Katër dekada pas Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), pyetja që edhe më tutje meriton vëmendje është: si e përfytyron nacionalizmi serb Kosovën, serbët jashtë kufijve të Serbisë dhe rolin e saj në rajon? Përgjgjet shpërfaqin një vazhdimësi shqetësuese.
Historia politike e Serbisë gjatë katër dekadave të fundit mund të lexohet si një histori e ndryshimit të regjimeve dhe njëkohësisht, e vazhdimësisë së disa prej narrativave themelore nacionaliste. Nga Jugosllavia socialiste te Serbia e sotme, kanë ndryshuar liderët, institucionet, aleancat dhe mjetet e politikës. Por një element ka mbetur tërësisht i njejtë: mënyra se si pjesa më e madhe e elitës politike serbe e ka trajtuar Kosovën dhe çështjen e serbëve jashtë Serbisë. Sipas Aidan Hehir, miti i Kosovës dhe sistemi simbolik i nacionalizmit serb, të konsoliduara gjatë shekullit XIX, u ringjallën dhe u instrumentalizuan nga nacionalistët serbë në vitet 1980, ndërsa Sllobodan Millosheviq dhe regjimi i tij e përdorën këtë narrativë për të mobilizuar mbështetjen politike, duke paraqitur serbët, veçanërisht ata në Kosovë, si një komunitet përballë një kërcënimi ekzistencial (Hehir, 2026: 2). Hehir argumenton se deklaratat e sotme të qeverisë serbe për “spastrimin etnik” të serbëve në Kosovë, nuk janë thjesht reagime ndaj zhvillimeve të tanishme. Sipas tij, ato lidhen me një traditë më të gjatë të nacionalizmit serb, në të cilën serbët e Kosovës paraqiten vazhdimisht si një komunitet i kërcënuar dhe viktimë e një rreziku më të gjerë ndaj Serbisë. Kjo mënyrë e paraqitjes së Kosovës, sipas tij, i ka rrënjët te nacionalizmit serb i zhvilluar gjatë shekullit XIX dhe i rikthyer e përdorur politikisht nga Millosheviqi në vitet 1980. Në këtë kuptim, narrativa e sotme për gjendjen e serbëve në Kosovë mund të shihet si një vazhdim, në një formë të përshtatur me rrethanat aktuale, i një narrative nacionaliste që ka shërbyer për mobilizim politik edhe në të kaluarën (Hehir, 2026:2, 13).
Në qendër të kësaj narrative qëndron viktimizimi: ideja se serbët janë vazhdimisht të kërcënuar, se Serbia është viktimë e padrejtësive historike dhe ndërkombëtare dhe se shteti serb ka një rol të veçantë për të “mbrojtur” serbët edhe jashtë kufijve të tij. Prandaj, logjikshëm rrjedh pyetja: nëse Serbia e vitit 2026 është e njëjtë me atë të vitit 1986, apo çfarë ka ndryshuar në formë dhe çfarë ka mbetur e njëjtë në përmbajtje?
Nga viktimizimi i serbëve te nacionalizmi shtetëror
Humbja e luftës dhe e kontrollit faktik mbi Kosovën në vitin 1999 nuk shënoi fundin e nacionalizmit serb të lidhur me Kosovën. Përkundrazi, ajo solli transformimin e tij. Nëse gjatë viteve 1980 dhe 1990 nacionalizmi serb u mbështet gjithnjë e më shumë në mobilizimin masiv, kontrollin territorial dhe përdorimin e forcës, pas vitit 1999 ky nacionalizëm merr formë institucionale politike përmes ruajtjes së pretendimit territorial, mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, mbështetjes së strukturave paralele serbe në Kosovë, mobilizimit të diplomacisë ndërkombëtare dhe përdorimit të vazhdueshëm të narrativës së viktimizimit. Pas tërheqjes së forcave nga Kosova në vitin 1999, Serbia humbi kontrollin e drejtpërdrejt mbi territorin, por nuk hoqi dorë nga pretendimi politik dhe kushtetues ndaj tij. Kjo çoi në një situatë të re ku Beogradi, ndonëse nuk mund ta ushtronte më sovranitetin mbi Kosovën, vazhdoi të ruante një prani dhe ndikim të konsiderueshëm, veçanërisht përmes komunitetit serb dhe strukturave paralele që vepronin në zonat me shumicë serbe.
Studimi i Van der Borgh dhe Lasance (2013) tregon se pas vitit 1999 autoritetet serbe filluan të rindërtonin institucionet serbe në pjesët e Kosovës ku jetonte një popullsi me shumicë serbe. Këto struktura krijuan forma të qeverisjes paralele, të cilat e mbanin lidhjen politike, administrative dhe financiare ndërmjet Beogradit dhe komunitetit serb në Kosovë (Van Der Borgh & Lasance, 2013:187). Ky zhvillim është i rëndësishëm për të kuptuar transformimin e nacionalizmit shtetëror pas vitit 1999. Serbia nuk kishte mundësi ta kontrollonte Kosovën përmes aparatit të saj të sigurisë në të gjithë territorin, por ruante një prani shtetërore indirekte përmes institucioneve paralele, financimit, arsimit, shëndetësisë dhe strukturave lokale. Në artikullin e tij “Resisting International State Building in Kosovo” (2012), Van Der Borgh argumenton se këto institucione nuk shërbenin vetëm për ofrimin e shërbimeve, por kishin edhe një funksion politik: të forconin praninë e shtetit serb në Kosovë dhe të kundërshtonin subjektivitetin ndërkombëtar dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës (Van Der Borgh, 2012:35-36). Në këtë kuptim, nacionalizmi ndryshoi instrumentin, por jo edhe qëllimin. Objektivi kryesor mbeti ruajtja e lidhjes mes serbëve të Kosovës dhe shtetit serb dhe në një perspektivë më të gjerë, ruajtja e idesë se Kosova nuk ishte dhe s`është një shtet i huaj, por territor që Serbia vazhdon ta konsiderojë pjesë integrale të saj. Kjo është arsyeja pse diskursi nacionalist ka pasoja reale. Kur një komunitet paraqitet vazhdimisht si i kërcënuar, kur një territor paraqitet si i grabitur dhe kur shteti e ndërton identitetin e tij politik mbi “mbrojtjen” e atij komuniteti, kufiri ndërmjet retorikës dhe mobilizimit bëhet shumë i hollë.
Studimet e fundit mbi diskursin politik serb pas vitit 2022 tregojnë se kujtesa historike dhe narrativat e viktimizimit vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën se si elitat politike në Serbi e interpretojnë situatën në Kosovë. Sipas Ismailit dhe Marlekut (2026), elitat politike serbe kanë përdorur në mënyrë të përzgjedhur elemente të narrativave të rezistencës, viktimizimit, martirizimit dhe “luftës mbrojtëse”, për ta paraqitur komunitetin serb në Kosovë si një komunitet të kërcënuar, ndërsa veprimet e tij politike ose të armatosura si forma të justifikueshme të rezistencës. Autorët e lidhin këtë qasje veçanërisht me dy zhvillime: tërheqjen e koordinuar të serbëve të Kosovës nga institucionet në vitin 2022 dhe sulmin në Banjskë në vitin 2023. Sipas tyre, këto nuk duhen parë si episode të shkëputura, por si pjesë e një strategjie më gjithëpërfshirëse të elitave serbe për të përvetësuar dhe riformuluar narrativa historike me qëllim të kontestimit të legjitimitetit politik në Kosovë (Ismaili & Marleku, 2026). Në këtë mënyrë, kujtesa dhe viktimizimi shndërrohen në mjete politike që ndikojnë jo vetëm në perceptimin e të kaluarës, por edhe në mënyrën se si justifikohen tensionet dhe veprimet politike në të tashmen.
