Kosova është kthyer sërish në agjendë të SHBA’ve të paktën deklarativisht dhe në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se gjatë mandatit të tij të parë kishte ndalur një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë vetes meritat. Bëhet fjalë për marrëveshjen e Washingtonit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur me ndërmjetësimin e tij. “Unë e ndala. Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime të këqija, por unë do ta rregulloj përsëri”, deklaroi Trump.
Pjesa më e madhe e marrëveshjes së Washingtonit nuk është zbatuar nga asnjëra palë, por presidenti amerikan e sheh atë si një lloj sigurese që të mos rikthehet konflikti ndërmjet dy vendeve. Ndërkaq, mbetet e pqaratë se me cilat vendime e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë ish-presidenti Joe Biden dhe kur e si “do ta rregullojë” përsëri Trump.
Në Prishtinë deklaratat e Trumpit janë pritur me entuziazëm e skepticizëm – varet për cilën fjalë bëhet fjalë. Disa përfaqësues politikë kanë vlerësuar rikthimin e Kosovës në deklarimet e Trumpit, duke folur me entuziazëm. Të tjerët kanë heshtur, duke reflektuar frikë e pasiguri.
Zakonisht kur përmendet Trump dhe raportet Kosovë-Serbi nis të diskutohet mundësia e korrigjimit të kufijve, përkatësisht shkmëbimit të territoreve. Megjithatë, për një zgjidhje të tillë nevojitet pajtimi i palëve, gjë që tash për tash në Prishtinë nuk tumiret.
Në anën tjetër, më shumë se një dekadë dialog ndërmjet dy vendeve nuk ka sjellë zgjidhjen përfundimtare, duke shënuar kështu paaftësinë e Bashkimit Europian për të meanxhuar procesin suksesshëm. Kjo situatë tregon nevojën e ndërhyrjes amerikane, që tash për tash përmblidhet në deklaratën e Trumpit se “do ta rregullojë përsëri” perspektivën afatgjatë të dëmtuar nga Bidem me “vendime të këqija”. Por, ky paralajmërim duhet të jetë alarm për politikanët në Prishtinë, që të jenë gati për propozimet që mund të vijnë nga Washingtoni. Trump njihet për paparashikueshmërinë e tij në marrjen e vendimeve, gjë që politikëbërësit kosovarë duhet t’i bëjë më të përgjegjshëm.
* * *
Më në fund ka gjasa që ngërçi politik të zgjidhet. Të enjten Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me kushtetutën. Sipas gjykatës, afati 30 ditësh është akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses, nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve. Po ashtu, gjykata ka konstatuar se subjekti i parë, edhe pse e ka të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit, nuk ka të drejtë të bllokojë, si dhe duhet të konsultohet dhe është e obliguar të konsultohet me partitë e tjera.
Kështu Gjykata Kushtetuese, në njëfarë forme, shpërfaqi paaftësinë e partive politike, veçanërisht të Lëvizjes Vetëvendosje për ta konstituuar Kuvendin dhe i obligon që ta kryejnë punën që është dashur ta kryejnë tash sa kohë. Gjykata me aktgjykimin e vet i jep fund masakaradës që ka nisur qysh më 15 prill, me deputetë që mblidhen çdo dy ditë pa kryer asnjë punë dhe që paguhen për punën që s’e bëjnë.
Tash obligohet partia më e madhe që të bëjë kompromis dhe të gjejë zgjidhje. Se përgjegjësia më e madhe i takon partisë më të madhe është thënë e stërthënë, ndërkaq tash u desh që një gjë të tillë ta konfirmojë edhe gjykata.
Zvarritja e krijimit të institucioneve të reja ka shpërfaqur joseriozitetin e politikës, por edhe e ka dëmtuar vendin në qasjen ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Është e domosdoshme një diplomaci e fortë për t’iu qasur seriozisht zhvillimeve dhe ndryshimeve gjeopolitike. Është e domosdoshme krijimi sa më i shpejtë i qeverisë, për t’i dhënë përgjigje Trumpit.