Afati kushtetues kaloi. Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua. Kryetari i ri nuk u zgjodh. Dhe, në vend që të përfundojë kriza institucionale, nisi një fazë edhe e rrezikshme e saj: përpjekja për ta interpretuar kushtetutën sipas nevojave politike të momentit.
Kjo nuk është më vetëm çështje e një kandidature për kryetar të Kuvendit. Nuk është as një mosmarrëveshje e zakonshme ndërmjet partive, por është një përplasje mes vullnetit politik të një partie dhe rregullave kushtetuese që duhet të vlejnë për të gjithë.
Albin Kurti nuk po propozon kandidat për kryetar të Kuvendit, por po kërkon kohë shtesë për një marrëveshje më të gjerë politike, e cila nuk do të përfshinte vetëm konstituimin e Kuvendit, por edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike. Në thelb, megjithatë, është një qasje që e shtyn problemin përpara dhe e vendos kushtetutën në pozitën e një dokumenti që mund të negociohet sipas interesave të partive.
Kushtetuta nuk është marrëveshje politike. Ajo nuk mund të ndryshohet me mirëkuptim ndërmjet liderëve. Nuk mund të pezullohet sepse një parti nuk po arrin ta gjejë një formulë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Dhe, aq më pak, nuk mund të përdoret si mjet presioni për t’i detyruar partitë e tjera të hyjnë në një pazar politik për presidentin. Këtu qëndron problemi themelor i qasjes së Kurtit.
Nëse ka një afat kushtetues, ai afat nuk ekziston për dekor. Afatet janë vendosur pikërisht për të parandaluar që institucionet të mbeten peng i vullnetit të një partie apo i kalkulimeve të një lideri politik. Respektimi i tyre është pjesë e rendit kushtetues.
Mosrespektimi i tyre, përderisa kërkohet kohë shtesë për marrëveshje politike, krijon një precedent të rrezikshëm. Sepse pyetja që duhet bërë është e thjeshtë: çfarë ndodh herën tjetër?
Nëse një shumicë parlamentare nuk e ka numrin e nevojshëm për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, a mund të kërkojë afat shtesë? Nëse nuk pajtohet për presidentin, a mund ta mbajë peng konstituimin e Kuvendit derisa të arrihet marrëveshja? Nëse një lider politik mendon se një interpretim i caktuar kushtetues i shërben interesit të tij, a mund ta shtyjë zbatimin e kushtetutës deri në momentin kur i krijohen kushtet politike? Nëse përgjigjja është po, atëherë nuk kemi më një rend kushtetues funksional, por një sistem ku rregullat varen nga forca politike e atij që i interpreton. Dhe ky është pikërisht rreziku i qasjes së Kurtit.
Nuk është problem që Kurti kërkon marrëveshje politike. Në politikë, marrëveshjet janë të domosdoshme. Problemi fillon kur marrëveshja politike tentohet të vendoset mbi detyrimin kushtetues. Kushtetuta nuk mund të bëhet monedhë kusuritjeje.
* * *
Nëse Kurti dëshiron marrëveshje për presidentin, ajo mund të negociohet. Nëse dëshiron garanci politike për një mandat qeverisës, mund të negociojë. Nëse dëshiron mbështetje nga partitë e tjera, duhet t’i bindë. Por nuk mund ta përdorë moskonstituimin e Kuvendit si instrument për t’i detyruar të tjerët të pranojnë një paketë politike. Kjo e zhvendos krizën nga një problem i numrave në Kuvend, në një problem të respektimit të rendit kushtetues.
Dhe përgjegjësia kryesore për këtë vazhdimësi të krizës është e Kurtit. Ai është lideri i forcës politike që ka dalë e para. Ai ka barrën kryesore për të propozuar zgjidhjen. Ai duhet të jetë i pari që e merr seriozisht nevojën për funksionalizimin e institucioneve. Por në vend të kësaj, ai po zgjedh ta zgjasë pasigurinë duke kushtëzuar një hap kushtetues me një marrëveshje shumë më të gjerë politike.
Ky nuk është lidership.
Lidership do të ishte të kuptohej se fitorja në zgjedhje nuk të jep të drejtën për ta interpretuar sistemin sipas dëshirës. Mandati elektoral të jep përgjegjësi, jo privilegj për t’i anashkaluar rregullat. Kur një parti nuk i ka numrat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ajo duhet të negociojë. Por duhet të negociojë brenda kornizës kushtetuese. Nëse nuk arrin marrëveshje, duhet të përballet me pasojat politike të kësaj pamundësie. Nuk mund ta transferojë pafundësisht koston e dështimit tek shteti.
Kosova tashmë ka paguar një çmim të madh për krizën institucionale. Çdo ditë e re pa Kuvend funksional e pa institucione të konsoliduara e thellon pasigurinë politike, ekonomike dhe ndërkombëtare. Por, më shqetësuese se vetë kriza, është normalizimi i saj.
Po krijohet përshtypja se afatet mund të shtyhen, procedurat mund të zvarriten dhe kushtetuta mund të interpretohet në mënyrë elastike sa herë që rezultati politik nuk i konvenon pushtetit. Kjo është një rrugë shumë e rrezikshme.
Demokracia nuk matet vetëm me numrin e votave që merr një lider, por edhe me gatishmërinë e atij lideri për t’iu nënshtruar rregullave kur ato nuk i leverdisin. Ky është testi i vërtetë për Kurtin. Nëse beson në shtetin e së drejtës, duhet ta respektojë kushtetutën edhe kur ajo ia kufizon hapësirën politike. Nëse beson në institucione, duhet t’i funksionalizojë ato edhe kur nuk i ka të gjithë numrat. Nëse beson në demokraci, duhet ta pranojë se marrëveshjet politike ndërtohen nëpërmjet kompromisit, jo bllokimit institucional.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër cikël të krizës. Ka nevojë për Kuvend funksional, për institucione legjitime, për qartësi politike. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një mesazh të qartë: askush, pavarësisht sa vota ka, nuk është mbi kushtetutën. As Albin Kurti.
Kjo krizë nuk do të mbahet mend vetëm si një mosmarrëveshje për kryetarin e Kuvendit, por si momenti kur politika u përpoq ta shtynte kufirin e kushtetutës përtej asaj që lejon ajo. Nëse ky kufi shtyhet sot për një marrëveshje politike, nesër mund të shtyhet për një tjetër. Kjo është arsyeja pse qasja e Kurtit është e rrezikshme. Shteti nuk mund të funksionojë me rregulla që ndryshojnë sa herë ndryshojnë interesat e pushtetit.
