Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka folur për pasojat e ngërçit politik në funksionimin e komunave dhe qeverisjes lokale në vend.
Ai ka thënë se gjatë kësaj qeverisjeje, Ministria e Financave gjithmonë është treguar e papërgjegjshme ndaj nivelit lokal të qeverisjes.
“Po i zvarrit disa procedura të cilat janë të parapara me legjislacionin në fuqi, e në veçanti në këtë rast me lëshimin e qarkores së dytë buxhetore. Edhe viteve të kaluara e kemi pasur këtë sfidë. Pa e lëshuar Ministria e Financave qarkoren e dytë buxhetore, komunat nuk mund ta hartojnë buxhetin e tyre komunal, të cilin me 1 shtator kryetari i komunës duhet ta propozojë para anëtarëve të kuvendeve komunale, në mënyrë që deri më 30 shtator të miratohet”, ka thënë ai.
Ibrahimi më tej ka theksuar se komunat deri më tani janë ballafaquar me shumë probleme, duke specifikuar tendencën e nivelit qendror për marrjen e më shumë se 100 milionë eurove nga komunat.
“Pastaj, nuk ka hartuar asnjë ligj që shkon në dobi të komunave të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, ka amendamentuar vetëm ligjin për tatimin në pronë, ku faturat më pas qytetarëve… u kanë shkuar të dyfishuara, madje edhe në disa raste të trefishuara”, ka thënë ai.
Tutje, Ibrahimi ka përmendur se në fillim të këtij viti ministri Murati ka theksuar se nuk mund ta mbledhë Komisionin e Granteve – i cili merret me hartimin e kornizës afatmesme të shpenzimeve dhe zbatimin e saj – me arsyetimin se nuk ishte themeluar Parlamenti i Republikës së Kosovës. Por më vonë, pas reagimit të AKK-së, ai e ka mbledhur komisionin dhe ka vazhduar me procedurat.
“Në përgjithësi, shumica absolute e kryetarëve të komunave nuk kanë qenë të kënaqur që nga fillimi me performancën dhe komunikimin, bashkëpunimin me nivelin qendror, e në veçanti me ministrin Murati”, ka thënë ai.