Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar në rrjetin social Facebook lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhje, duke thënë se vendimi për moscertifikim nuk është padrejtësi, por pasojë e veprimeve të saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Musliu ka theksuar se Lista Serbe prej themelimit ka funksionuar si instrument i Beogradit, duke sabotuar procese integruese dhe duke bllokuar ligje në Kuvend.
“Lista Serbe po paraqitet si viktimë, por e vërteta është se vetë e ka sjellë veten në këtë pozitë.
Që nga dita e parë ka punuar kundër Kosovës dhe institucioneve të saj, gjithmonë sipas udhëzimeve të Beogradit. Ka bllokuar ligje, ka sabotuar proceset integruese, është përfshirë në barrikada dhe madje udhëheqësi i saj real organizoi sulmin terrorist në Banjskë.
Drejtuesit e saj kanë qenë në barrikada dhe në dhunën e organizuar në veri, ndërsa kryetari faktik i saj, terroristi Milan Radoiçiq, udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë.
Asnjë subjekt tjetër me histori të tillë kriminale, terroriste dhe sabotuese nuk do të duhej të trajtohej si parti politike! Vetë komunikatat e tyre e tregojnë qartë se e mohojnë Kosovën duke e quajtur ende ‘Kosova e Metohija’, duke kërkuar që njësi të Policisë të shpallen terroriste, ndërkohë që për vite të tëra kanë hesht para kriminelëve serbë që kanë terrorizuar serbet e Kosoves, madje edhe me viktima.
Nuk mund të presësh certifikim e legjitimitet kur me vite e ke dëshmuar se nuk e njeh shtetin në të cilin do të marrësh pjesë në zgjedhje.
Andaj, mendoj qe moscertifikimi i Listes Serbe nuk është padrejtësi ndaj tyre”, ka shkruar Musliu.