Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve nëse partia e tij, Vetëvendosje ka zhvilluar takime me partitë e tjera për të siguruar votat për formimin e qeverisë.
Ai tha se gjinden në Poliklinikë Specialistike, duke mos u përgjigjur për pyetjen konkrete.
Kurti u pyet gjatë përurimit të Poliklinikës Specialistike në Podujevë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit pritet në fund të muajit shtator. Deri atëherë, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Kjo masë është në fuqi nga 5 deri më 30 shtator dhe është vendosur nga Kushtetuesja njëzëri, ex officio dhe mbi bazën e kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”./EO