Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me dëshminë e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, të dhënë të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë, në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi.
Krasniqi ka thënë se dëshmia e Rubin-it është e bazuar në fakte të pakontestueshme dhe se ajo rrëzon akuzat e Prokurorisë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jo rastësisht, populli ynë thotë: trimi i mirë me shokë shumë. Edhe sot, në një kohë kur bota ka nevojë për të vërtetën dhe historia për qartësi, në Hagë po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut. James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të Presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre. Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë shërbente si ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është njëri nga dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.