Me Kosovën në zemër dhe topin në këmbë, në Gjermani po rritet një futbollist i madh.
Topin e trajton si shokun e tij më të ngushtë.
Është vetëm 14-vjeçar, por ka një elegancë të jashtëzakonshme në lojë.
Është ky i riu, Erion Gubetini – i lindur në Gjermani, por me një ëndërr të madhe para vetes.
Përveç pasionit të madh për lojën e bukur, Erioni shquhet edhe për elegancë në fushë, këtë e vë në pah çdo ndeshje.
Aktualisht, ai aktivizohet me grupmoshën U16 të Kombëtares së Kosovës.
Dëshirë të vetme ka përfaqësimin e Kosovës.
“Ëndërra ime ka qenë që gjithmonë të luajë për Kosovën. pastaj ma kanë dhënë ftesën që me qenë pjesë e U16 të Kosovës. Kam ardh dhe do të jap gjithë maksimumin tim. Do të jem gjithmonë i gatshëm për të luajtur për Kosovën”, tha fillimisht 14 vjeçari.
Dëshira e madhe për futbollin nisi qysh në moshë të vogël.
Shtysa më e madhe për të kishte qenë familja e tij, të cilët e angazhuan me këtë sport qysh nga mosha katërvjeçare.
“Unë me katër vjet kam fillu me lujtë futboll. Babi im ma ka parë talentin, edhe më ka fut në një ekip, aty ka filluar për mua gjithçka. Kam fillu me lujtë me një ekip krejt tjetër, mirëp duke u bë më i fortë, tash kam dal në ekipin e TSG Konigstein”, vazhdoi ai.
Erionin gjithçka e lidh me Kosovën – edhe dashuria e madhe për vendin e prejardhjes së tij.
Një ditë, synon t’i ndjekë hapat e Edon Zhegrovës – idhullit të tij të kahmotshëm.
Lidhje të madhe ka edhe me xhaxhain e tij, dhe për këtë shkak dëshiron që një ditë të jetë pjesë e Arsenalit.
“Edon Zhegrova është idhulli im. Ai ka një teknikë shumë të fortë, shutin e ka shumë të fortë dhe jep maksimumin sa herë ka ndeshje. Dëshira ime është me lujtë për Arsenalin. Gjithmonë kam dashtë me lujtë për Arsenalin sepse aty ka qenë edhe Xhaka. Edhe axhi im e don shumë Arsenalin, për këtë shkak kisha pas dëshirë që një ditë me qenë aty”, përfundoi ai.
Erion Gubetini është ende në fillim të rrugës, por hapat e tij po duken gjithnjë e më qartë.
Me talent, punë të palodhshme dhe dashuri të sinqertë për futbollin, ai po ndërton të ardhmen e tij – ditë pas dite, ëndërr pas ëndrre.