“Bota Serbe”: një emër i ri me ide të vjetëra
Në dekadën e fundit është shfaqur gjithnjë e më shpesh koncepti i “Botës Serbe”, një ide që në diskursin politik e kulturor ka për qëllim një lidhje më të fuqishme ndërmjet serbëve në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë dhe vende të tjera të rajonit (Horák & Čermák,2026:5). Për mbështetësit e saj, kjo mund të paraqitet si lidhje kulturore, gjuhësore dhe kombëtare. Problemi lind kur lidhja kulturore shndërrohet në projektk dhe instrument të politikës rajonale të Serbisë. Një studim i botuar në Pregled në vitin 2025 e trajton nacionalizmin serb si sfidë rajonale dhe argumenton se politika e sotme e “Botës Serbe” përbën një riemërtim të elementeve të projektit historik të “Serbisë së Madhe”. Studimi përmend në mënyrë të veçantë Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut si hapësira ku kjo politikë ka potencial të krijojë tensione (Todorović, 2025:46). Në këtë kuptim, ndryshimi i emërtimit dhe i mënyrës së paraqitjes së kësaj politike nuk nënkupton domosdoshmërisht zhdukjen e synimeve apo të narrativave që kanë ekzistuar në të kaluarën. Përkundrazi, ato mund të shfaqen në një gjuhë të re politike dhe në forma më të përshtatura me realitetin bashkëkohor. Ndonëse kjo nuk do të thotë se çdo formë e lidhjes kulturore ndërmjet serbëve është kërcënim, historia e Ballkanit tregon se kufiri ndërmjet kulturës dhe politikës bëhet problematik kur një shtet, si në rastin e Serbisë, ka pretendime territoriale dhe konteston sovranitetin e shteteve fqinje. Në këtë perspektivë, “Bota Serbe” mund të kuptohet jo thjesht si një slogan politik apo identitar, por si një projekt më i gjerë që synon ruajtjen dhe zgjerimin e ndikimit serb në rajon. Sipas Arben Fetoshit (2025), ky projekt është i ndërlidhur ngushtë me narrativat nacionaliste, mobilizimin etnik dhe përdorimin e luftës informative, duke u shfaqur si një faktor që mund të ndikojë negativisht në sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike në Ballkanin Perëndimor (Fetoshi, 2025).
Vlen të theksohet se “Bota Serbe” është pothuajse kopje e konceptit rus Russkiy mir (“Bota Ruse”), veçanërisht në mënyrën se si lidhjet gjuhësore, kulturore, fetare dhe identitare përdoren për të krijuar një hapësirë që shtrihet përtej kufijve të shtetit. Dimitar Bechev (2023), në artikullin e tij “Hedging Its Bets: Serbia Betëeen Russia and the EU”, thekson se rrjeti i lidhjeve formale dhe joformale të Serbisë në rajon ka ngjajshmeri me “Russkiy mir”, duke e përshkruar “Botën Serbe” si një hapësirë përmes së cilës Serbia ushtron ndikim përtej kufijve të saj. Për më tepër, autori nënvizon se kjo qasje perceptohet si potencialisht e lidhur me revanshizmin e Serbise, duke e shndërruar atë në faktor destabilizues per sigurinë dhe stabilitetin rajonal (Bechev, 2023).
Në këtë kuptim, “Bota Serbe” nuk duhet parë si një ide që filloi papritur para disa viteve. Emri është relativisht i ri, por elementet që ai mbart në vete janë shumë më të vjetra. Ndryshimi kryesor qëndron te mënyra e artikulimit. Në vend të një pretendimi të drejtpërdrejt për zgjerimin territorial të Serbisë, fokusi vendoset te “uniteti i popullit serb”, mbrojtja e identitetit dhe ruajtja e lidhjeve kulturore e politike. Megjithatë, vazhdimësia historike nuk mund të injorohet. Nga Načertanije e Garashaninit, te nacionalizmi i shekullit XX e deri te diskursi i “Botës Serbe”, përsëritet ideja se kombi serb shtrihet përtej kufijve të Republikës së Serbisë dhe se Beogradi ka një rol të veçantë në ruajtjen e unitetit të tij (Ljubomirović, 2024:135-140). Kjo nuk do të thotë se të gjitha këto projekte janë identike, por tregon një vijë të caktuar të vazhdimësisë në mendimin politik serb. Në një kontekst më të gjerë, një politikë e tillë mund të thellojë ndarjet etnike dhe të krijojë tensione të reja në një rajon ende të brishtë. Prandaj, “Bota Serbe” përbën një kërcënim potencial për paqen rajonale. Nëse 1986-ta shënoi fillimin e një periudhe në të cilën viktimizimi dhe çështja e Kosovës u vendosën në qendër të mobilizimit nacionalist serb, katër dekada më vonë, fatkeqësisht, këto narrativa nuk janë zhdukur, vazhdimësia e tyre mbetet shqetësuese dhe paraqet një sfidë të vazhdueshme për paqen dhe sigurinë rajonale.