Komuna e Prishtinës ka kundërshtuar kompanitë e autobusëve Prishtinë- Podujevë pasi lajmëruan që kthimi i autobusëve do të bëhet nga xhamia e Llapit.
Me anë të një postimi në Facebook, komuna ka deklaruar se kjo përbën shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë.
“Kjo marrëveshje nuk ka qenë njëanshme, por është arritur si rezultat i një procesi të gjerë shumëpalësh, ku kanë qenë të përfshira: Komuna e Prishtinës, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit. Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë.”, thuhet në njoftim.
Mes të tjerash, komuna ka paralajmëruar masa ligjore dhe administrative.
“ Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve. Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike. Në këtë drejtim, theksojmë se MPMH duhet të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila është dhe mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës. Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën për operim”, thuhet në njoftim.