Gjykata e Qarkut në Split ka vendosur një muaj paraburgim për një pilot të Forcave Ajrore të Kroacisë (HRZ) nga Spliti dhe partneren e tij, një sociologe nga Mitrovica e Kosovës, të cilët dyshohen për spiunazh. Vendimi u mor këtë mëngjes nga gjykatësi hetues raporton . përcjell Dukagjini.
Sipas gjykatës, masa u vendos për shkak të mundësisë së ndikimit tek dëshmitarët, si dhe rrezikut që të dyshuarit në liri të mund të shkatërrojnë, fshehin apo falsifikojnë prova të rëndësishme për procesin gjyqësor. Për gruan e dyshuar paraburgimi u vendos gjithashtu për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi ajo është shtetase e huaj. Për këtë vepër penale, Kodi Penal kroat parashikon dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.
Mesazhe komprometuese dhe hetime ndërkombëtare
Piloti dhe partnerja e tij u morën në pyetje dje nga Prokuroria e Qarkut në Split. Hetimet po zhvillohen nga policia civile, policia ushtarake dhe Europol. Dyshohet se piloti J.I. i ka dhënë të dhëna sekrete partnereve të tij A.M., e cila më pas ia ka përcjellë këto informacione përfaqësuesve të Listës Serbe.
Ata u arrestuan në fund të korrikut në Vis, ku po qëndronin me pushime. Fillimisht piloti ishte liruar, ndërsa partnerja e tij ishte dërguar në qendrën tranzitore për të huaj në Trilj, me vendim për dëbim nga Kroacia për 10 vjet. Por pas kontrolleve të komunikimeve të tyre telefonike, hetuesit zbuluan mesazhe komprometuese që i lidhnin me spiunazh ndërkombëtar.
Dyshimet për transmetim informacioni te Lista Serbe
Mediat raportojnë se gruaja e dyshuar punonte për një organizatë gjermane dhe kishte mbledhur informacione që piloti i kishte dhënë gjatë tre viteve të fundit. Ai kishte shërbyer edhe në Kosovë si pjesë e kontingjentit kroat në KFOR.
Hetimet sugjerojnë se dyshja, përmes WhatsApp-it, shkëmbenin të dhëna konfidenciale për lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat ajo më pas i përcillte te drejtuesit e Listës Serbe dhe madje edhe te një gazetar i një agjencie të njohur ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për informacione mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022, si dhe për planet operative të KFOR-it dhe të dhëna të tjera të ndjeshme.