Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, gjatë raportimit të fundit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, tha se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë është politike, jo ushtarake.
Ai theksoi përkushtimin e NATO-s për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, duke bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe gatishmëri për kompromis nga të dyja palët.
“Që të lëvizim përpara është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina t’i implementojnë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet që të bëjnë kompromiset e nevojshme”, deklaroi Barduani.
Gjatë fjalës së tij, gjenerali ndau vlerësimin për situatën e sigurisë në Kosovë, duke nënvizuar rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai përmendi forcimin e misionit të KFOR-it përmes vendosjes së përkohshme të forcave rezervë dhe rritjen e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, me institucionet e sigurisë në Kosovë dhe me Forcat e Armatosura Serbe.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX).