Mobilizimi ushtarak ka qenë gjithmonë një çështje e vështirë për Bashkimin Evropian, njësoj si krijimi i një ushtrie të përbashkët. Por ajo që deri para pak vitesh shmangej, tani është bërë e pashmangshme. Gjermania kërkon që Bundeswehri të jetë i aftë për luftë deri në vitin 2029, BE-ja ka vendosur objektivin “Readiness 2030”, ndërsa NATO kërkon që aleatët t’i rrisin shpenzimet e përgjithshme të mbrojtjes në 5% të GDP-së deri më 2035. Këto data nuk parashikojnë fillimin e luftës, por tregojnë se Evropa ende nuk i ka kapacitetet për një konflikt të gjatë dhe me intensitet të lartë.
Ky boshllëk mobilizues ka nxitur SHBA-në, gjegjësisht Presidentin Donald Trump për presion ndaj vendeve evropiane, duke kërkuar që këta të fundit të marrin mbi vete një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë. Rritja e konkurrencës së SHBA-së më Kinën kërkon gjithnjë e më shumë vëmendje dhe burime amerikane. Në gjithë këtë, Perëndimi është duke blerë kohë për ta rritur prodhimin e armëve, rezervat e municioneve, mbrojtjen ajrore, numrin e forcave dhe mobilitetin ushtarak, përfshirë edhe projektin e “Shengenit Ushtarak”. Në të njëjtën kohë, Evropa po përpiqet ta zvogëlojë varësinë e saj nga SHBA-ja edhe në teknologji, financa, sisteme pagesash dhe infrastrukturë digjitale. Kjo tregon se mobilizimi evropian nuk është vetëm ushtarak, por pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për autonomi strategjike.
Por përderisa mobilizimi është një shenjë fuqie e së ardhmes, ajo mund të jetë edhe shenjë e një dobësie të së tashmes. Kur një sistem deklaron se i nevojiten disa vite për tu përgatitur për luftë, kundërshtarët e tij kuptojnë se Perëndimi e ka identifikuar kërcënimin, por end nuk është gati ta përballojë atë plotësisht.
Dritarja përpara mobilizimit perëndimor
Kjo periudhë mobilizimi e krijon një dritare strategjike se perëndimi po bëhet më i fortë dhe gjatë këtij tranzicioni mbetet i kujdesshëm dhe i përqendruar në menaxhimin e krizave duke mos pasur gatishmëri për përballje të drejtpërdrejtë.
Mirëpo kjo qasje për liderin rus Vladimir Putin paraqitet me një formulë tjetër: “Nëse përleshja është e pashmangshme, duhet të godasësh i pari”. Putini këtë e ka thënë si një mësim personal dhe logjikë vetëmbrojtëse e jo si shpallje zyrtare të luftë parandaluese, por formula e tij krijon premisën se nëse një konflikt është bërë i pashmangshëm, atëherë mund të justifikojë reagimin përpara kundërshtarit.
Aleati më i madh publik i Putinit në Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht në Serbi, Aleksandër Vulin, në një intervistë të tij së fundmi ka shtruar çështjen se pse Moska duhet të presë deri në vitin 2030, kur sipas tij Evropa do të jetë e gatshme për një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Sipas tij ky veprim ekstrem ushtarak është reagim i detyruar ndaj një kërcënimi të ardhshëm nga Perëndimi.
Këto deklarata nuk dëshmojnë ndonjë plan të përbashkët për fillimin e luftës para vitit 2029, por konfirmojnë një mënyrë të përbashkët të të menduarit: nëse kundërshtari do të jetë më i fuqishëm pas disa vitesh, pritja nuk është paqe, por humbje e iniciativës. Vulini e shpreh hapur atë që të tjerët e mbulojnë me terma si frenim, vetëmbrojtje, siguri e pandashme apo rend multipolar.
Tani për tani, Perëndimi në raport me Rusinë po ndjek një politikë presioni të kontrolluar duke e mbështetur Ukrainën dhe duke vendosur sanksione e kufizuar qasjen e Moskës në teknologji. Mirëpo, vazhdimisht i shmanget përplasjes së drejtpërdrejt ndërmjet NATO-së dhe Rusisë. Logjika mund të qëndrojë tek shmangia e një rreziku bërthamor, por në të njëjtën kohë po i jepet Rusisë kohë për t’u përshtatur, mobilizuar ekonominë dhe për ta rritur prodhimin ushtarak.
Andaj, problemi që lind është se koha që perëndimi po blen, nuk i takon vetëm perëndimit.
Kjo kohë po shfrytëzohet nga kundërshtarët e Perëndimit edhe për dobësimin e tij nga brenda. Dezinformimi, polarizimi politik, radikalizimi dhe humbja e besimit në institucione shpërqendrojnë shoqëritë nga kërcënimet strategjike dhe zvogëlojnë aftësinë e tyre për veprim të përbashkët. Kështu, Perëndimi mund të bëhet më i fortë ushtarakisht, por njëkohësisht më i fragmentuar politikisht dhe shoqërisht gjatë procesit të mobilizimit.
Multipolarizmi po fiton terren gjatë pritjes
Kjo periudhë e mobilizimit perëndimor është duke i dhënë hapësirë konsolidimit të skenarit “multipolarist”. Ky skenar nuk mbështetet vetëm në ngritjen ekonomike të vendeve si Kina apo zgjerimin e BRICS-it, por edhe në një narrativë politike që kundërshton epërsinë perëndimore dhe kërkon një rishpërndarje të fuqisë globale.
