Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër D.B dhe E.B për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Në njoftimin e prokurorisë bëhet e ditur se dy të dyshuarit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terrorsite ISIS, njofton Dukagjini.
Sipas aktakuzës, D.B dhe E.B., përmes rrjetit social “Facebook” dhe “Tik-Tok” , kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik.
D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi, dhe t’iu vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B.