serinë, sepse e meriton gjithë qyteti”, tha Morina për Radio Dukagjini.
Në palestrën “Minatori”, e cila ndodhet pranë lumit Ibër, interesimi për këtë sfidë ka qenë i jashtëzakonshëm. Qindra tifozë u panë në radhë që në orët e hershme të mëngjesit, rreth tri orë para hapjes zyrtare të shitjes së biletave.
Aktualisht, Trepça udhëheq serinë me rezultat 3:2 ndaj Bashkimit dhe, në rast fitoreje sonte, shpallet kampione e Kosovës. Ndërkaq, skuadra prizrenase synon të barazojë serinë në 3:3 dhe të çojë duelin në një ndeshje të shtatë vendimtare.
Trepça është në kërkim të titullit të saj të pestë në histori, ndërsa Bashkimi synon të fitojë titullin e dytë kampion të Kosovës.