Vladimir Putin këtë vizion e ka përshkruar duke thënë se Rusia duhet të zhvillohet si “një nga qendrat e një bote më të drejtë multipolare që tani po merr formë”. Pra, multipolarizmi në strategjinë ruse nuk ka të bëjë vetëm me shpërndarjen e fuqisë ndërmjet disa shteteve, por me ndryshimin e vetë rendit ndërkombëtar. Në këtë vizion, Rusia nuk e sheh veten vetëm si një fuqi tradicionale, por si një civilizim i veçantë me interesat, rrugën dhe hapësirën e vet strategjike.
Këtë ide e ka marrë edhe Serbia dhe e ka përkthyer në nivel ballkanik, ku për ta dobësimi i rendit perëndimor dhe ngritja e qendrave të reja të fuqisë krijojnë mundësi që Serbia të dalë nga kufizimet e rendit euroatlantik dhe të realizojë objektivat e saj kombëtare.
Në këtë skenar, Rusia dhe Kina nuk kanë nevojë ta mposhtin menjëherë Perëndimin në një përballje të drejtpërdrejtë. Mjafton t’ia zvogëlojnë aftësinë për të reaguar në mënyrë efektive në hapësirat ku ka interesa strategjike, ta lodhin përmes angazhimeve të gjata dhe konflikteve të pazgjidhura, si dhe të krijojnë perceptimin se rendi perëndimor nuk është më garantuesi i vetëm i stabilitetit dhe fuqisë.
Përmes zgjerimit të BRICS-it, mekanizmave alternativë financiarë, përdorimit më të madh të monedhave kombëtare dhe forcimit të lidhjeve energjetike, teknologjike e ushtarake, Rusia dhe Kina po ndërtojnë alternativa që e dobësojnë gradualisht ekskluzivitetin perëndimor. Rendi aktual nuk po zëvendësohet menjëherë, por po fragmentohet: sa më shumë alternativa të kenë shtetet jashtë strukturave tradicionale perëndimore, aq më shumë zvogëlohet aftësia e Perëndimit për të përdorur instrumentet e tij të ndikimit.
Këtu qëndron paradoksi strategjik. Mobilizimi është i nevojshëm për ruajtjen e kapaciteteve mbrojtëse, por angazhimi i zgjatur në kriza konsumon burime politike, ekonomike dhe ushtarake, duke u krijuar rivalëve hapësirë për zgjerim. Rusia dhe Kina nuk kanë nevojë ta rrëzojnë Perëndimin përmes një përplasjeje të vetme; u mjafton një sistem ku ai mbetet aktor i rëndësishëm, por jo më qendra e vetme që përcakton rregullat, institucionet dhe kufijtë e veprimit ndërkombëtar.
Kjo është pikërisht hapësira ku përfitojnë edhe shtete si Serbia pasi një sistem ku konkurrenca ndërmjet qendrave të fuqisë rritet, edhe shtetet më të vogla fitojnë më shumë hapësirë për manovrim.
Pas Perëndimit nuk vjen domosdoshmërisht paqja
Rënia e Perëndimit apo dobësimi i saj nuk garanton një botë më paqësore apo më të drejtë. Kjo për faktin se aktorët të cilët bashkohen kundër perëndimit nuk kanë një vizion të përbashkët administrimit të botës.
Kina, Rusia, India, Irani, Brazili, fuqitë e Gjirit dhe shtete të tjera, të gjitha kanë interesa, modele politike dhe rivalitete të ndryshme. Nuk kanë një qasje të përbashkët të pranuar e as ndonjë arkitekturë të përbashkët sigurie e aq më pak mekanizma të detyrueshëm për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet tyre.
Po aq gjatë sa perëndimi është kundërshtari i tyre kryesor, multipolaristët mund t’i lënë mënjanë këto dallime, por nëse qendra perëndimore dobësohet rëndë, atëherë lind boshllëku udhëheqës dhe pyetja që do të lindte ishte se kush do ta mbush atë. Atëherë mund të dalin në plan të parë rivalitetet si ai ndërmjet Kinës dhe Indisë, pastaj asimetria e raporteve Kinë-Rusi, konkurrenca ndërmjet Iranit dhe fuqive arabe, e po ashtu edhe gara për udhëheqjen e Jugut Global.
Pra, BRICS-i mund të jetë një koalicion i aftë për të kundërshtuar, por jo domosdoshmërisht një koalicion i aftë për të qeverisur.
Tashmë e kemi një analogji historike të periudhës ndërmjet Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Mësimet nga kjo periudhë nuk duhet shpërfillur sepse Lufta e Parë Botërore arriti të shkatërroj rendin e vjetër, por nuk prodhoi një sistem pasardhës me legjitimitet dhe ekuilibër. Fuqitë e kohës e përdorën këtë boshllëk dhe krijuan kushtet të cilat nuk do e mbyllnin konkurrencën por do të krijonin kushtet për një luftë tjetër.
Andaj, edhe dobësimi i rendit perëndimor mund të mos përfundojë me paqe multipolare, por me konflikte të cilat nuk do e zgjidhnin se kush do të zëvendësojë atë dhe me cilat rregulla.
Fundi i kësaj dekade mund ta nxjerr perëndimin më të fuqishëm ushtarakisht, por potencialisht mund ta gjejë edhe në një botë më pak perëndimore dhe më të paqëndrueshme.
Andaj, çështje këtu nuk është nëse perëndimi do të jetë gati deri në vitin 2029 por sa terren do të ketë humbur deri atëherë apo çfarë rendo do të ketë lindur ndërkohë.
Blerja e shpresës në këmbim të kohës se ajo do të jetë më e fortë gjë që lejon kundërshtarët ta përdorin këtë na mban prapë tek pyetja se kujt po ia dhuron atë kohë?
