Prokuroria Speciale ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet L. M., nën dyshimet për përfshirje në sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Pas hetimeve disa mujore, hetuesit policorë kanë arrestuar të dyshuarin në komunën e Zveçanit.
Ai po hetohet për disa vepra penale, përfshirë: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Me autorizim të prokurorit janë kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e tij të paligjshme.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj L. M.